E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e 6-vjeçarit, tre të arrestuar

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Arrestohet mjeku dhe dy infermierët e Korçës, mjekimi i pakujdesshëm i të cilëve shkaktoi vdekjen e një fëmije 6 vjeç nga pickimi i gjarprit. Stafi i mjekëve dhe infermierëve që kanë qenë në gatishmëri ditën e diel, ku mbërriti edhe fëmija nga fshati Laminot, Viktor Balliu për ndihmë mjekësore u thirrën dje në mëngjes në policinë e Korçës. Pas deponimeve të tyre, prokuroria firmosi tre flet-arreste. Me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm u arrestua mjeku anestezist-reanimator Ilir Milo, 39 vjeç, nga Erseka, infermieri dhe ndihmës/anestezisti Julian Mato, 36 vjeç nga Korça dhe infermieri Olgert Hoxhallari, 24 vjeç nga fshati Binaj në Korçë. "Që të tre akuzohen për mjekim të pakujdesshëm të 6-vjeçarit Viktor Balliu, i pickuar nga gjarpri më 18 korrik, i cili pas afro tetë orësh vdiq për shkak të mjekimit të pamjaftueshëm në Urgjencën e Spitalit të Korçës", bënë të ditur burime të prokurorisë. Grupi i hetimit evidentoi hallkën më të dobët të shërbimit ndaj fëmijës, që ishte mospërdorimi i serumit antivipera, që do ta shpëtonte nga vdekja 6-vjeçarin. Sipas konkluzionit të hetuesve, fëmijës nuk i është bërë shërbimi i plotë për luftimin e helmimit me serumet që parandalojnë vdekjet nga helmi i gjarprit. Në bazë të këtij konkluzioni dje në mëngjes u prenë flet-arrestet. Vetë mjekët kanë pranuar gabimin e pafalshëm, por sipas tyre duke qenë se shumë ilaçe mungojnë në spital, ata kanë menduar se nuk kishte as edhe antivipera, ndaj nuk kane marrë as mundimin t'ia kërkojnë farmacistes. Pasi fëmija ndërroi jetë, familjarët akuzuan bluzat e bardha për mjekim të pakujdesshëm. Pas këtyre akuzave, drejtori i spitalit deklaroi se në spital kishte serum, e pas tij bëri të njëjtën deklaratë edhe shefi i këtij pavijoni. Kjo bëri që prokuroria të nisë hetimet, ndërsa vetë mjekët mbetën të shtangur kur mësuan se serumi, që u kishin kërkuar prindërve të viktimës ta blinin në farmacitë private, disponohej prej tyre. Të mërkurën, prokurorët shkuan në spital dhe për mëse katër orë pyetën mjekët dhe farmacisten. Kjo e fundit doli nga përgjegjësia pasi askush nga mjekët nuk ia kishte kërkuar asaj serumin. Pas shqyrtimit të së dhënave dhe deponimeve të vetë mjekëve e infermierëve, ata u thirrën edhe dje në polici për t'u rimarrë në pyetje. Prokuroria dhe policia e Korçës vendosën të linin të lirë pjesën tjetër të stafit të bluzave të bardha, duke arrestuar vetëm tre prej tyre, mjekun Ilir Milo dhe dy infermierët, Julian Mato dhe Olgert Hoxhallari. Mjekët e tjerë të spitalit të Korçës gjatë mbledhjes së zhvilluar të mërkurën arritën të gjithë në rezultatin se nëse fëmijës do të ishte injektuar serumi, ai sot do të ishte gjallë. Dje u zhvillua një mbledhje tjetër në spitalin e Korçës, por kësaj radhe kritikat janë dhënë nga ekspertët e mbërritur nga Ministria e Shëndetësisë. Mbi 6 orë është debatuar për ngjarjen e ndodhur, ku edhe vetë ekspertët e ardhur nga Tirana kanë qenë të mendimit se 6-vjeçari kishte vdekur nga pakujdesia e mjekëve. Ata hodhën me shkrim të gjitha të dhënat dhe diskutimet e djeshme, të cilat do t'ia relatojnë vetë ministres Anila Godo.

Mjekët e arrestuar

Ilir Milo, 39 vjeç, mjek anestezist-reanimator
Julian Mato, 36 vjeç, infermier, ndihmës/anestezist
Olgert Hoxhallari, 24 vjeç, infermier

Helmimi i fëmijës

Fëmija 6 vjeç, Viktor Balliu nga fshati Laminot i Korçës u pickua nga gjarpri në një fushë me jonxhë, ndërsa po shkonte të lahej në rezervuarin e fshatit bashkë me vëllanë e tij. Familjarët e çuan në spitalin e Korçës, por mjekët i kërkuan prindërve të vogëlushit që të gjenin serumin antivipera, që luftonte helmin e gjarprit në farmacitë private të qytetit, pasi ata nuk kishin gjendje në spital. Prindërit e varfër të fëmijës kishin dalë edhe të papërgatitur, ndaj nuk patën mundësi ta blinin serumin. Vonesa në marrjen e këtij medikamenti rëndoi gjendjen e 6-vjeçarit. Duke parë situatën, mjekët vendosën ta nisin për në Tiranë, por fëmija vdiq gjatë rrugës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›