E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Bashkëpunimi me PS, Rama të reflektojë

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një interviste në “Zërin e Amerikës” analizon marrëdhëniet brenda të majtës dhe situatën politike pak ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit. I pyetur rreth marrëdhënieve me kryetarin e PS-së, Meta tha se “nuk ka asnjë marrëdhënie të acaruar. Ne i ftojmë. Të jeni të sigurt që nuk është kjo marrëdhënia e Ilir Metës me Partinë Socialiste, kjo është me lidershipin aktual. Dhe shpresojmë që edhe ai të reflektojë në ditët që kanë mbetur. Ne jemi të hapur, s’kemi asnjë problem”. I pyetur rreth sondazheve të zhvilluara ditët e fundit, Meta u shpreh i sigurt se LSI merr më shumë se 30 deputetë, ndërsa tha se sondazhet janë të porositura nga dy persona. “Pa asnjë diskutim LSI e ka kaluar shifrën e 30 deputetëve në shkallë kombëtare. Sondazhet që janë bërë sot në Shqipëri kanë qenë të porositura nga dy njerëz, jo nga dy parti, të cilët vetëm një qëllim kanë pasur të përbashkët, përpjekjen për të demoralizuar qytetarët shqiptarë, në mënyrë që të mos votojnë për atë alternativë që do të garantojë ekuilibrat e një qeverisje, e cila nuk mund të marrë vendime arbitrare në të ardhmen sikurse ka ndodhur gjatë këtyre viteve”, tha Meta.
Duke risjellë në vëmendje bashkëpunimin e frytshëm që LSI dhe PS patën në zgjedhjet vendore 2007, Meta tha se ky bashkëpunim i prish në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama, i cili zgjodhi të bashkëpunojë me Sali Berishën për ndryshimet kushtetuese e më pas për Kodin Zgjedhor. Meta u shpreh se LSI është e vetmja parti politike në këtë fushatë, e cila ka shprehur një program të qartë dhe të plotë qeverisës me prioritete. “Absolutisht ne kemi një fat të madh që jemi e vetmja parti që kemi një program. Më gjeni një program tani të një force tjetër që ka një program që ka disa koncepte të qarta, që ka disa formula të qarta, që ka disa shifra të sakta”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›