PD: Kontratën e firmosi Noka, jo Nano
Aristir Lumezi
Partia Demokratike reagoi dje duke hedhur poshtë faktin se Fatos Nano ka qenë personi i kontaktit të PD-së në kontratën e saj me një kompani amerikane lobimi. Zyra e shtypit e selisë blu përmes një njoftimi për mediat përgënjeshtron një pjesë të shkrimit të botuar në gazetën tonë sa i takon përfshirjes së Fatos Nanos në këtë bashkëpunim mes PD dhe kompanisë amerikane, duke dhënë dhe disa sqarime. “Partia Demokratike përgënjeshtron shkrimin e botuar sot më dt. 15 Qershor 2010 në gazetën “Panorama” me titull “Nano kontakti i PD për lobing në SHBA”……është fare e qartë se kjo gënjeshtër, viktimë e së cilës ka rënë dhe gazeta “Panorama”, me burim qarqet e ngushta rrotull Edvin Ramës, ka pasur qëllim tërheqjen e vëmendjes së publikut pas daljes në dritë të skandalit mes Partisë Socialiste dhe një kompanie lobingu amerikane, që është nënshkruar nga kryeadministratori i Bashkisë së Tiranës”, thuhet në njoftimin e PD-së. Zyra e shtypit e partisë demokratike ka bërë publike dhe faksimilet e kontratës mes PD dhe kompanisë amerikane “BKSH & Associates”, ku sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka ka firmosur në këtë marrëveshje dypalëshe si dhe qëllimin e lidhjes së kësaj marrëveshje, e cila do të shërbente për të lobuar për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Deklarojmë me përgjegjësi të plotë se kontrata është ligjore dhe transparente si drita e diellit dhe se qëllimi i saj ka qenë lobimi për anëtarësimin e vendit në NATO. Gjithashtu kontrata në të gjithë termat e saj është nënshkruar dhe negociuar nga zyrtari përgjegjës i Partisë Demokratike z. Flamur Noka”, thuhet në njoftimin zyrtar të PD-së.
Kompania
Po mbrëmë kompania amerikane përmes një sqarimi për shtyp u shpreh se nuk ka punuar asnjëherë me Fatos Nanon, por nuk sqaron se si gjendet në deklaratën e kësaj kompanie në faqen e Departamentit Amerikan të Drejtësisë emri i Fatos Nanos si person kontakti me PD. “Jemi njohur me një histori të publikuar rreth kompanisë sonë “BKSH & Associates”, sipas së cilës Fatos Nano ka punuar me ne për PD të Shqipërisë. Kjo është një deklaratë e pavërtetë dhe sa i takon çështjes ne nuk dimë të kemi punuar ndonjëherë me ose për Fatos Nanon. Puna jonë kishte të bënte me mbështetjen e PD të kryeministrit Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ne mbështetëm punën e Kryeministrit për këtë përpjekje të suksesshme”, shprehet në një njoftim për shtyp presidenti i kompanisë amerikane R.Scott Pastrick.
Gazeta hedh dritë mbi detajet e kontratës së vitit 2009
Ja linku i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Nano figuron kontakt i PD
Dy ditë më parë, gazetës sonë i janë ofruar nga zyra e shtypit e PS dy faqe të deklaratës së kompanisë amerikane të konsulencës dhe lobimit “BKSH & Associates” në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Në to, përcaktohej qartë se qëllimi i kontratës ishte lobimi në SHBA i Shqipërisë për anëtarësim në NATO, ndërsa personi i kontaktit në arritjen e kësaj marrëveshjeje mes palëve, ishte ish kreu socialist, Fatos Nano që duket qartë në faksimilen e dokumentit. Por për të mos u bazuar vetëm në një material të pjesshëm, gazeta arriti të gjente kontratën e plotë të marrëveshjes, prej 12 faqesh përmes link-ut http://www.fara.gov/docs/5402-Exhibit-AB-20090310-13.pdf. Në kontratën e plotë, Fatos Nano figuronte si personi i kontaktit me amerikanët për llogari të PD-së, nën titullin zyrtar Sekretar i Përgjithshëm. Ajo që nuk paraqitet në faksimilet e dërguara nga PD, është një aneks i kontratës që është tip për të gjitha bashkëpunimet që kompanitë amerikanë kryejnë me subjekte jashtë SHBA-së e ku Fatos Nano dhe presidenti i kompanisë amerikane R.Scott Pastrick paraqiten si subjektet e interesuara për të bashkëpunuar. Në fund të kontratës, pasi ishin përcaktuar qartë të gjithë termat ligjorë dhe teknike se përse dhe si do të funksiononte kjo kontratë, kohëzgjatjen dhe shumën e paguar për të, figuronte emri dhe firma e sekretarit organizativ të PD-së, Flamur Noka, të njëjtat materiale që edhe PD bëri publike dje. Marrëveshja është hartuar përmes një kontrate tip të miratuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe ku kompanitë janë të detyruara të deklarojnë të gjitha transaksionet financiare për shërbimet që ofrojnë. Bazuar dhe në ligjin për transparencën por dhe të deklarimit të të ardhurave, kompanitë amerikane janë lehtësisht të aksesuara nga kushdo përmes internetit dhe shërbimit on line, mjafton të kesh një shërbim interneti.