E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Statusi i kandidatit, në nëntor



ADI SHKEMBI

Komisioni Europian do të publikojë në muajin nëntor opinionin për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Një javë pasi Tirana zyrtare dërgoi pyetjet shtesë, për të cilat Komisioni kishte kërkuar disa shpjegime, Brukseli ka përcaktuar kohën brenda të cilës do të paraqesë përpara Këshillit të Bashkimit Europian mendimin e tij për statusin e vendit tonë. Këtë e bëri të ditur dje në një konferencë për shtyp Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, teksa u pyet se në cilën periudhë do të jepet statusi për Shqipërinë. “Po, është në fakt parashikimi i punës dhe qëllimi i Komisionit që t’u prezantojë vendeve anëtare, Këshillit, opinionet për të dy vendet, të Shqipërisë dhe të Malit të Zi, në të njëjtën kohë, si pjesë përbërëse të paketës mbi Zgjerimin, që ju me të drejtë e përmendët nëntorin, siç parashikon kalendari”, tha Fule në konferencën për mediat në përfundim të Këshillit të Parë të Stabilizim Asocimit, BE-Mal i Zi. Përveç marrjes së statusit të vendit kandidat, në muajin nëntor pritet të jepet vendimi si dhe të parashikohet data kur qytetarët shqiptarë të mund të lëvizin pa viza drejt hapësirës së Bashkimit Europian. Megjithëse Komisioneri Fule përcaktoi periudhën kur pritet të jepet Opinioni për Shqipërinë, deklaratat e mëparshme të ardhura nga Brukseli e kanë lidhur këtë datë me krizën politike në Shqipëri. Ka qenë sërish Komisioneri për Zgjerimin, i cili teksa ka bërë thirrje për zgjidhjen e krizës, është shprehur se vonesa në këtë drejtim do të ndikojë te vendet anëtare lidhur me integrimin e Shqipërisë, ku etapa e radhës është pikërisht Opinioni i Komisionit Europian. “Kjo zgjidhje duhet të gjendet shumë shpejt, sepse përndryshe do të ketë një influencë negative në opinion dhe në rekomandimet, të cilat Komisioni Europian po përgatit për diskutimet që duhen nisur me Shqipërinë. Shqipëria ka bërë një progres të madh gjatë viteve dhe muajve të kaluar dhe do të ishte mirë të vazhdojë një stabilitet politik, në mënyrë që të mënjanohet kjo influencë negative”, deklaroi u shpreh Stefan Fule, Komisioneri për Zgjerimin pranë BE-së. Nga 7 faza që duhet të kalojë një vend për t’u anëtarësuar në Union, Shqipëria ndodhet në të katërtën. Faza e pestë përfshin fillimin e “Negociatave të Anëtarësimit” në BE, që përfshin një hark kohor, minimalisht një vit, dhe maksimalisht 7 vjet, ndërsa faza e gjashtë është nënshkrimi i “Traktatit të Anëtarësimit”, periudhë kjo nga 2 muaj deri në 5 vjet. Hapi i fundit ka të bëjë me “Datën e Anëtarësimit”, që përfshin harkun kohor nga 1 deri në 2 vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›