E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet shqiptare, klasifikimi i munguar

Prof. Dr. Arsen PROKO *

Ka vite që në vendin tonë diskutohen reformat e ndërmarra nga Qeveritë për rritjen e nivelit të universiteteve, cilësisë së mësimdhënies e nivelit të kërkimit shkencor, hapjen e universiteteve private apo atyre shtetërore, “vend e pa vend” etj. Madje apriori aktorët e faktorët, sipas interesave, përpiqen të bëjnë dhe vlerësime të përgjithshme, duke nxjerrë dhe “përfundime” se universitetet shtetërore janë në nivel më të lartë se ato private, apo e kundërta, pa përmendur tregues sasiorë apo cilësorë, e aq më pak krahasuar këto me standardet ndërkombëtare (Frascati, UNESCO, OECD, Shangai, Time Higher Ranking, Webometrics, THES-QS etj.), duke e lënë temën e diskutimit gjithmonë të hapur.
është i njohur fakti se universitetet vendosin vetë mbi nivelin e tyre të performancës, bazuar në strategjitë e politikat e tyre afatgjata dhe të kërkesave të tregut të punës, por nga ana tjetër, çdo student ka të drejtë të dijë se, ku po studion, çfarë niveli do ketë ai në çdo stad studimesh dhe sa konkurrues do jetë ai nesër në tregun e punës. Globalizmi, si nocion që ka të bëjë me gjerësinë, thellësinë dhe shpejtësinë e bashkë-komunikimit në shkallë botërore, e ka vendosur nxënësin, që dëshiron të vazhdojë studimet, para një numri të madh alternativash, por ai e ka të vështirë të harmonizojë nivelin e performancës së universitetit që do të përzgjedhë me mundësitë ekonomike që ai zotëron. Procesi i akreditimit, me gjithë rëndësinë e vet, nuk mjafton, sepse ai grupon universitetet në brenda apo jashtë standardit, por nuk i rendit (klasifikon) ato nga pikëpamja cilësore. Vendosja e kritereve dhe treguesve për renditjen e universiteteve është një proces i rëndësishëm, një sfidë që do shoqërojë vendin në proceset integruese. Si i tillë ai nuk ka pse të vonohet.
Renditja e universiteteve me metoda bibliometrike është një instrument i rëndësishëm për vlerësimin e nivelit të performancës së tyre. Kohët e fundit renditja e universiteteve ka tërhequr vëmendjen e politikë-bërësve, botës akademike dhe medias kudo në botë. Veçanërisht klasifikimi i publikuar nga Universiteti Jiao Tong i Shangait “Academic Ranking of World Universities” (2003) ka gjallëruar zjarrin. Këtu, si dhe në raste të tjera, elementët bibliometrikë, të tilla si numri i publikimeve dhe citimeve të këtyre publikimeve, luan rolin kryesor. Ky klasifikim sugjeron një thjeshtësi për vlerësimin e performancës mësimdhënëse e shkencore, si në rastin e një lige futbolli. Kudo në botë ka shpërthyer një valë diskutimesh (pro/kundra), por dhe reflektimesh, bazuar në klasifikimin e Shangait, ndërsa tek ne duket sikur këto ngjarje ndodhin diku larg në një planet të largët. Për hir të së vërtetës duhet thënë se ka pasur një nismë nga MASH për të bërë një lloj “ranking” të universiteteve me kompani të huaj, por ende e pa materializuar.
Por ç’përfaqësojnë treguesit e Shangait? Treguesit e Shangait janë gjashtë nga katër fusha të rëndësishme: (i) cilësia e mësimdhënies 10% (numri i njerëzve të shquar që kanë marrë çmime Nobel ose medalje, (ii) cilësia e fakultetit 40% [(a) numri i stafit me çmime e medalje 20%; (b) kërkuesit e cituar-i identifikuar nga Tomson Scientific (20%], (iii) produkti i kërkimit 40% [(a) numri i publikimeve 15 vitet e fundit 20%, (b) numri i publikimeve nga anëtarët e stafit në një institucion (Tomson Scientific database) 20%], (iv) prodhimtaria 10% (llogaritja totale e pesë treguesve të mësipërm pjesëtuar me numrin e Kohës së Plotë Ekuivalente të stafit akademik).
Vendosja e treguesve (sasiorë e cilësorë) dhe metodës së standardizuar të vlerësimit të universiteteve, një proces jo i lehtë, duhet të fillojë nga niveli kombëtar për të vazhduar edhe në nivele rajonale e më gjerë. Pavarësisht subjektivizmave të paraqitura herë pas here dhe kontestimeve, nganjëherë të drejta, analiza e suksesshme e rezultateve, bazuar në tregues të avancuar, të shpallur çdo vit, do shtynin universitetet tona, pa përjashtim, drejt standardeve më të larta e të shumëpritura.
