E Diel, 1 Nëntor 2026

Saranda çel sezonin, dy anije luksoze zbarkojnë 149 turistët e parë amerikanë



Shqipëria po behet përherë e më shumë një vend i sigurt për turistët e huaj. Dy anije luksoze “kroçiera” kanë zbarkuar dje në portin e Sarandës 149 turistët e parë që kanë çelur jo zyrtarisht zezonin turistik në këtë qytet. Burime nga kapitaneria e portit të qytetit jugor thanë se anijet kroçiera "Le Levant" dhe "Island Sky" sollën dje turistet e parë. Kroçiera "Le Levant", me flamur francez, mbërriti në Gjirin e Sarandës në orët e para të mëngjesit nga Italia. Në bordin e saj ndodheshin 54 shtetas amerikanë, që vizituan qytetin bregdetar. "Për herë të parë gjatë këtij sezoni, turistët e huaj do të qëndrojnë deri në orët e vona të mbrëmjes, ku do të vizitojnë disa vende historike dhe muzeale",- thanë autoritetet vendore të qytetit të Sarandës. Ndërsa kroçiera tjetër, "Island Sky", me 95 pasagjerë amerikanë dhe britanikë në bord, mbërriti në Sarandë nga Kotorri. Në mungesë të hapësirës për inbarkim në kalatën e portit, transporti i turistëve amerikanë u bë me varka të vogla. Ata preferuan të shëtisin me këmbë nëpër qytet, për të udhëtuar më tej me 3 autobusë drejt Butrintit. Qëllimi i tyre ishte vizita në vendet antike dhe turistike më të njohura të zonës, ku kohën më të madhe ua zuri shëtitja dhe vizita në amfiteatrin e Butrintit.

BSH-ja zhvillon superankandin e bonove të thesarit me vlerë 14 miliardë lekë

Banka e Shqipërisë do të zhvillojë ankandin e bonove të thesarit në datën 5 maj. Kërkesa e Bankës Qendrore do të jetë për 14 miliardë lekë, (ose 107 milion eurove, 140.6 milion dollarëve amerikanë). Në ofertë janë 5.5 miliardë lekë për bono thesari me afat një vjeçar, dhe 8.5 miliardë lekë për bono me depozita tre mujore. Në ankandin e fundit bonot me afat një vjeçar u shitën me interes 9.13 për qind, nga 9.18 për qind që ishte maksimumi i caktuar. Për bonot e thesarit me afat 6 mujor interesi i siguruar ishte 7.68 për qind, nga 7.70 për qind që ishte ofruar në tender. Banka qendrore nxjerr çdo javë në ankand bonot thesari tre mujore, që janë në lekë, si dhe bono thesari me afat 6 dhe 12 mujor, ankandi i të cilave zhvillohet çdo dy javë.

Shpenzimet kapitale arritën në 18 miliardë lehë në 3-mujorin e parë

Shpenzimet kapitale gjatë periudhës janar-mars të këtij viti në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar janë rritur me 3.3 herë, ç’ka premton një ecuri pozitive të investimeve publike përgjatë vitit. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave nga 5 miliard lekë që kanë qenë shpenzimet kapitale në tremujorin e parë të vitit të kaluar, këtë 3-mujor janë 18 miliard lekë. Ekspertë të financave publike thanë se edhe shpenzimet e tjera janë në ritme sipas programit të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë me disa avancime dhe zëra të shpenzimeve që janë të përkohshme për shkak të programimeve të ndryshme që kanë ministritë e linjës.

METE: Muaji maj do të jetë muaji i koncesioneve për HEC-et vendorë

Muaji maj do të jetë muaji në të cilin Ministria e Ekonomisë do të zhvillojë një mori procesesh tenderimi për dhënien me koncesion të 10 HEC-eve vendorë. Listës së atyre që janë publikuar këto ditë, u shtohet edhe HEC-i "Langarica 3" që do të ndërtohet me koncesion. Burime nga METE, bëjnë të ditur se në bazë të VKM-së "Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të hidrocentralit "Langarica 3", si dhe të VKM-së "Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve", i ndryshuar, METE ka shpallur procedurën konkurruese për ndërtimin e këtij hidrocentrali. Sipas METE-s, HEC-i do të ndërtohet mbi lumin e Gostivishtit në rrethin e Përmetit dhe ofertuesit duhet të paraqesin vetëm një ofertë, ku të angazhohen se pranojnë kushtet e përcaktuara për procedurën konkurruese. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 27 maj 2009, ndërkohë që ofertat do të hapen në të njëjtën ditë.

30 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›