E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaosi urbanistik i Tiranës, ekspozohet në qytetin e Beratit

Kaosi urbanistik i Tiranës është ekspozuar dhe në qytetin Beratit. Janë dy studentë në vitin e tretë të arkitekturës në universitetin UFO, të apasionuar në profesionin e tyre të ardhshëm, të cilët punët e tyre i kanë ekspozuar me foto në këtë qytet. Për të ndërtuar me idetë e tyre të ardhmen e vendit, ata kanë nisur të zbardhin defektet e së tashmes. Kanë punuar për muaj me radhë, mes një volumi mijëra fotografish, ku përzgjodhëm 100 prej tyre dhe i pasqyruan në ekspozitë. Pikërisht problematika me atë çka këta dy studentë studiojnë, ka lidhje me problemet e egra në urbanistikën dhe arkitekturën e qytetit të Tiranës. Kanë zgjedhur pikërisht metropolin e vendit për të denoncuar një kaos që çdo ditë po trondit vendin tonë. Pas Tiranës dy studentët kanë zgjedhur galerinë e Arteve Eduart Lear në qytetin e Beratit për të paraqitur me foto atë që mblodhën për muaj me radhë në rrugët e Tiranës. Për gazetën dy studentët Ardenis Hoxha dhe Klajdi Hodaj, treguan sesi iu lindi ideja për një ekspozitë të përbashkët, dhe përse pikërisht iu futën punës për të nxjerrë në pah këtë problematik dhe si e shohin të ardhmen e vendit në këtë drejtim. Ideja ishte e shokut tim Klajdit. Duke qenë në të njëjtën degë, vazhdojmë studimet për arkitekturë, vendosëm të bënim një sit fotosh me probleme të arkitekturës dhe urbanistikës të qytetit të Tiranës.  Këtë ekspozitë e quajtëm Zoom, që është një proces i aparatit fotografik, i cili i sheh problemet në detaj, tregon studenti Ardenis Hoxha. Ndërsa Klajdi shton se: Fotot janë marrë në çdo cep të qytetit, që është pjesë e përditshme e jetës sonë, por që defekti  nuk i vihet re se betonimi ka shkatërruar çdo frymë jete, që ka lidhje me lirinë e hapësirave. Mesazhi ynë është stop abuzimit të urbanistikës. Kemi punuar 3-4 muaj, çdo ditë dilnim dhe bënim mbi 600 foto në ndërtesa, rrugë, njerëz etj. Kudo gjenim momente shumë të veçanta. Për ne momenti më i vështirë ka qenë seleksionimi i këtyre fotove. Kemi punuar me shumë kujdes dhe çdo pjesë e fiksuar ka një histori me vete. Arritëm të zgjedhim 100 si fotot më të arrira ku i paraqitëm pikërisht dhe  në Galerinë e Arteve Eduart Lear, në qytetin e Beratit. Pyetjes se cila është fotoja që të bën më shumë përshtypje, dhe që e quajnë vërtet arritje të punës së tyre ata u përgjigjën: Na tërheq fotoja me disa gurë njëri mbi tjetrin, të ngritur në mes blloqeve të pallateve të ndërtuara në kohen e realizmit socialist. Po të vëmë re me kujdes  ndërtimet të ngritura gjatë asaj periudhe kanë një rregullsi në urbanistik që respektohej. Ndërsa sot ndërtimet e reja kanë krijuar një kontradiktë me realitetin. Qyteti ndihet i lodhur, i merret fryma nga ndërtesat e larta, nga çrregullsia e ngjyrave të pa sistemuara dhe që të çorientojnë. Duke treguar se si do të ishte në sytë e tyre arkitektura e qytetit të Tiranës, studenti Klajdi pohon se për të realizuar një dëshirë të tillë nuk mund ta bëj vetëm një person. Nëse do të ishim në të njëjtit mendim, Tirana do ishte larg ndërtimeve jostandarte, do i jepej mundësi për të ruajtur vlerat e relikeve të saj të papërsëritshme që janë bllokuar mes banesave shumë katëshe, ndërtesave të ngutura. Por të ishte modeli, që gjelbërimi të ndante çdo mur, beton dhe asfalt, shprehet ai. Duke folur për bashkëpunimin mes tyre ata tregojnë se: Ideja jonë ka në thelb moton, që të mos mbyllim gojën për kaosin urban që po na tmerron prej 19 vjetësh. Është një ballafaqim me realitetin dhe na vjen mirë që gjatë dy përurimeve tonë një në Tiranë dhe një në Berat  kemi pasur shumë njerëz që i shohin me kureshtje fotot dhe na japin të drejtë për çdo pjesë së kapur në brenda tyre. Na japin të drejtë se vendi vuan nga një kaos ndërtimesh shkatërrimtare të vlerave, kjo na jep kuraje të zgjedhim ide të tjera për ta bërë qytetarin më të ndërgjegjshëm për pjesë ku jeton jetën. Ekspozita, e cila u hap në qytetin e Beratit ka ngjallur kureshtjen e qytetarëve, të cilët me anë të fotove mundën të shihnin kaosin urban të kryeqytetit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›