Ndërron jetë në det 62-vjeçari
TEMPERATURAT/ Rrok Kocaj dyshohet që të ketë pësuar një atak kardiak teksa është futur në det në mesditë
SHKODËR - Një 62-vjeçar humbi jetën dje në plazhin e Velipojës, teksa u fut në ujë për t'u larë. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se Rrok Kocaj, me banin në fshatin Grudë e Re në Shkodër, ka ndërruar jetë mesditën e së dielës, duke shënuar kështu edhe viktimën e parë të këtij sezoni turistik në Velipojë.
62-vjeçari ishte nisur familjarisht për të kaluar fundjavën në plazh, ku kanë mbërritur që në mëngjes. Në kohën e drekës, teksa pjesëtarët e tjerë të familjes janë mbledhur për të ngrënë drekën, Kocaj është shprehur se do të hynte edhe një herë në det për t'u larë e më pas do t'iu bashkohej atyre.
Por, ndërsa kanë pritur njëfarë kohe, familjarët e 62-vjeçarit janë shqetësuar sepse kryefamiljari nuk ka mbërritur. Kjo ka bërë që ata të dalin në kërkim të tij përgjatë bregdetit, por pa mundur ta shohin.
Trupi i 62-vjeçarit është nxjerrë nga uji pak më pas. Mësohet se fillimisht është menduar se Kocaj ishte gjallë dhe i është dhënë ndihma e parë.
Moshapja zyrtare e sezonit turistik në plazhin e Velipojës ka çuar edhe në mungesën e shërbimit shëndetësor dhe si rrjedhojë kryefamiljari është dërguar në një pikë shërbimi shëndetësor privat, ku mjeku vetëm sa ka konstatuar se 62-vjeçari kishte vdekur.
Mendohet se si shkak i vdekjes ka qenë një atak kardiak i shkaktuar nga temperaturat e larta, si dhe kontakti me ujin e detit. Megjithatë, pritet ende autopsia.