Studimi, Tiranës i janë shtuar 8 mijë banorë të rinj në 2008-n
Emanuela Sako
Një studim i Bashkisë së Tiranës tregon detajet e rritjes së popullsisë brenda një viti. Sipas këtij studimi, jepen të dhëna për regjistrimet e reja të banorëve në njësitë bashkiake, daljet dhe numrin në total të popullsisë së kryeqytetit. Vetëm për vitin 2008 kryeqytetit i janë shtuar rreth 8658 banorë të rinj në të gjitha njësitë bashkiake. Ndërsa daljet e popullsisë, apo çregjistrimi nga vendbanimi, kap shifrën e 6396 familjeve. Në këtë mënyrë, Tirana ka preferencat dhe mohimet e veta nga qytetarët. Popullsia e kryeqytetit regjistron rreth 616 396 banorë për vitin 2008, duke pësuar kështu një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin e kaluar. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së kryeqytetit është e paregjistruar në gjendjet civile të njësive përkatëse. Për identifikimin dhe regjistrimin e të gjithë banorëve që jetojnë në kryeqytet, Bashkia po bën dhe regjistrimin e të gjitha adresave dhe shtëpive të kryeqytetit, ku identifikimi i qytetarëve të jetë i plotë. Regjistrat e Gjendjes Civile do të jenë të plota duke i shtuar edhe të dhënat për apartamentet apo banesat ku jetojnë banorët. Çdo qytetar do të figurojë me adresë të saktë të shtëpisë në të gjitha njësitë bashkiake. Kështu, të gjithë qytetarët do të kenë një “dosje” të plotë me të dhënat e tyre, duke ndihmuar për mënyrat e kontaktit për çfarëdolloj situate që mund të krijohet. Njëkohësisht, kjo gjë do të shërbejë së tepërmi për zgjidhjen më të shpejtë të një numri situatash që mund të hasin institucionet apo vetë banorët.
Shtimi
Shtimi i popullsisë së kryeqytetit lidhet ngushtë me disa faktorë, të cilët kanë pasur ndikim të madh vitet e fundit. Një ndër faktorët kryesorë është dyndja e bizneseve në kryeqytet dhe mundësitë më të mëdha të jetesës. Mundësitë për punësim dhe shkollimin e fëmijëve janë më të larta dhe kjo krijon shpërnguljen e popullsisë nga zonat rurale apo rrethet e largëta të vendit drejt Tiranës. Madje një studim të Bashkisë për rritjen demografike të kryeqytetit deri në 2019-n tregon se pritet një trefishim i numrit të popullsisë. Numri i popullsisë së Tiranës pritet të trefishohet brenda këtij 10-vjeçari, duke arritur në 1.5 milionë banorë. Specialistët kanë vlerësuar se rritja e popullsisë së Tiranës në një vit është më e madhja në botë. Zhvillimi i madh që ka marrë kryeqyteti shton problemet e strehimit dhe synon nxitjen e një zhvillimi më të madh ekonomik. Njëkohësisht në studim janë përcaktuar edhe format e kësaj rritjeje, ku gjithçka është e përcaktuar me shifra, duke filluar që nga rritja natyrore, migrimi, çështja ekonomike etj. Ritmi i shtimit të popullsisë së Tiranës është nga më të lartët në botë, me 7-8 për qind në vit, nga e cila 2% vjen si pasojë e rritjes natyrore (raporti lindje-vdekje) dhe 5-6% nga rritja demografike (raporti ardhje dhe largime nga qyteti). Në rast se shtimi i popullsisë për qytetin e Tiranës do të rritet me një mesatare me 7.5% rritje në vit, atëherë në vitet 2007–2017 popullsia e Tiranës parashikohet të shkojë deri në 1.300.342 banorë dhe në vitin 2019 do të arrijë në mbi 1.5 milionë banorë. Sipas Zyrës së Gjendjes Civile në Bashkinë e Tiranës, popullsia e qytetit deri në shkurt të vitit 2006 arriti në rreth 586 899 banorë, nga të cilët 49.8% janë meshkuj dhe 50.2% femra. Pra ka një rritje të popullsisë me 15% krahasuar me vitin 2001; 12% krahasuar me vitin 2002; 7% krahasuar me vitin 2003 etj. Në ndryshim nga shumë rrethe të tjera të vendit, Tirana ka dëshmuar rritjen më të madhe të popullsisë gjatë viteve 1989–2001 (me një shtesë prej 41,15%).
Ndërtimet
Me rritjen e popullsisë së kryeqytetit shënohet dhe rritja e ndërtimeve që ka një shtrirje në të gjitha zonat. Qyteti i Tiranës në çdo vit zihet me ndërtime që kapin rreth 200 hektarë tokë, kryesisht me ndërtime pa leje. Zgjerimi i qytetit në sajë të ndërtimeve llogaritet se kap shifra të larta të tokave të zëna dhe të shtimit pa kriter të ndërtesave që nuk kanë një projekt të caktuar si zona në qendër apo periferike të një qyteti të madh europian. Për shkak të projekteve të ndryshme për rregullimin e territorit të Tiranës, një pjesë e këtyre ndërtimeve pa leje janë prishur ose rrezikohen të prishen, për shkak të planit zbatues të projekteve të bashkisë për kryeqytetin. Ndërsa një pjesë e tyre u janë nënshtruar rregullave ligjore, duke u shpronësuar dhe mjaft të tjerë i kanë legalizuar banesat.
25 Dhjetor 2008