E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini takon Metën: Procesi i vizave është i pakthyeshëm



Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini deklaroi dje në një takim me zv.kryeministrin Ilir Meta se procesi i vizave është i pakthyeshëm. Krerët e diplomacive të dy vendeve u takuan dje në Budva, ku zhvilloi punimet Nisma e Europës Qendrore. Gjatë takimit, Meta nënvizoi angazhimin e Qeverisë shqiptare për të përmbyllur sa më shpejt tre nën-çështjet e mbetura nga Udhërrëfyesi i vizave dhe shprehu mirënjohjen e tij për rolin iniciues dhe kontributin e madh që Fratini ka dhënë që në fillim të këtij procesi. Gjithashtu, Meta e vlerësoi Deklaratën e Sarajevës si një frymëzim dhe inkurajim për zbatimin e kritereve të vendosura për integrimin europian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Nga ana e tij, Fratini vlerësoi punën e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, duke shprehur bindjen se ky proces është tashmë i pakthyeshëm. Në këtë kuadër, ai shtoi se Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave me BE dhe se Italia do të vazhdojë mbështetjen e saj të fuqishme në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme shqiptare. Në të njëjtën kohë, Fratini shprehu bindjen se Shqipëria do të jetë gati për statusin e kandidatit. Në këtë kuadër, ai theksoi nevojën e bashkëpunimit të të gjithë faktorëve politikë në shërbim të reformave të ndërmarra, dhe nënvizoi se progresi politik vjen vetëm duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Në fjalën e mbajtur në takimin e NEQ, Meta e konsideroi Deklaratën e Sarajevës si një mbështetje dhe angazhim të plotë të BE-së për perspektivën evropiane të rajonit, dhe si një shtysë dhe frymëzim për të gjithë qeveritë e këtyre vendeve për të përshpejtuar më tej reformat drejt anëtarësimit në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›