Mjaft diskutime e debate zhvillohen në botë në aspektin e përzgjedhjes së metodës së vlerësimit me “peer review” apo “tregues bibliometrikë”. Madje ka një garë për të prezantuar metodologji sa më pak subjektive dhe të pa paragjykuara. Do mendoja se për një përmirësim substancial të vendim-marrjes në mësimdhënie e kërkim, procedurat e vlerësimit me peer review duhet të përdoren paralelisht me treguesit e avancuar bibliometrikë. Kombinimi i kërkimit operacional me teknikën e sofistikuar bibliometrike do të ofronin shpresa për sisteme e vlerësimi të pa kontestueshme. Sipas mendimit tim, procedura me “peer review” duhet të mbetet procesi i parë i vlerësimit të kërkimit ndërsa treguesit bibliometrikë duhet të veprojnë si instrumente mbështetës për ta bërë më objektiv dhe transparent procesin. Një metodologji e tillë është aplikuar në mënyrë të suksesshme në Holandë. Megjithatë, pavarësisht nivelit të informacionit, defekteve metodologjike apo mënyrës së përzgjedhjes së kritereve e treguesve, listimi i universiteteve (ranking) si filozofi mbetet një forcë e fuqishme shtytëse për rritjen e nivelit të tyre. Personalisht do ta konsideroja si një lubrifikant, i cili do lehtësonte funksionimin e ingranazheve të sistemit.
Renditja e universiteteve, një proces i vonuar në vendin tonë, do kishte një sërë avantazhesh. Ai do t’u jepte studentëve njohuri mbi statusin e universitetit, duke i ndihmuar ata të zgjedhin destinacionin më të mirë. Renditja krijon mundësi për analiza krahasuese ndërmjet universiteteve, fakulteteve, departamenteve dhe bën të matshëm progresin e tyre, në raport me universitetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare, duke nxitur cilësinë. Një renditje e tillë do ishte një tregues domethënës, në ndihmë të skemës së financimit të universiteteve. Në projekt vendimet për hapjen e universiteteve të reja, shtetërore apo private qofshin, një pikë e rëndësishme diskutimi do ishte fakti se çfarë kapacitetesh do kishte ai për të zënë një vend “nderi” në klasifikim. Kësisoj tendenca do shkonte drejt bashkimit të universiteteve dhe jo fragmentimit të tyre. Psh. nëse të gjithë universitetet e Tiranës do bashkoheshin në një të vetëm do siguroheshin tregues që do ta rendisnin atë ndër më të mirët në rajon.
Nga ana tjetër, vlerësimi i treguesve bibliometrikë (citimi nëpërmjet klikimeve) në procesin e klasifikimit të universiteteve do të kërkonte ngritjen e një sistemi i cili do bënte të mundur shkëmbimin e informacionit e njohurive shkencore online. Kjo do të bënte domosdoshmërish efecient publikimin online (eLibrary) për transferimin e njohurive e të informacionit shkencor, duke mundësuar dhe lidhjen me sistemet e tjera ndërkombëtare. Kjo ndërmarrje do të nxiste citimet e literaturës shqiptare edhe nga studiues ndërkombëtarë.
Procesi i klasifikimit të universiteteve do të realizohej me sukses vetëm në kuadër të ndërmarrjes së një programi gjithëpërfshirës të gjithë aktorëve, ku një problem i rëndësishëm e i diskutueshëm (por jo sa vetë procesi) do ishte fakti se cili institucion do kishte statusin e përshtatshme për koordinim dhe të drejtën e hartimit e publikimit të raportit vjetor e listës renditëse të universiteteve.
Për staturën që ka, kam bindjen se koordinatori më i besueshëm dhe më pak i kontestueshëm i një procesi të tillë do të ishte Akademia e Shkencave të Shqipërisë, për një sërë motivesh.
Një motiv buron nga misioni i Akademisë si institucion që nxit kërkimin, bashkëpunimin shkencor dhe këshillon Qeverinë mbi politikat dhe strategjitë e edukimit dhe kërkimit shkencor.
Motivi tjetër ka të bëjë përfshirjen sa më të gjerë, duke u lidhur me faktin se Akademia përfshin akademikë të shquar, përfaqësues nga një sërë universitetesh e institucionesh kërkimore kombëtare.
Motivi i tretë lidhet me zhdërvjelltësinë institucionale. Akademia ka një bibliotekë shkencore me kapacitete të tilla që, në rrjet, me bibliotekat e universiteteve të luajë rolin e një “Tomson Scientific Database” shqiptar për administrimin dhe përhapjen e informacionit shkencor të domosdoshëm për një proces të tillë.
Se fundi, Akademia ka demonstruar aftësi, seriozitet e korrektësi në grumbullimin, administrimin dhe në përhapjen e informacionit shkencor. Ajo ka qenë pjesë e rëndësishme aktive e gjithë nismave e programeve që kanë pasur si qëllim hartimin e politikave e strategjive të RTD&I dhe evidentimin e nivelit të kërkimit, auditimin apo raportimin e tij.
Gjithsesi e rëndësishme për zhvillimin e universiteteve tona do ishte vullneti i gjithë aktorëve (MASH, universiteteve dhe Akademisë) për ta bërë procesin e klasifikimit një realitet e me transparencë maksimale. Integrimi euro-atlanitik dhe ballafaqimi me nivelet e universiteteve të zonës evropiane (ERA), po troket në derë. Ai e bën akoma më urgjent ndërmarrjen e një procesi të tillë.
*Akademia e Shkencave të Shqipërisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›