Universiteti Epoka çel vitin e ri akademik 2011/2012

Në një atmosferë tejet festive filloi viti i ri akademik 2011/2012 në të gjitha programet studimore të Universitetit Epoka. Pritja qendrore e studentëve të rinj u bë në sallën e konferencave të universitetit. Rektori i Epokës, Prof. Dr. Halil Murat Ozler iu drejtua studentëve të rinj në këtë fillim vit akademik duke thënë se sa e rëndësishme është të kesh një diploma të merituar.
“Universiteti ynë çdo vit po dëshmon se është vatër dhe alternativë e suksesshme e arsimit të lartë në Shqipëri dhe që garanton studime cilësore dhe të pranuara edhe jashtë vendit, ku mund të vazhdojnë studimet ose të kërkojnë punë të diplomuarit. Universiteti ynë po dëshmon se është një vatër e madhe e diturisë, e cila i përgatit gjeneratat e reja për sfida të reja në jetë, prandaj këtë vit akademik e fillojmë me më shumë se 1000 studentë, programe studimi bachelor dhe master dhe së shpejti doktorature” ka theksuar rektori.
Universiteti Epoka është i akredituar, ka marrëveshje binjakëzimi me 38 universitete në Evropë dhe SHBA si dhe një staf të përgatitur akademik nga 15 vende të ndryshme të botës.