Rama: Horrat e provincës, larg votës
Korçë/Jorgjeta Gjançi
Kreu socialist zhvilloi mitingun përmbyllës në qarkun e Korçës. Mijëra qytetarë mbështetën PS-në në sheshin kryesor të qytetit, ku kreu socialist paralajmëroi njerëzit e qeverisë të qëndrojnë larg votës dhe të mos ushtrojnë presion ndaj qytetarëve. “Drejtorët, shefat, kryetarët e komunave dhe horrat e provincës që janë bërë bashkë për të mbajtur pushtetin e Sali Berishës duke frikësuar njerëzit duhet të lenë kryeplakun e politikës së vjetër në fatin e tij dhe të shohin mirë punën e tyre, sepse çdo tentativë e çdo kërcënim i çdo qytetari për të marrë votën me pahir ne do ta bëjmë pjesë të akuzës penale. Në të kundërt në ditën e 29 qershorit të gjejnë vrimë ku të futen. Ne nuk do t’i lejojmë këta njerëz që për llogari të Sali Berishës duan të mbajnë peng të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi, duan të mbajnë peng qytetarët e këtij vendi, duan të mbajnë peng lirinë e demokracinë e këtij vendi”, tha Rama. Zgjedhjet e 28 qershorit Edi Rama nuk i ka quajtur një betejë të radhës për të ndryshuar qeverisjen e vendit, por një betejë që mbyll një epokë e hap një epokë tjetër, një betejë që do të kthejë fletën e historisë, një betejë që do të zhdukë mungesën e ilaçeve nëpër spitale, që do të zhdukë ekzistencën e nxënësve që shkojnë në shkollë pa libra e fletore, e të rinjve që nuk kanë asnjë perspektivë në vendin e tyre, që do të zhdukë analfabetizmin që sa vjen e rritet. “Kjo është beteja e të gjithë prindërve demokratë e socialistë që nuk i kanë fëmijët për t’i çuar nëpër mitingje në rresht, që nuk duan t’ua drejtojnë ata që hapën dyert e shkollave ditët e shtuna e të diela për t’i kthyer fëmijët në kope e për t’i rreshtuar në sallat e sheshet e mitingjeve të njërës apo tjetrës forcë politike. Ne do të luftojmë që të mos ketë më mësues, mjekë e nëpunës që kërcënohen se do të hiqen nga puna nëse nuk venë në mitingjet e partisë në pushtet. Ne do të fitojmë në 28 qershor për shtetin e të gjithë shqiptarëve”, tha Rama. Ai ka shprehur bindjen se në Korçë fitorja do të jetë e PS-së, sepse “…kemi fuqinë e jashtëzakonshme të një ekipi qytetarësh e qytetaresh që kanë dinjitetin e Korçës, kulturën e Korçës, dhe gjithë ambicien e Korçës për të qenë një vend ku gjithkush do të dëshirojë të jetojë”.
Incidenti
Lulishtet e Korçës natën ishin mbjellë me postera të PD-së. Lulishtarët e bashkisë në mëngjes filluan pastrimin e tyre, por përfunduan në dhomat e izolimit të Komisariatit të Policisë. Zëdhënësja e bashkisë i kërkoi komisariatit të Korçës të lirojë punonjëset e ndërmarrjes së gjelbërimit. Në deklaratë vendosja e posterave në lulishte është quajtur një veprim që prish imazhin e qytetit, por edhe një veprim të paligjshëm, mbasi shkelet neni 79 i ligjit të datës 29.12.2008. Dy lulishtarët e ndaluar në polici u liruan pas 6 orësh, ndërsa lulishtet për gjithë ditën janë ruajtur nga punonjës të policisë me dhe pa uniform.