Farmacitë, receta elektronike për barnat e rimbursueshme
Ilaçet e rimbursuara nuk do të jepen më në recetat e letrës, por në receta elektronike. Do të jetë mjeku që, pasi të vizitojë pacientin, do të dërgojë elektronikisht recetën me ilaçet e rimbursuara në farmaci. Pikërisht për të zbatuar këtë skemë të re të marrjes së barnave me rimbursim, Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) ka nisur të zbatojë në praktikë fazën e parë të këtij projekti, që ka bëjë vetëm me farmacitë. Nga këto të fundit mësohet se ISKSH ka dërguar në farmaci programin elektronik, i cili bën të mundur që tashmë recetat e ilaçeve me rimbursim të mos dërgohen më dorazi në ISKSH, por në mënyrë elektronike. Nëpërmjet kësaj procedure, deklarimi i recetave nga farmacitë në ISKSH do të bëhet online. Më konkretisht, çdo farmacist, pasi të shikojë recetën që mjeku i ka dhënë pacientit, do t’i hedh të gjitha të dhënat e saj në formë elektronike (receta elektronike) dhe këtë të fundit do t’ia dërgojë ISKSH. Marrja e kësaj nisme nga ISKSH, për kalimin në formë elektronike të barnave të rimbursuara, u bë për të ulur abuzimet me listën e barnave të rimbursuara, por edhe për të përllogaritur shpenzimet e këtyre barnave. Për këtë projekt, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana ka deklaruar se aktualisht institucioni që ajo drejton po punon për zbatimin e një projekti informatizimi, për dërgimin online në institut, të shpenzimeve të rimbursimit, të realizuara për çdo ditë brenda 24 orëve për subjektet e kontraktuara. “Në shërbimin farmaceutik është arritur të realizohet futja e sistemit elektronik për barnat e rimbursuara në të gjitha farmacitë dhe agjencitë e kontraktuara. Ky projekt do t’i paraprijë projektit të kalimit në recetën elektronike për barnat e rimbursuara, që do të përshkruhet nga mjekët dhe do të lexohet nga farmacia më pas“, - ka deklaruar Hana. Sipas saj, me përdorimin e këtij projekti, ISKSH do të ketë një informacion shumë më të shpejtë për ecurinë e shpenzimeve të rimbursimit, duke ulur kështu mundësinë për abuzime. I gjithë ky projekt do të bëjë të mundur që shumë shpejt, kartela shëndetësore e çdo pacienti do të jetë e disponueshme në internet. Në këtë mënyrë, mjekët do ta kenë më të lehtë të evidentojnë saktë sëmundshmërinë kronike në vend. Kjo skemë e re do të ndihmojë njëkohësisht dhe Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, të planifikojë një shpërndarje reale të fondeve për qendrat shëndetësore, me synimin për të minimizuar korrupsionin në shëndetësi. Sipas ISKSH-së, aktualisht janë të regjistruar elektronikisht rreth 3.5 milionë qytetarë, ndërkohë që procesi është drejt përfundimit. Veç të tjerash, përfundimi i këtij procesi do të ndihmojë në një fleksibilitet më të madh në lëvizjen e popullatës dhe zbatimin e parimit të zgjedhjes së lirë të mjekut të familjes.