E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urgjenca e Kardiologjisë “mbipopullohet” nga pacientët



Urgjenca e Kardiologjisë është mbipopulluar nga pacientët që janë shtuar së tepërmi ditët e fundit. Shkak për këtë janë bërë virozat e stinës, si pasojë e uljes së temperaturave. Dhomat e shtrimit janë tejmbushur me pacientë dhe mjekët ankohen se nuk kanë ku t’i vendosin, pasi në çdo orë vijnë të tjerë. Drejtoria e QSUT-së ka dhënë urdhër që një numër pacientësh të shtrohen edhe në pavijonet e tjera, të 6-katëshit, pasi kapacitetet nuk janë të mjaftueshme. Moshat më të prekura janë të moshuarit, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj të ftohtit. Virozat e stinës dhe luhatjet e temperaturave kanë shtuar ndjeshëm numrin e fëmijëve të paraqitur në Urgjencën e Pediatrisë në Tiranë. Mjekët tregojnë se numri i të miturve që drejtohen në Pediatri ka arritur në 200. Ditët e fundit, numri i fëmijëve të prekur nga virozat e stinës ka ardhur duke u shtuar me ritme të shpejta. Duket se situata do të jetë tepër e vështirë në ditët e ardhshme, ku sinoptikanët flasin se temperaturat do të vijnë duke u ulur. Simptomat e fëmijëve janë gjendja gripale, ftohje apo temperaturë e lartë. Sipas mjekëve, një situatë e tillë është e zakonshme në këtë periudhë dhe pritet që në ditët në vijim të ketë një rritje të numrit të fëmijëve të prekur nga virozat e stinës së ftohtë të dimrit. Megjithëse ISHP-ja ka bërë të ditur shtimin e numrit të fëmijëve që kanë marrë vaksinën antigrip, duket se parandalimi i gripit është bërë i pamundur. Mjekët këshillojnë që prindërit të mbajnë nën kontroll të vazhdueshëm fëmijët dhe nëse shohin gjendje të rënduar shëndetësore, të drejtohen menjëherë në qendrat shëndetësore. Sipas mjekëve, ndryshimi i menjëhershëm i motit si dhe luhatjet e vazhdueshme të temperaturave stimulojnë edhe më shumë shfaqjen e virozave të stinës. Në këto të fundit, përfshihen gjendja gripale, problemet shëndetësore si temperatura, problemet me stomakun, diarreja etj. Mjekët sqarojnë se trupi i njeriut është më i predispozuar për t’u prekur nga virozat e stinës gjatë ndryshimit të temperaturave dhe ndërrimit të stinëve.

Gripi, rreth 80 për qind e vdekjeve ndodhin mbi moshat 65 vjeç

Rreth 80 për qind e vdekjeve nga gripi ndodhin te pacientët me moshë mbi 65 vjeç. Përfaqësuesit e Shëndetësisë japin të dhëna për moshat më të prekura dhe mënyrat e mbrojtjes nga përhapja e virusit të gripit, ku më të rrezikuarit janë fëmijët dhe të moshuarit. Të moshuarit janë më të predispozuar për t’u prekur nga virusi, pasi kanë imunitet të dobët trupor dhe për këtë arsye kërkohet një përkujdesje më e lartë nga stafi shëndetësor. Stafi mjekësor që kujdeset për të moshuarit është i detyruar të kryejë vaksinimin në kohën e duhur, për të mos u bërë objekt i përhapjes së virusit nga mjeku te pacienti. Një pjesë e qytetarëve kanë marrë vaksinën antigrip, e cila gjendet në të gjitha farmacitë e vendit, por që tashmë nuk përbën më efekt. Vaksinimi i stafit mjekësor që punon me pacientët e moshuar për një kohë të gjatë redukton vdekshmërinë në masën 7 për qind, pavarësisht nëse pacientët janë të vaksinuar ose jo. Duke qenë se mjekët kanë kontakt të vazhdueshëm me pacientët që janë prekur ose jo nga virusi i gripit, ata kanë më tepër mundësi për ta përcjellë virusin nga një pacient te tjetri.

25 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›