Festat, nis rritja e lehtë e çmimeve të fruta-perimeve, por bien blerësit
Ervin Koçi
Për herë të parë këtë vit shqiptarët kanë qenë të detyruar që të heqin dorë nga shpenzimet e tepërta për festat e fundvitit. Edhe pse çmimet nuk janë rritur në krahasim me ritmin e një viti më parë, përsëri frika për të mos e tepruar me shpenzimet, pasi pritet një vit edhe më i vështirë, i ka detyruar konsumatorët e zakonshëm që të mbledhin dorën. Nga ana tjetër, me gjithë mbajtjen e çmimeve në një normë konstante, tregtarët thonë se blerjet këtë vit kanë rënë së tepërmi. Ata vërejnë te konsumatorët stepje në blerje për shkak të pamundësisë për të bërë shpenzime të tepruara, që zakonisht janë bërë në mbyllje të vitit. Kjo mënyrë e re sjelljeje e konsumatorëve shqiptarë është reflektuar edhe te çmimet që këto ditë festash kanë pësuar vetëm një rritje të lehtë. Përgjithësisht në tregun bujqësor të këtyre ditëve, si rrallëherë, ka dominuar prodhimi vendas. Kjo sipas tregtarëve është një tjetër arsye që ka frenuar rritjen e shpejtë të çmimeve. Importi, sipas tyre, është diktuar edhe nga kriza, ku tregtarët janë më të pasigurt në blerje.
Zhgënjimi i tregtarëve
Më të zhgënjyer nga festat e këtij fundviti duket të jenë tregtarët, kjo jo vetëm në kryeqytet, por edhe në rrethe të ndryshme të vendit. Edhe pse shprehen se nuk i kanë rritur çmimet, vizitorët e tezgave të tyre kanë qenë më të paktë se vitet e kaluara. Në Vlorë qytetarët thonë se “nuk do ta kenë ashtu siç dëshironin tryezën e fundvitit për shkak të çmimeve të kripura, ndërsa tregtarët thonë se as ulja e çmimeve nuk i ka joshur konsumatorët”. Në Korçë rënia e fuqisë blerëse është ndjerë që në fillim të muajit, çka sipas tregtarëve paralajmëroi një fundvit jo edhe aq të mbarë për aktivitetin e tyre. Pavarësisht kësaj, ata nuk kanë ngurruar të rrisin çmimet e disa produkteve. Në Durrës konstatohet ndërkohë edhe rritja më e madhe e çmimeve. Qytetarët ankohen se ato kanë ndryshuar brenda pak ditësh. Rritja e çmimeve më tepër ka prekur fruta-perimet, që si çdo vit luhaten me një trend rritës pikërisht në ditët e fundit të vitit. Kjo gjë tashmë nuk është e re për shqiptarët, pasi kështu ndodh çdo fundviti.
Rritja vijon
Sipas vëzhgimit, në tregjet e ndryshme të Tiranës, e sidomos në atë "Avni Rustemi", rreth 87 për qind e perimeve dhe gati të gjitha frutat kanë pësuar rritje (krahasuar me ato të një jave më parë), ndërkohë që një rritje tjetër kanë pësuar edhe gjatë kësaj jave. Në të gjithë këtë mesele, si gjithmonë është konsumatori ai që e paguan, në një kohë që shteti mjaftohet vetëm me bërjen publike të listës së çmimeve, por pa marrë asnjë masë ndëshkuese për abuzuesit. Kështu, në top-listën e çmimeve është një kg rrush, që kushton 250 lekë nga 150 që ishte javën e kaluar dhe po kaq edhe trangulli. Sipas statistikave trangulli është rritur me 41 lekë/kg, domatja me 24 lekë/kg, lulelakra me 34 lekë/kg, sallata me 21 lekë/kg etj. Aktualisht çmimi i një kg ullinj varion nga 100-300 lekë (në varësi të cilësisë), një kg domate 100 lekë (ndërsa ato që janë të vogla, si qershi, kushtojnë 600 lekë), trangulli 200 lekë, karotat kushtojnë 120 lekë, lulelakra 200 lekë, sallata jeshile 150 lekë, kungulli 250 lekë, portokallet 120 lekë, limonët, dardhat, ftonjtë, mollët dhe kivi kushtojnë nga 80-150 lekë. Ndërsa vetëm një javë më parë një kg domate ka kushtuar mesatarisht 74 lekë, trangulli 176 lekë, karotat 72 lekë, lulelakra 84 lekë, sallata jeshile 97 lekë, kungulli 180 lekë, portokallet 93 lekë, limonët 127 lekë, dardhat 135 lekë, mollët 96 lekë.
Faji për çmimet e rritura, një lojë midis pakicë-shumicës
Sa herë që përballemi me rritje çmimesh për festat e fundvitit, tregtarët e pakicës akuzojnë ata të shumicës për rritjen dhe këta të fundit bëjnë po të njëjtën gjë, por anasjelltas. Në këtë mes të dyja palët dalin të fituara dhe ata që e paguajnë janë konsumatorët. "Nuk i rrisim ne çmimet, por janë tregtarët e shumicës që e bëjnë një gjë të tillë",- thonë gjithmonë tregtarët e tezgave. Ndërkohë, grosistët herë nuk e pranojnë atë gjë e herë ua lënë fajin tregtarëve të pakicës ose taksave dhe doganës. Por le të shohim se sa kushtojnë për tregtarët e pakicës të njëjtat produkte që ata ua shesin konsumatorëve shqiptarë. Sipas statistikave nga Ministria e Bujqësisë, një kg domate që ka dalë në treg me 100 lekë, shumica e ka shitur me 76 lekë, trangulli që ka dalë në treg me 250 lekë, shumica e ka shitur me 144 lekë, lulelakra që në treg e gjejmë me 200 lekë, shumica e ka shitur me 100 lekë, sallata jeshile në shumicë ka qenë 60 lekë, kungulli 250 lekë në tregun e pakicës dhe 150 lekë në atë të shumicës, portokallet 90 lekë në të pakicës dhe 57 në të shumicës, limonët 140 lekë me pakicë dhe 65 lekë me shumicë dhe mollët 100 lekë me pakicë merren 58 lekë me shumicë. Duket qartë që për pak metra rrugë, çmimet nga tregu i shumicës në atë të pakicës pësojnë goxha rritje dhe këtë e ndien xhepi i konsumatorit.
Artikulli Çmimi i pakicës Çmimi i shumicës
Domate 100 lekë/kg 44 lekë/kg
Trangulli 230 lekë/kg 144 lekë/kg
Karotat 100 lekë/kg 50 lekë/kg
Lulelakra 200 lekë/kg 100 lekë/kg
Sallata jeshile 120 lekë/kg 60 lekë/kg
Kungulli 250 lekë/kg 127 lekë/kg
Portokallet 110 lekë /kg 50 lekë/kg
Limonët 140 lekë/kg 65 lekë/kg
Mollët 120 lekë/kg 45 lekë/kg
Rrushi 240 lekë/kg 150 lekë/kg
25 Dhjetor 2008