Universiteti Politeknik, me bibliotekë online
Bibliotekë online për studentët, pedagogët e akademikët. Në sajë të projektit “Cobiss”, i financuar nga qeveria sllovene, Universiteti Politeknik i Tiranës shton literaturën e tij. Në bibliotekën e re, të gjitha proceset do të jenë të automatizuara dhe do të ketë një sistem informatik kombëtar për kërkime. Ndërkohë kjo do të shërbejë, sipas projektit, për stimulimin e dialogut ndërkulturor. “Me një investim fillimisht, ndoshta i vogël, prej 50 mijë euro në bibliotekën shkencore të Universitetit Politeknik të Tiranës, por që jam i sigurt që ajo do të vazhdojë të rritet nga të gjitha anët, në mënyrë që në të kemi një sistem informatik, teknologjik, shkencor bashkëkohor”, tha Jorgaq Kacani, Rektor i Universitetit Politeknik. Ndërkohë shumë shpejt parashikohet që rreth 25 specialistë në drejtimin e bibliotekave, të kryejnë studime pas universitare për sisteme bashkëkohore bibliotekare. Të pranishëm në këtë takim, kanë qenë ambasadori i Sllovenisë në vendin tonë, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, si dhe dekanë, pedagogë të Universitetit Politeknik të Tiranës. “Cobiss është sistemi më i ri i informacionit dhe shërbimeve bibliografike në internet, përmes të cilit akademikë, pedagogë e studentë mund të kërkojnë materiale të ndryshme për studimet e tyre”, u shpreh Kacani. Sipas tij, shtrirja e këtij rrjeti në të gjitha bibliotekat e vendeve të Ballkanit jug-perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, synon të ofrojë më shumë mundësi për të gjithë të interesuarit në materiale didaktike, shkencore, tekste, artikuj, broshura apo botime. z.ll