Ulet norma e interesit për depozitat, rritet për kreditë
Fabiola Çela
Normat e interesit të depozitave kanë pësuar rënie. E kundërta ka ndodhur me normat e interesit të kredive të cilat kanë pësuar një rritje të lehtë. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, në muajin shkurt është regjistruar një ulje e normave të interesit të depozitave si pasojë e përfundimit të ofertave nga sistemi bankar.
Depozitat
“Norma mesatare e ponderuar e depozitave ka regjistruar nivelin 5.12 për qind këtë muaj, 0.72 pikë përqindjeje më poshtë se një muaj më parë. Ofertat e fundvitit nuk kanë qenë të shumta por përgjithësisht janë bazuar në afatin e shkurtër. Si rrjedhojë, sipas maturimeve, rënia më e madhe e normës së ponderuar të interesit në shkurt është regjistruar për depozitat 3- mujore, të cilat kanë shënuar nivelin 5.13 për qind, nga 6.32 për qind që rezultoi në muajin janar”thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Ndërsa depozitat 12-mujore kanë shënuar 6.68 për qind në shkurt nga 6.93 për qind në janar. Por duke e krahasuar me një vit më parë, norma e interesit për depozitat në shkurt është 0.07 pikë përqindjeje më e lartë. Por më të humbur kanë dalë ata individë të cilët kanë depozituar paratë e tyre në banka në monedhën evropiane. Sipas BSH-së, interesat për depozitat me afat në euro gjatë muajve janar-shkurt kanë shënuar rënie të ndjeshme, si pasojë e uljes së normës bazë nga BQE dy herë, në muajin dhjetor 2008 (-0.75%) dhe në janar 2009 (-0.50%).
Kreditë
E ndërsa norma e interesit për depozita ka pësuar rënie e kundërta ka ndodhur me normat e interesit të kredive. “Në muajin shkurt 2009 norma mesatare e ponderuar e interesit për kreditë në lekë është rritur lehtësisht, duke u kthyer në nivelin e dhjetorit. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së normës së interesit për kreditë afatgjata në monedhën vendase” thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Norma mesatare e ponderuar e interesit për kreditë në lekë shënoi 11.73 për qind në muajin shkurt, nga 11.65 për qind në muajin janar. Normat e interesit për kreditimin në euro nuk janë ndikuar nga ulja e euriborit i cili pësoi rënie të menjëhershme pas uljes së normës bazë nga BQE, përkundrazi ato janë rritur në vendin tonë. Normat e interesit të kredive në euro janë rritur lehtësisht duke shfaqur prirjen shtrënguese të sistemit bankar për kreditim në valutë.