Universiteti i Vlorës: Jo më maturantë me mesatare nën 6.00
Në vitin akademik 2009-2010, në Universitetin e Vlorës "Ismail Qemali", nuk do të pranohet asnjë maturant kandidat për student, që do të ketë mesataren e shkollës së mesme nën 6.00. Vendimi i përket senatit të universitetit, i cili duke gjetur një shteg të lirë në ligjin për arsimin e lartë, ka ndërmarrë një hap të tillë. Rektori i Universitetit, Tanush Shaska, tha se për këtë vendim ka njoftuar Ministrinë e Arsimit.
Ministria e Arsimit ka mohuar të jetë në dijeni të një fakti të tillë, ndërkohë që Universiteti i Vlorës duhet të kishte njoftuar MASH-in për ndryshimin, të paktën një vit më parë. Elida Hoxha, drejtoreshë e politikave të arsimit të lartë në MASH, tha se në tavolinën e saj nuk është paraqitur një kërkesë e tillë, ndërkohë që po afron data e fillimit të procesit të pranimeve në universitete.
Universiteti i Vlorës vendos të mos futen në provime studentët që nuk kanë aktivizuar e-mail-in e universitetit. Njoftimi është bërë i ditur nëpërmjet faqes elektronike të universitetit. Studentëve u është lënë afat 10 ditë për të kryer një veprim të tillë, në të kundërt duhet t'u thonë lamtumirë provimeve. Po kështu, nuk do të futen në provime studentët që nuk kanë me vete, gjatë kohës së testimit, mjet identifikimi (pasaportë ose kartë identiteti).
Në vitin e ri akademik, Universiteti i Vlorës ka vendosur të vërë në zbatim projektimin e punësimit për studentët, të cilët janë në vështirësi ekonomike dhe për pasojë kanë vështirësi në pagimin e taksës shkollore. Në bazë të informacioneve që disponon gazeta "Shekulli", në Universitetin e Vlorës janë, të paktën, 150 studentë, të cilët nuk kanë paguar ende taksën shkollore dhe të cilëve u është lënë edhe një afat i fundit, përpara fillimit të sezonit, për shlyerjen e detyrimeve.
Intervista: Rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, shpjegon disa nga vendimet e fundit të marra nga senati
Në fillimet e punës së tij si rektor, propozoi heqjen e emrit "Ismail Qemali" nga ballina e Universitetit të Vlorës, ndërsa tashmë ka vendosur të mos pranojë të ulet në auditorët e universitetit që drejton, asnjë maturant me mesatare të shkollës së mesme nën 6.00. Dhe kështu do të jetë.
Në vitin akademik 2009-2010, asnjë maturant që nuk plotëson kriterin e mësipërm të mesatares, nuk duhet ta marrë mundimin për t'u pranuar në Universitetin e Vlorës. Tanush Shaska, i njohur mirëfilltaz edhe si rektori i dorës së fortë, shpjegon në një intervistë të dhënë për gazetën "Shekulli", arsyet e një vendimi të tillë dhe një sërë idesh të tjera, që priten të sjellin ndryshime rrënjësore në funksionimin e Universitetit të Vlorës.
Z. Shaska, Universiteti i Vlorës vendosi që të mos pranojë në vitin e parë akademik, asnjë student me mesatare të shkollës së mesme nën 6.00. A është kjo një shkelje e sistemit "Meritë-Preferencë" të pranimeve në universitetet publike?
Në ligjin për Arsimin e Lartë ka një hapësirë edhe për vetë universitetet, ku thuhet që Ministria e Arsimit organizon pranimin në universitete, por universitetet kanë të drejtë të aplikojnë vendimet shtesë.
Vjet, në muajin maj është marrë një vendim nga senati i universitetit, që për pranimet në universitetin tonë të vendoset kriteri i mesatares, dhe të jetë nota 6.00. Ne e kishim për detyrë që ta bënim publike, që, maturantët ta dinë cilat ishin kushtet.
Nga ana ligjore mendoj se jemi në rregull, pra nuk ka shkelje. Nga ana akademike ka ndoshta diskutime të tjera. Se çfarë efekti do ketë kjo në numrin e studentëve, apo në cilësinë, kjo do të duket në muajin tetor.
Për këtë vendim kemi vënë në dijeni edhe Ministrinë e Arsimit.
Keni pasur reagime që kundërshtojnë vendimin dhe mendoni se ky hap mund të sjellë reduktimin e numrit të studentëve?
Tek ne nuk ka pasur reagime. Madje reagimet që kanë ardhur nga prindër dhe qytetarë kanë qenë mjaft pozitive. Opinioni ka reaguar duke e mirëpritur. Realisht ne kemi mundësi ta aplikojmë, pasi kërkesat për të vijuar studimet në Universitetin e Vlorës, kanë qenë gjithmonë më të mëdha se numri që mund të përballohet, dhe kur ke kërkesa më të mëdha, ke dhe të drejtë të zgjedhësh.
