E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimi për fundvitin, pensionistët në radhë për ta marrë sa më shpejt



Jonida Tashi

Tërheqja e shpërblimit prej 5 mijë lekësh me rastin e festave të fundvitit po mban të gozhduar në të ftohtë pensionistët. Megjithëse Posta Shqiptare këtë vit ka vënë në dispozicion më shumë sportele për shpërndarjen në kohë të të gjitha shpërblimeve, sërish në pikat e pensioneve në kryeqytet vihet re një fluks pensionistësh, që presin në radhë. Madje jo vetëm kaq, por ka edhe nga ata të moshuar që thonë se për të marrë shpërblimin duhet të presin me orë të tëra. Përballë kësaj situate, më me fat duket se janë pensionistët që e kanë marrë pensionin mujor nëpërmjet shërbimit postar. Këtë vit, Posta Shqiptare ka vendosur për të gjithë pensionistët që e marrin pensionin nëpërmjet postës, t’ua dërgojë falas në shtëpi shpërblimin prej 5 mijë lekësh. Në dy ditët e para të shpërndarjes së shpërblimit, Posta Shqiptare ka arritur të shpërndajë 150 mijë shpërblime për moshën e tretë.
Pakënaqësia
Prej datës 23, në të gjitha pikat e shpërndarjes së pensioneve ka filluar të ndahet edhe pagesa shtesë për festat e fundvitit. Por, dhurata e qeverisë për moshën e tretë nuk i ka kënaqur aspak këta të fundit. Ata thonë se shpërblimi prej 5 mijë lekësh është i pamjaftueshëm për nevojat e një familjeje dhe tryezën e festave. Përballë rritjes së çmimeve, fenomen me të cilin këtë vit u përballën të gjitha familjet shqiptare, pensionistët shprehen se me kaq para nuk blejnë dot as gjelin e detit. Për të dytin vit me radhë, me vendim qeverie, kategoria e moshës së tretë e dalë në pension, ka marrë për shpërblim në fund të vitit pagesën prej 5 mijë lekësh. Këtë vit ky shpërblim do të shpërndahet edhe për personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi si ushtarakë, punonjës të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Afati
Deri në datën 30 dhjetor të gjithë pensionistët në vend do të tërheqin në sportelet e postës shpërblimin e Vitit të Ri prej 5 mijë lekësh. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka shpërndarë pranë zyrave të Postës urdhërpagesat për shpërndarjen e këtij shpërblimi. Janë mbi 550 mijë pensionistë që do të përfitojnë këtë shpërblim. Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, ISSH-ja ka hartuar një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij. Sipas këtij grafiku, pensionistët do ta marrin pensionin në datën e caktuar, si dhe shpërblimin përkatës, ndërkohë që pas orës 13:00 do të jepet pensioni për ata pensionistë që u ka kaluar data e pensionit. Posta Shqiptare, këtë fundviti, ndryshe nga vitet e kaluara, përveç hapjes së më shumë sporteleve, ka vendosur që punonjësit të qëndrojnë deri në orën 20:00 të mbrëmjes në punë për shpërndarjen e shpërblimit.

Grafiku i shpërndarjes nga dita e sotme deri në datën 30

Ditën e sotme do të marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin mujor në datat 7, 8 dhe 9 dhjetor
Në 26 dhjetor do ta marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin mujor në datat 10, 11 dhe 12 dhjetor
Në 27 dhjetor do ta marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin mujor në datat 13, 14 dhe 15 dhjetor
Në 28 dhjetor do ta marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin mujor në datat 16, 17 dhe 18 dhjetor
Në 29 dhjetor do ta marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin mujor në datat 19 dhe 20 dhjetor
Në 30 dhjetor do ta marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin mujor në datat 21 dhe 22 dhjetor

25 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›