E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shëndeti Publik: Pastroni depozitat, kanë ujë të ndotur

Impianti i Bovillës, klorinimi i ujit dhe analizat që bëhen çdo ditë nga Drejtoria e Higjienës janë masat normale që merren për të pasur në kontroll normat dhe pastërtinë e ujit të pijshëm.

Çdo muaj, Drejtoria e Higjienës për qytetin e Tiranës jep një raport të detajuar për 33 pika kryesore, të cilat analizohen disa herë gjatë muajit. Më pas nëpërmjet shkresave zyrtare dërgon pranë Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve të gjitha akset e tubacioneve të dëmtuara, që sjellin për pasojë probleme me ndotjen e ujit të pijshëm, që përfundon në çezmat e qytetarëve të Tiranës. Problem i rëndësishëm i konstatuar nga Drejtoria e Higjienës është pastrimi i depozitave personale.

Shumica e banorëve i ka të vendosura ato në tarracat e kateve të pesta, por një pjesë e mirë i ka edhe në ballkone, në katet e para. Ndërsa vitet e fundit një pjesë e madhe e ndërtimeve të reja i kanë postuar depozitat e mëdha të ujit në katet e nëndheshme.

Problemi

Drejtoria e Shëndetit Publik u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të pastrojnë depozitat e ujit. Nëse ato nuk pastrohen qytetarët rrezikojnë të pinë ujë të papastër dhe si rrjedhojë të sëmuren apo të infektohen nga viruse të ndryshme. Ndotja e ujit, si pasojë e papastërtisë së depozitave, rrezikon të sjellë shqetësime të rrugëve gastro-intestinale, duke përfshirë edhe epidemi të ndryshme, deri në infektim nga Hepatiti A.

Depozitat që qëndrojnë në tarracat e pallateve kanë vite e vite që nuk pastrohen nga familjarët. Janë pikërisht ata që duhet të marrin masa për pastrimin e depozitave, pasi ato përmbajnë dhera, papastërti dhe ngarkesa të tjera bakteriologjike, të cilat rrezikojnë shëndetin e konsumatorit. Sipas përfaqësuesve të Drejtorisë së Higjienës, më alarmante paraqitet situata në pallatet e reja, që janë ngritur kohët e fundit. Në këto ndërtesa, depozitat gjenden në katet e nëndheshme, ku ndodhin shpeshherë përmbytje. Edhe në këto raste duhet të jenë qytetarët ata që të marrin nismën për t‘i pastruar këto vende të depozitimit të ujit.

Higjiena

Kujdesi që duhet të tregojnë qytetarët lidhur me pastrimin e sistemit të brendshëm të tubacioneve të ujit është zbrazja dhe rimbushja e depozitave të paktën një herë në katër muaj.

Në mungesë të heqjes së tapës të ndodhur në fund të depozitës, specialistët e higjienës rekomandojnë zbrazje totale dhe më pas mbushje të plotë të saj. Në këtë mënyrë, përveç qarkullimit të ujit bëhet edhe pastrimi i kazanit, i cili gjatë procesit normal të mbushjes, përzien ujin e ndenjur me atë të freskët. Ky i fundit, për një kohë të gjatë, qëndron nën efektin e temperaturave të larta në kohë vere dhe të ulëta në kohë dimri. Sakaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së Ujësjellësit, gjatë kësaj vere nuk ka lindur nevoja për të shtuar dozën e klorit në ujë, kjo edhe në bazë të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›