E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, zbardhet ndarja e 25 mijë kuotave sipas degëve

Zbardhet shpërndarja e mbi 25 mijë kuotave të pranimit për vitin e ri akademik, sipas degëve të universiteteve publike të vendit. Mbrëmjen e djeshme, Ministria e Arsimit ka publikuar zyrtarisht vendimin për “Kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, cikli i parë i studimeve me kohë të plotë, si edhe tarifat e shkollimit për vitin akademik 2011-2012”. Sipas vendimit, kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2011–2012, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë janë 25 183, të ndara, si më poshtë vijojnë: kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë 24 583; kuota për program të dytë studimi; 200; kuota për transferim studimesh 300; kuota për shtetasit e huaj 100. Ndërkaq, kuota e pranimeve të reja, për programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, përbëhet nga: kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit 23 843; kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit 700; kuotat për të verbrit (të veçanta) 20; kuotat për romët (ballkano-egjiptianë) 20. Po ashtu, janë miratuar edhe tarifat vjetore të shkollimit për studentët që regjistrohen në vitin e parë, në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, të vitit akademik 2011-2012. Kandidatët që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë, në institucionet publike të arsimit të lartë në vitin e ri akademik 2011–2012, dhe që vijnë nga këto shtresa sociale si: të verbër/të shurdhër, invalidë, invalidë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, jetimët, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë, fëmijët nga prindër të dënuar politikë me heqje lirie, fëmijë të policëve e të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës, i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdon studimet. Në çdo program studimi, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në vitin akademik 2011 - 2012, 3 (tre) studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë-preferencë), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Sakaq, për herë të parë këtë vit, kandidatët që kanë përfunduar me sukses provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të “Maturës Shtetërore” si dhe programin e parë të studimeve me rezultate të shkëlqyera, gëzojnë të drejtën të vijojnë studimet në një program të dytë studimi, brenda numrit të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimi, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë për pranimet në një program të dytë studimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›