Vizat, Berisha: Deri të premten kostoja për të rikthyerit nga BE
Shqipëria plotëson dy nga tre kushtet, të cilat nuk i kishte përmbushur ende nga Udhërrëfyesi i Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së radhës së Komitetit Ndërministror të Liberalizimit të Vizave. Këto dy kushte kanë të bëjnë me mbështetjen financiare për sistemet Memex dhe Frontex, si dhe burimet njerëzore në policinë kufitare. “Një problem i dytë është lëvrimi nga Ministria e Financave dhe zgjidhja me Ministrinë e Brendshme e të gjithë fondit të parashikuar nga Këshilli i Ministrave për Ministrinë e Brendshme, në mënyrë që sistemet MEMEX dhe FRONTEX të marrin të gjitha kapacitet e nevojshme të funksionimit të tyre. Kjo duhet të ndodhë deri nesër dhe nëse ka nevojë për të ndërhyrë edhe në vendimet e Këshillit të Ministrave, por mesa duket nuk ka. Po kështu është zgjidhur edhe çështja e personelit në sektorë të caktuar, të policisë kufitare dhe asaj të trafiqeve, për të marrë numrin e caktuar”, deklaroi Kryeministri. çështja e tretë e cila do të marrë përgjigje brenda kësaj jave ka të bëjë me strategjinë për riintegrimin e të rikthyerve nga vendet e Bashkimit Europian. Kreu i Qeverisë kërkoi që brenda ditës së premte të përcaktohet një kosto financiare të përafërt për përballimin e këtij fenomeni. “Sikundër është jashtëzakonisht e rëndësishme që secila agjenci të kostojë përafërsisht çfarë buxheti parashikon për të përballuar këtë fenomen dhe këtë duhet ta bëjmë deri ditën e premte, kur do t’ia dërgojmë Brukselit. Të bëhet ç’të jetë e mundur për rialokime të brendshme dhe janë të mundshme, t’i parashikoni nëpërmjet rialokimit dhe në rast se rialokimi do të jetë i pamjaftueshëm, sigurisht qeveria do të ndërhyjë me fonde të tjera”, theksoi më tej kreu i ekzekutivit. Në të njëjtën kohë, në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ndërministror u bë e ditur se në muajin korrik do të vijnë ekspertët e Komisionit Europian, të cilët do të shohin në terren plotësimin e këtyre tre kushteve. Më pas Komisioni do të përgatisë propozimin, i cili do të miratohet fillimisht në Parlamentin Europian dhe Këshillin e BE-së.