Rama: Jemi gati për kompromis
Aristir Lumezi
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i ka drejtuar një tjetër apel kryeministrit Sali Berisha për të gjetur një zgjidhje për krizën e rëndë politike, e cila duhet t’i hapë rrugë hetimit duke çliruar në këtë mënyrë siç tha lideri opozitar transparencën e vërtetë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në këto baza zoti Rama shprehu gadishmëri të plotë për t’u takuar me shefin e Qeverisë duke i dhënë në këtë mënyrë rrugë gjetjes së konsensusit të përbashkët. “Bëhet fjalë për një zgjidhje kompromisi, që garanton zgjidhjen me kompromisin e palëve. Që do të thotë se kërkohet me këmbëngulje me durim e me pasion politik një draft i përbashkët”, u shpreh Rama dje gjatë një konference për shtyp pas fjalës së Berishës në Komitetin Ndërministror për liberalizimin e vizave. Kreu i Partisë Socialiste ka theksuar se kriza ekonomike lidhet pashmangshmërisht me kutitë e mbyllura, në të cilat sipas tij fshihet masakra elektorale që ka prodhuar një qeveri të dështuar dhe e pavotuar nga shqiptarët. Kryesocialisti falënderoi Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian për përpjekjet e tyre, për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
Qeveria
Ndërkohë qeveria vlerësoi dje deklaratën e Ministrave të Jashtëm të BE-së të mbledhur në Luksemburg lidhur me krizën në Shqipëri, duke theksuar se ligjet e vendit garantojnë transparencë për çdo dokument. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu tha se “Qeveria shqiptare vlerëson gjithashtu qëndrimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së për zgjidhje të ngërçit politik në Shqipëri në bazë të parimeve kushtetuese, duke garantuar se kuadri ligjor dhe institucional i vendit mundëson transparencë të plotë të çdo dokumenti apo çështjeje në diskutim”. Në të njëjtën kohë ministrja e Integrimit garantoi se Qeveria do të plotësojë të gjitha kushtet e papërmbushura deri tani lidhur me liberalizimin e vizave. “Në unanimitet të plotë Ministrat e Jashtëm të BE-së deklaruan dje se Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian do të marrin menjëherë vendimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sapo Komisioni të sigurojë se të gjitha kriteret e vendosura janë plotësuar. Qeveria shqiptare siguron forumet e larta vendimmarrëse në BE se do të përmbushë me seriozitet maksimal edhe detyrimet e fundit, për të finalizuar me sukses dhe sa më parë, aspiratën e madhe të të gjithë shqiptarëve: lëvizjen e lirë në Evropë”, tha Bregu.
delegacioni i KE
Delegacioni i ekspertëve, i kryesuar nga zëvendësshefja e kabinetit të Komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle, Jana Katarina, Loliç Shindelkova, që është njëherazi edhe përfaqësuesja e Komisionerit për Zgjerim, që mbulon edhe çështjet e Ballkanit Perëndimor, dhe Terkel Petersen, i cili mbulon Shqipërinë në Sekretariatin e Këshillit të BE-së, zhvilloi një vizitë 24-orëshe në Tiranë, më 27 maj. Gjatë kësaj vizite, ekspertët takuan kreun e opozitës Edi Rama, Kryeministrin Berisha si dhe ekspert e dy partive në përpjekje për të ofruar një draft konkret për zgjidhjen e krizës politike në vend.