Universiteti i Tiranës, pedagogët pa shpërblim të veçantë për festat
Pedagogët që japin mësim në fakultetet e Universitetit të Tiranës nuk do të marrin ndonjë shpërblim të veçantë për festat e fundvitit. Si shpërblim për punën e kryer gjatë vitit, këta pedagogë do të marrin vetëm atë prej 10 mijë lekësh të akorduar nga qeveria, si dhe shtesën mbi pagë që përfitojnë në varësi të orëve mësimore ose titullit që kanë. Kancelari i këtij universiteti, Robert Skënderi, bën të ditur se pedagogët do të paguhen nga vlera që u takon nga fondi i veçantë. “Nuk është se ka ndonjë shpërblim specifik. Pedagogët do të paguhen për punët e mbingarkesave të orëve mësimore dhe në sistemet e tjera si part-time, master etj. Nuk mund të flas me shifra konkrete, sepse pagesat bëhen nëpër fakultete”, - sqaron kancelari i UT-së.
Kukës, hapet qendra e shërbimit social në zonën verilindore
Hapet Qendra e Shërbimit Social në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar në zonën verilindore të vendit. Kjo qendër do të mundësojë dhënien e ndihmës sociale dhe ekonomike ndaj familjeve më në nevojë. Investimi për ngritjen e kësaj qendre ka kapur shifrën prej 60 mijë dollarësh, prej të cilëve, 30 mijë dollarë janë akorduar nga fondacioni zviceran “ASED” dhe 30 mijë dollarë të tjerë nga BB-ja. Kjo qendër synon integrimin e personave me aftësi të kufizuar, të moshës 5-16 vjeç. Financimi i kësaj qendre gjatë një viti do të kryhet nga fondacioni zviceran, ndërsa më pas nga vetë Bashkia e Kukësit.
Zaçe: “Nënë Tereza, model inspirues i shërbimit social”
Dimensioni human i bamirëses së madhe shqiptare, Nënë Terezës, synohet të kthehet në model inspirues për Shërbimin Social Shtetëror në Shqipëri. Zëvendësministrja e Punës, Marjeta Zaçe, shprehet se çdo kush në punën e tij duhet të përpiqet të gjejë modele pozitive, që e nxisin apo e drejtojnë në punën e tyre. Sipas saj, është kjo arsyeja që misioni i kësaj gruaje të madhe ka lidhje me punën e punonjësve që ofrojnë shërbime sociale me shtresat në nevojë. Për Marjeta Zaçen, portreti i Nënë Terezës, është portreti që duhet të jetë i pranishëm në të gjitha mjediset ku punohet për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve.
25 Dhjetor 2008