E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prita u zu në pritë, prokuroria nis hetimet për masakrën e Durrësit



Prokuroria e Krimeve të Rënda do të ketë objekt të hetimeve të saj dhe parregullsitë, në mos dekonspirimin e aksionit për kapjen e Dritan Dajtit. Masakra e Durrësit duket se nuk do të ketë në qendër të hetimeve vetëm Dritan Dajtin dhe miqtë e tij, të cilët, gjatë aksionit të policisë për kapjen e tyre ditën e premte, vranë katër punonjës policie. Pikërisht edhe ky aksion pritet të zbardhet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Por, pavarësisht se grupi hetimor ka dijeni se Dritan Dajti ishte i rrezikshëm dhe operacioni për kapjen e tij ishte i vështirë për t’u realizuar paq, hetuesit po përpiqen të gjejnë përgjigjen e një tjetër pyetjeje që lidhet me operacionin e policisë. Operacioni u dekonspirua apo efektivët e njësisë operacionale vepruan gabim? Kjo është pyetja ku janë përqendruar hetuesit të gjejnë përgjigje, të cilën do ta kenë pas verifikimeve. Burime nga grupi hetimor thanë se pritet të zbardhet mënyra e organizimit të operacionit për kapjen e super të kërkuarit, pse u vendos të zhvillohej në mes të ditës në një zonë të populluar dhe kush ishin firmëtarët e këtij aksioni.
Mangësitë
Policët që morën pjesë në këtë operacion, katër prej të cilëve mbetën të vrarë, nuk kishin veshur jelekë antiplumb, ndërkohë që kishin dijeni se ata po shkonin të kapnin një person me rrezikshmëri të lartë. Por, përpos anës procedurale të operacionit, hetuesit dyshojnë se policët mund të jenë dekonspiruar nisur nga fakti që Dajti me shokë po largoheshin të armatosur. Dikush mund t’i ketë tradhtuar policët duke i rrëfyer Dajtit se po u afroheshin prangat, çka dyshohet ta ketë detyruar Dritan Dajtit të mbrohet me armë në momentin e fundit. Megjithatë, këto janë vetëm dyshime që mbeten për t’u verifikuar nga grupi hetimor i formuar nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Hetuesit kanë rindërtuar mekanizmin e krimit të pesëfishtë që ndodhi të premten në Plazhin e Durrësit. Sipas materialeve të mbledhur, ka qenë Dajti që ka qëlluar i pari mbi policinë, duke lënë, një nga një, katër policë të vrarë, ndërsa efektivat e njësisë operacionale kanë diktuar me vonese se Dajti dhe miku i tij i dyshuar Ledion Mara po qëllonin me armë duke e detyruar policinë të zbrazë armët e saj.
Prita
Ajo që në fakt duhet të ishte një pritë nga policia për Dajtin duket se është kthyer në të kundërtën e planit. Këtu nisin dhe dyshimet duke bërë që hetuesit të mendojnë se kanë të bëjnë me një dekonspirim, pasi Dajti jo vetëm që nuk është kapur në befasi, siç pretendonin oficerët e operacionit, por ata e kanë kapur policinë në befasi. Megjithatë, hetuesit shtojnë se gjithçka do të analizohet me detaje të imtësishme. Deri tani prokurorët janë marrë me çështjen “Dajti”, ku pas masakrës arrestuan atë, bashkëpunëtorin e tij dhe sot në mëngjes një shok tjetër të tij, ndërsa pritet të nisin punën me “çështjen operacioni” i cili do të zbardhe përgatitjen që kishin kryer policët për të realizuar super-operacionin, informacionet që ata kishin marrë për lëvizjet e Dajtit, si dhe udhërrëfyesin e tyre gjatë këtij aksioni, i cili ende pa nisur përfundoi me 4 policë të vrarë.
Dyshimet
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka qenë tejet e matur në ofrimin e të dhënave dhe detajeve mbi këtë ngjarje të rëndë. Me të dhënat zyrtare të deritanishme arrihet të kuptohet se katër policët e vrarë nuk kanë qenë të specializuar në ndërhyrje të tilla delikate, pasi këtë detyrë e ka në mënyrë ekskluzive reparti “Renea”. Dërgimi i këtyre efektivëve për arrestimin e njeriut më të kërkuar të vendit që nga vetë uniformat blu konsiderohej si personi më i rrezikshëm i nëntokës së krimit në vend, ka sjellë një kosto të jashtëzakonshme, por në të njëjtën kohë ka zgjuar dhe pikëpyetjet e para mbi motivet dhe arsyet që çuan në dërgimin e këtyre efektivëve në një aksion që ua tejkalonte aftësitë, madje dhe kompetencat e tyre profesionale.

Aksioni, në pranga dhe një “ushtar” i Dajtit në Tiranë

Forcat e policisë kanë mundur të vënë në pranga bashkëpunëtorin e Dritan Dajtit, autorit të masakrës në Durrës, ku u vranë 4 oficerët e Policisë; Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feska. Sipas të dhënave policore, i arrestuari është 21-vjeçari Elvis Karoli, ndaj të cilit informacionet operative kishin treguar se ai mbante lidhje të afërta me Dajtin. Arrestimi i tij u krye sepse pas shumë informacionesh të marra në rrugë operative dyshohet se i sipërcituari është lidhje shoqërore me të arrestuarin Dritan Dajti. Në banesën e tij u ushtrua një kontroll nga policët, ku u sekuestruan në cilësinë e provës materiale si municione 7 copë fishekë, detonatorë eksplozivë luftarakë 1 copë, aparatura që dyshohen se shërbejnë për plasjen eksplozivi si dhe dy dylbi. U kryen veprimet procedurale dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “armëmbajtjes dhe municioneve pa leje luftarake”, parashikuar nga Neni 278/2/3 i Kodit Penal.

Blindohet Spitali i Burgut, prania e Dajtit rrit maksimalisht vigjilencën

Spitali i Burgut në Tiranë është blinduar ditën e djeshme nga forca të shumta policie pas transportimit të Dritan Dajtit në këtë spital. Pas ndërhyrjeve kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Tiranë pasditen e së premtes, super i kërkuari, i cili vrau katër punonjës policie gjatë aksionit për kapjen e tij ku mbeti i plagosur edhe vetë, u transportua në Spitalin e Burgut ku po kurohet. Burimet spitalore tregojnë se Dajti ndodhet në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Ai kishte marrë tri plagë, të cilat nuk i rrezikuan jetën. Në masa të rrepta sigurie në Spitalin e Burgut ndodhet edhe Erges Xhaxhi, miku i Dajtit, i cili ka marrë plagë të lehta.
Dajti dhe Xhaxhi sulmuan dy ditë më parë në Plazhin e Durrësit forcat e policisë, të cilat u afruan për t’i vënë prangat shumë të kërkuarit. Mirëpo operacioni u kthye në një tragjedi ku humbën jetën katër oficerë policie si dhe miku i ngushtë i Dajti, Ledion Mara, ndërsa u plagosën Dritan Dajti dhe Erges Xhaxhi.

10 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›