Universiteti i Durrësit, me model gjerman për arsimin e mesëm profesional
Bashkëpunimi shqiptaro-gjerman është shtrirë edhe në fushën e arsimit të lartë profesional, duke gjetur mbështetjen e plotë të qeverive të dy vendeve. "Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) që është hapur në fillim të viti 2008-2009 pranë Universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës, falë bashkëpunimit me shoqërinë gjermane për bashkëpunim teknik (GTZ) është modeli i akademisë profesionale gjermane, rezultatet e të cilit do të ndjehen së shpejti",tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, gjatë një konference për shtyp dje në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës, ku i pranishëm ishte dhe Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchard.
Sipas z. Beja, "angazhimi i qeverisë gjermane në fushën e arsimit ka nisur në mesin e viteve 1990 në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz dhe po vijon me projektet e arsimimit në zonat e Shqipërisë verilindore si dhe me krijimin e seksioneve dygjuhëshe në shkollat e mesme të vendit". Ministri vuri në dukje se tregu shqiptar i punës ka nevojë për njerëz të formuar profesionalisht dhe FASTIP është një shembull i mirë i lidhjes së teorisë me praktikën. Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchard u shpreh e FASTIP bazohet në sistemin gjerman të arsimit të lartë profesional, ku në bashkëpunim me biznesin studentët kanë mundësi të punësohen menëjherë pas diplomimit. "Qeveria gjermane nga viti 1988 ka financuar afro 800 milion euro në Shqipëri, tha ambasadori Borchard, duke shtuar se pavarësisht nga kriza ekonomike globale ndihma e shtetit gjerman për Shqipërinë është dyfishuar dhe gjatë periudhës 2009-2010 do të arrijë në 90 milion euro.