E Shtunë, 31 Tetor 2026

E sëmura mendore godet me thikë të atin

GRAMSH/ S.Salla, 27 vjeçe, ka marrë thikën e kuzhinës teksa i ati ishte në gjumë dhe ka tentuar që ta vrasë


Të afërmit nuk japin asnjë shkak për reagimin e dhunshëm të vajzës duke e justifikuar gjithçka me sëmundjen


GRAMSH - Vajza 27-vjeçare tenton të therë me thikë të atin, por fatmirësisht i rrëshqet dora duke bërë që plagosja e babait të mos jetë shumë e rëndë.


Selvije Salla është dërguar dje në spitalin psikiatrik të Elbasanit, ndërkohë që policia po heton lidhur me ngjarjen, si dhe me shkaqet që çuan në reagimin keq të vajzës, e cila vuante nga probleme mendore.


Burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se 27-vjeçarja kishte pasur edhe më parë reagime të dhunshme, por jo deri në sulme ndaj familjarëve të saj.


Ngjarja


Dylber Salla ka përfunduar dje në spital pasi është goditur nga e bija me thikë gjatë natës. 65-vjeçari me banim në fshatin Lubinjë është dërguar me urgjencë në spital nga pjesëtarët e tjerë të familjes. Burri u godit nga vajza e tij 27-vjeçare me thikën e guzhinës. Mësohet se ai ishte në gjumë kur e bija është ngritur duke marrë thikën dhe e ka sulmuar të atin.


Por fatmirësisht thika ka rrëshqitur dhe Dylberi është prerë vetëm në pjesën e lëkurës, pa prekur venat e gjakut. Me anë të një mjeti të rastit, 65-vjeçari është dërguar menjëherë nga familjarët në spitalin e Gramshit. Aty ai ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Doktorët që i mjekuan plagën u shprehën se gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.


Policia


Sapo është mësuar ngjarja efektiva blu kanë mbërritur në shtëpinë e Sallës ku kanë gjetur në një gjendje kritike vajzën 27-vjeçare. Sipas policisë, gjendja e saj ishte e turbullt dhe, sipas familjarëve, ajo vuan nga probleme mendore. Kjo e ka ndërlikuar punën e policisë për të mësuar arsyen mbi ngjarjen.


Aktualisht, nuk deklarohet ndonjë shkak, vetëm një raktus i momentit për shkak të gjendjes mendore. Familjarët thonë se vajza nuk ishte agresive, por ka pasur raste edhe që ka reaguar mjaft keq. Policia bëri shoqërimin e vajzës në spitalin psikiatrik të Elbasanit. Vetë babai nuk ka deklaruar ndonjë shkak që ka sjellë reagimin vrasës së të bijës.


Ai thotë vetëm se ka shpëtuar për mrekulli, pasi thika ka rrëshqitur në të kundërt nuk do ishte më në jetë. Ndërkohë, nga hetimet e mëtejshme, burimet zyrtare shprehen se vajza në rastet e mëparshme shoqërohej në spitalin psikiatrik ku merrte mjekimin përkatës për problemet e saj dhe më pas kthehej në shtëpi.


Shoqërimet e saj bëheshin në kohën që ajo bëhej e dhunshme e reagonte keq. Duket se edhe nxehja e motit ka ndikuar negativisht në gjendjen e saj, të paktën për aq kohë sa familjarët nuk japin një motiv tjetër për të cilin 27-vjeçarja mund të jetë acaruar për të përdorur thikën dhe për t'i hequr jetën të atit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›