RENEA kap Astrit Bushin, kërkohej në spanjë
Në 3 minuta, efektivët e forcave speciale arrestojnë të fortin e Laçit në tentativë për tu arratisur
Dyshohet për vrasjen e specialit Altin Balozi dhe grabitje biznesmenësh në Spanjë
TIRANE- RENEA arreston në Laç Astrit Bushin, një nga personat më të kërkuar nga Policia e Shtetit që prej vitit 2001, i cilësuar si një nga më të fortët e zonës si dhe një nga personat më të njohur për veprimtarinë e dyshuar kriminale të tij jashtë vendit si në Australi, Spanjë etj.
Por më tepër se këto krime jashtë vendit që kanë të bëjnë sipas policisë me akuza të grabitjes, ndaj tij më së shumti në Shqipëri rëndon dyshimi i vrasjes së efektivit të Policisë, Altin Balozi, në vitin 2001, si dhe disa krime të tjera. Bushi, 31 vjeç, nga Laçi, është arrestuar nga efektivët e RENEA-s në prani të kolegëve spanjollë, në një operacion të koduar spanjisht "Abrusto".
I përkthyer në shqip është mbiemri i të arrestuatrit dhe i një bime që rritet në vendin tonë. Bushi është arrestuar dje në mëngjes rreth orës 04:00, nga një grup special i oficerëve dhe trupave të RENEA-s të specializuar për ndërhyrje ekstremisht të vështira.
Vetëm 3 minuta, iu janë dashur efektivëve të RENEA- s të ndërhyjnë për të prangosur atë që renditej në listën e personave më të kërkuar nga Policia vendase dhe ajo spanjolle. "Nis ndërhyrja,- është dëgjuar rreth orës 04:25 minuta të mëngjesit të djeshëm në kufjet e efektivëve të RENEA-s.
Kur ende tri minutat nuk kishin përfunduar, zëri i drejtuesit të operacionit është dëgjuar në kufjet e efektivëve specialë dhe përfaqësuesve të lartë të Policisë së Shtetit, që kishin mbërritur në qytetin e Laçit për operacionin surprizë.
Bushi, tentoi të arratisej gjatë operacionit duke u ngjitur në murin e shtëpisë së tij që e ndante me fqinjin por aty u mbërthye nga dy njerëz me kapuçë të zinj dhe me uniforma të zeza, teksa u dëgjua zëri i tyre: Ndal RENEA. Ndoshta lehja e një qeni, apo një hije zhurme, i zgjuan instiktin në veshin e mprehtë se persona të padëshiruar kishte si bujtës, por këtë herë siç ua tha edhe vetë trupave speciale s'pati fat.
"Nuk e kisha të vështirë të ikja nga Spanja, dhe vende të tjera, por këtu nuk arrita,- ka pohuar pas arrestimit Bushi, duke aluduar për arratisjen spektakolare të tij nga një burg i Barcelonës si të qe një qytetar fare i thjeshtë.
Kur përfundimi i operacionit iu është komunikuar përfaqësuesve të policisë spanjolle që ndodheshin bashkë me kolegët e tyre shqiptarë në ndjekje të veprimeve, fillimisht nuk është besuar ndërsa kur kanë parë njeriun me pranga në duar kanë mbetur të shtangur.
Një efektiv i forcave speciale të RENEA-s, pohoi dje në mesditë pak orë pas ndërhyrjes se në të vërtetë spanjollët u surprizuan tepër nga ndërhyrja e trupave elitë të Policisë Shqiptare.
Arrestimi
Sipas burimeve të policisë, Astrit Bushi, i kërkuar në Spanjë si një legjendë i librave të verdhë, kishte pak ditë që kishte mbërritur në Shqipëri.
Një zot e di se ku e nga ka hyrë. Por burimet thonë se ky ka qenë një kombinacion i Interpolit, policisë spanjolle e asaj shqiptare. Pak kohë dy njerëz tepër të besuar e kanë mbajtur në vëzhgim Bushin, i cili lëvizte me një automjet Mercedez- Benz, me targa të Laçit dhe një BMË, me targa të huaja.
Mjetet ndërroheshin sipas situatës dhe lëvizjeve që duhej të kryente i kërkuari, kjo me qëllim për t'iu shpëtuar syve të policisë. Në mbrëmje ai ka hyrë në banesë në fund të pjesë së parë të ndeshjes Shqipëri- Portugali, ndërsa në mesditë RENEA, anulloi një ndërhyrje të saj në një lokal në qytet, ku ishte programuar ndërhyrje.
Kjo pasi i kërkuari vetëm sa u përshëndet me një mikun e tij dhe ndërroi BMW-në me Mercedez- in, ndërsa shoqërohej nga një kushëri i tij në timon. Në mesnatë është kryer ndërhyrja, ndërsa për ironi të veprimit autentik, dikush është shprehur më parë se u bë arrestimi se u dha urdhri.
Pas ndalimit të tij, Astrit Bushi, është përcjellë me masa të rrepta sigurie për në dhomat e paraburgimit të policisë së Tiranës, ndërsa një Prokuror i Krimeve të Rënda një oficer spanjoll dhe specialistë të hetimit e kanë pyetur të arrestuarin për krimet që ata dyshojnë ndaj tij.
Gjatë ndalimit, policia i bllokoi Bushit, një armë pistoletë "Lucier", prodhim çek 9 mm, me 14 fishekë si dhe sende që sipas policisë mund të jenë grabitur gjatë kohës së qëndrimit të tij në Spanjë. I gjithë operacioni është mbikëqyrur nga përfaqësues të "Guardia Civil" të Mbretërisë së Spanjës.