Ne po përpiqemi që Universiteti i Vlorës të bëhet nga më cilësorët në Shqipëri dhe cilësia është prioriteti ynë. Ky ka qenë edhe synimi për kriterin e vendosur. Kemi vënë re se maturantët që vijnë kanë vështirësi të shumta vitin e parë dhe ky vendim do të kontribuojë për të rritur cilësinë e universitetit.
Universiteti i Vlorës ka publikuar një listë me studentë, të cilët nuk kanë paguar taksën shkollore dhe, si të tillë, nuk do të hyjnë në provime. Si qëndron problemi me këta studentë?
Po, kanë qenë rreth 1 mijë studentë, të cilët ishin paralajmëruar se do të përjashtoheshin nga dhënia e provimeve, nëse nuk do të shlyenin taksën shkollore.
Aktualisht, shumica e këtyre studentëve, pas thirrjes që bëmë, e kanë paguar taksën vjetore dhe tani janë edhe rreth 150 studentë, të cilët nuk e kanë shlyer detyrimin shkollor.
Aktualisht dhe ligjërisht, ata duhet të ndërpresin shkollën derisa të kryejnë pagesat. Ne kemi bërë disa tolerime, pasi ata duhet të kishin paguar taksën që nga fillimi i vitit. Nëse ata do të vazhdojnë të mos paguajnë taksën, atëherë nuk do t'u njihet nota në provime, transkripti, deri sa të shlyejnë të gjitha detyrimet.
A keni informacione, përse nuk janë kryer këto pagesa? Si veproni në rastet kur mosshlyerja e detyrimeve shkollore ndikohet nga vështirësitë ekonomike?
Universiteti nuk ka të drejtë të përjashtojë dikë nga tarifat, pasi kjo quhet shkelje. Për vitin e ardhshëm, ne do të zbatojmë një sistem që do t'i referohet nivelit Meritë. Për këtë ne mendojmë që të vendosim një sistem që, studentë të caktuar, të kenë bursë apo avantazh financiar.
Mendojmë të vendosim edhe një program, ku universiteti ka mjaft punë të dyta, të vogla, dezhurn, sekretari, ku mendojmë të punësojmë disa nga studentët tanë, si ata që kanë rezultate, të lejohen të punojnë deri në 15 orë në javë, kundrejt një pagese të caktuar. Këto janë gjëra që në Shqipëri nuk janë aplikuar më parë, por ne do t'i propozojmë senatit dhe do të kërkojmë aprovimin e ministrisë për këtë.
Universiteti i Vlorës, nis puna për kampusin e ri
Senati i Universitetit të Vlorës ka rënë dakord parimisht për ngritjen e Kampusit të ri Universitar, i cili është menduar të ngrihet në fshatin Akërni pranë qytetit.
Rektori Tanush Shaska e motivon ngritjen e kampusit të ri me nevojën për zgjerim që ka universiteti, pas shtimit të numrit të studentëve dhe diplomave. Aktualisht, Universiteti i Vlorës ka rreth 15 mijë studentë.
Projekti, i cili do të zbatohet në një sipërfaqe prej 113 ha, mendohet të jetë nga më të mëdhenjtë në Ballkan. Ai është menduar si një projekt 10-vjeçar, dhe nëse grupet e interesit bien dakord, në shtator të vitit 2010, pritet që kampusi të fillojë nga puna. "Projekti është shumë ambicioz.
Ne nuk i kemi të gjitha fondet, por fillesën e kemi me fonde të brendshme. Ne kemi marrë kontakt me organizma ndërkombëtarë, jemi të bindur se edhe qeveria do të japë kontributin e saj dhe çdo gjë do shkojë në rrugën e duhur", - tha rektori Shaska. Kapaciteti i Kampusit të ri Universitar parashikohet të jetë rreth 40 mijë studentë, ndërsa mendohen të forcohen degët ekonomike.
Kuotat e pranimit në universitete rriten me 10 për qind
Kuotat e pranimeve në institucionet e arsimit të lartë publik do të pësojnë rritje nga viti i kaluar. Me gjithë numrin e kufizuar të auditorëve, burime pranë MASH-it, informuan për gazetën "Shekulli" se, edhe këtë vit, numri i studentëve që ulen për herë të parë në auditorë, do të rritet me rreth 10 për qind, e thënë ndryshe, në universitete do të kemi 2 mijë studentë më shumë se vitin e kaluar.
Lajmi konfirmohet edhe nga drejtoresha për politikat e arsimit të lartë në MASH, Elida Hoxha, e cila ka pranuar se është rënë parimisht dakord për ngritjen e kuotave të pranimit, për vitin akademik 2009-2010.
Megjithëse nuk ka cituar përqindje për masën e rritjes së kuotave të pranimit, znj. Hoxha tha po bisedohet me grupet e interesit dhe se aktualisht ka marrë të gjitha propozimet përkatëse nga rektoratet e universiteteve publike.
Fjala e fundit i mbetet Këshillit të Ministrave, i cili në muajin korrik, fill pas përfundimit të Maturës Shtetërore, do të përcaktojë kuotat përfundimtare të pranimit në institucionet e arsimit të lartë publik, në vitin akademik 2009-2010