Dyqanet e rrobave afishojnë çmime false në tabelat e "okazioneve" dhe të “skontove”
Dyqanet e rrobave, të ashtuquajtura “butikë”, duket se ia kanë gjetur “ilaçin” krizës ekonomike. Në çdo mënyrë këto subjekte ruajnë fitimet e thata edhe pse vitrinat e tyre janë gjithmonë të mbushura me tabela mashtruese që tregojnë skonto që nisin nga 20-80 për qind. Në të gjitha dyqanet e kryeqytetit këto ditë janë afishuar me shkronja të mëdha “ofertat speciale”, të cilat i ftojnë klientët për të blerë sa më shumë dhurata. Por po të futesh brenda këtyre dyqaneve dhe të shikosh me kujdes, rezulton se kjo është vetëm një joshje e rreme sa për t'i futur klientët brenda. Asgjë nga ato "ulje drastike", apo "blini lirë se malli likuidohet" nuk janë aspak të vërteta. Madje jo vetëm që nuk ka asnjë ulje, por çmimet janë edhe shumë herë më të larta në këtë prag Viti të Ri. Kështu, në “butikët” e rrugës "Myslym Shyri", një bluzë mund ta gjesh me 110 euro, një pallto mund ta gjesh deri në 280 euro, një palë këpucë deri 120 euro dhe një çantë deri në 200 euro dhe këto janë çmimet normale. Duket qartë se këtu jo vetëm që nuk mund të bëhet fjalë për ulje çmimesh, por çmime të tilla sigurisht mund t'i gjesh vetëm nëpër rrugët e Milanos, Athinës, Parisit dhe Romës. Sigurisht që ata edhe mund t'ia lejojnë vetes një luks të tillë, por për banorët e metropolit shqiptar ku rroga mesatare është 20-30 mijë lekë kjo është paradoks. Dhe nëse shifrës së kripur të çmimit i shtojmë edhe “seriozitetin” e markës së prodhimit të falsifikuar nga “mjeshtrit” kinezë, kjo konsiderohet “një futje në katror”. Me ulje çmimi janë vetëm disa veshje vere, që mund të kenë nja dy apo tri vjet që qëndrojnë nëpër magazinat e dyqaneve, dhe jo ato që kanë hyrë gjatë këtij sezoni. Kështu, është më mirë të mendosh që tani për tani të qëndrosh larg këtyre dyqaneve dhe të reduktosh shpenzimet për festa.
Fishekzjarrë për Vitin e Ri, edhe “armët” argëtuese futen në krizë
Atmosfera festive e fundvitit duket se këtë herë do të jetë më pak e zhurmshme. Kjo gjë është parë këtë vit, ku në ndryshim nga fundviti 2007, qytetarët kanë shpëtuar nga plasjet e papritura të shashkave dhe fishekzjarrëve zhurmë-bërës. Kriza ekonomike i ka bërë shqiptarët të mendohen dy herë për çdo blerje që bëjnë dhe për çdo monedhë që nxjerrin nga xhepat e tyre. Ky është shkaku kryesor i kësaj qetësie. Statistikat më të fundit nga administrata doganore raportojnë për një nivel importi vetëm prej rreth 430 tonë fishekzjarrësh që kanë hyrë në tregun vendas. Në krahasim me vitin e kaluar vihet re një rënie dyfish e importit të fishekzjarrëve, edhe pse nga të dhënat statistikore të importit, shqiptarët vazhdojnë të mbeten konsumatorë të mëdhenj të fishekzjarrëve. Të dhënat u referohen muajve tetor-nëntor dhe 10-ditëshit të parë të dhjetorit. Ashtu si në vitet e kaluara, origjina e produkteve me lëndë të parë barutin është Kina, ndërsa vend transitor vazhdon të mbetet Maqedonia. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në vendin tonë kanë hyrë një sasi prej rreth 100 tonë fishekzjarrësh dhe afro 330 tonë pluhur dhe lëndë plasëse. Sikundër shihet nga të dhënat, në 2008-n niveli i tregtimit të këtyre produkteve është i ulët, e ndikuar ndoshta edhe nga kontrollet e rrepta të autoriteteve doganore. Kur kanë mbetur edhe 10 ditë nga mbyllja e vitit, prezenca e fishekzjarrëve është e pakët, kur në fakt veshët tanë ishin mësuar me plasje nga më të fuqishmet, të cilat nisin që në mesin e muajit nëntor.
25 Dhjetor 2008