Rrëfimi i efektivit të RENEA për "Shekullin" për operacionin e djeshëm në Laç
"Në 3 minuta, i dhamë fund, ndërsa ai tentoi arratinë"
TIRANE- Një nga efektivët e RENEA-s, pjesëmarrës në operacionin e djeshëm, ka rrëfyer për "Shekullin", disa prej momenteve më kulminante të operacionit të djeshëm duke rrëfyer detaje të një operacioni që spanjollët nuk kanë ngurruar ta quajnë të arrirë.
Efektivi i cili nuk pranon të identifikohet me emër për shkak të natyrës së operacioneve, ka pohuar se operacioni i djeshëm ishte përgatitur dhe llogaritur për një shkallë rrezikshmërie tepër të lartë, nisur nga "dhuratat" që i kishte bërë policisë spanjolle pak muaj më parë njeriu pamja e të cilit ishte e ndryshme nga ajo që kishte policia vendase, ndërsa ai ka tentuar pa sukses edhe këtë herë të arratisej.
Si nisi operacioni i djeshëm ?
Së pari, më lejoni të them se operacioni nuk ka nisur dje. Është një operacion i shtrirë në shkallë të gjërë dhe nga sa kam dëgjuar, të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të Policisë së Mbretërisë së Spanjës, çka do të thotë se ka disa ditë që ka nisur.
Dje ai u përfundua. Të shtunën në mesditë ne na kërkuan për një ndërhyrje urgjente që duhej të kryenim dhe menjëherë jemi nisur në drejtim të Veriut. Kur kemi mbërritur në Laç kemi ndaluar aty, por nuk na thanë objektin e ndërhyrjes sipas rregullit tonë.
Fillimisht kemi qëndruar në afërsi të një lokali, kur na thanë se do të ndërhynim, por më pas na thanë jo. Në mbrëmje na urdhëruan të ngrinim disa pika kontrolli dhe kështu bëmë duke kryer veprime të tilla.
Tentoi të arratisej
Po ai tentoi një veprim të tillë, ndoshta duke qenë se tipa të tillë kanë veshët të mprehtë dhe nuk iu shpëton dot asgjë, pak pas nisjes së operacionit, u hodh mbi mur për të kaluar tek një fqinj ku ndodheshin trupat tanë, ku edhe u kap.
Kur u lokalizua objekti ku do të ndërhyhej ?
Objekti ishte lokalizuar me kohë, por pritej miratimi drejtuesve për ndërhyrje. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes siç morëm vesh më vonë, personi kishte hyrë në një banesë që morëm vesh se ishte e tij, që ndodhej në një rrugë pranë stacionit të trenit, fare pranë një rruge hyrje të qytetit të Laçit në Veriperëndim të tij. Gjatë kësaj kohe, janë kryer disa kontrolle të grupeve tona në qytet.
Ndërkaq rreth orës 04:15, në pak minuta, është kryer edhe rrethimit i disa banesave, për shkak se banesa e tij ishte në mes shumë shtëpive dhe kjo mund të shfrytëzohej nga ai për t'u larguar sërish.
Kur nisët operacionin dhe sa zgjati ?
Ka qenë një nga operacionet tona më të shpejta. Pasi kishim rrethuar të gjithë zonën, në orën 04:25 të mëgjesit kur ende ishte errësirë, dëgjuam në kufjet tona në vesh: Gati për ndërhyrje dhe më pas u dha urdhri. Kur kishte më tepër se 2 minuta e pak nga ndërhyrja dëgjuam një zhurmë kërcimi mbi mur, ndërsa një nga kolegët thirri: ndal RENEA, je i arrestuar.
Kaq ishte i gjithë operacioni, eprorëve iu komunikuam fundin e operacionit ndërsa spanjollët nuk po besonin se qe kryer gjithçka. Më vonë na përgëzuan për veprimin tonë.
Astrit Bushi,
Nga vrasja e Balozit tek arratia nga superburgu i Barcelonës
Astrit Bushi, është i kërkuar nga policia Shqiptare që prej vitit 2001, kur në qytetin e Laçit, mbeti i vrarë efektivi i forcave speciale Altin Balozi, asokohe vetëm 25 vjeç ndërsa tashmë "Dëshmor i Atdheut".
Për këtë krim, policia dhe drejtësia kanë akuzuar Astrit Bushin, i cili dyshohet se ka kryer krimin ndaj Balozit në shenjë hakmarrjeje pasi ai dyshonte se Balozi ishte një nga personat që kishte keqtrajtuar të vëllanë në Komisariatin e Policisë së Laçit.
Gjatë asaj kohe, efektivi i FNSH-së së Laçit, kishte kërkuar disa herë mbrojtje për shkak të paralajmërimeve dhe kërcënimeve që kishte marrë sipas tij.
Pavarësisht kësaj, askush nuk i dha rëndësi kërkesës për ndihmë ndërsa Balozi u ekzekutua kur kthehej në shtëpi. Për këtë krim ai nuk u dënua për mungesë provash ndërsa për falsifikim dokumentesh dhe armëmbajtje pa leje ai u dënua me dy vite e gjashtë muaj burg.
Pas kësaj ngjarjeje Bushi, la vendin pasi qe kthyer në supër të kërkuarin e policisë, duke u strehuar jashtë. Pak vjet më parë, Bushi u arrestua në Australi, por u ekstradua në Spanjë ku kërkohej për disa krime grabitjeje të biznesmenëve të ndryshëm apo banesash.
Pak muaj më parë, ai arriti të largohej nga burgu, si qytetar normal megjithëse ishte në gjendje arresti dhe pritej të merrej në pyetje. Gjatë kësaj kohe ai besohet se kishte qëndruar në Itali ndërsa Interpoli spanjoll i ka qëndruar pranë atij, sipas burimeve thuajse në çdo kohë në pritje për ta arrestuar.