Urdhri i Mjekut: Pacientët nuk kanë besim te ne
Ndryshe nga vitet e shkuara, pacientët shqiptarë nuk po trokasin më në dyert e urdhrit të mjekut.Presidenti i këtij institucioni, Dine Abazi, thotë se numri i ankesave të depozituara po vjen në rënie dhe faji për këtë është i sistemit shëndetësor. Ankesat janë në të njëjtat shifra ose më pak se një vit më parë dhe faji për këtë nuk është yni, por i krizës së besimit që kanë pacientët ndaj mjekëve. Kjo reflektohet më pas dhe në besimin që kanë të sëmurët
ndaj nesh si pjesë e sistemit shëndetësor, pohoi Abazi. Sipas Abazit, ministria e Shëndetësisë duhet të vazhdojë punën me reformat për të ndryshuar situatën e krijuar. Ne kërkojmë nga të gjithë faktorët dhe aktorët të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së sistemit shëndetësor, ndërsa ministria e Shëndetësisë mbetet në krye të reformave të cilat duhet të realizohen për të kthyer besimin e pacientëve tek ky sistem, nënvizoi presidenti i Urdhrit të Mjekut. Nga të dhënat e deritanishme të këtij institucioni, natyra e ankesave të pacientëve ka të bëjë me marrëdhëniet mjek-pacient në shërbimin spitalor. Ndërsa përsa i takon akuzave për jetë të humbura në spital, apo dëmet e shkaktuara nga pakujdesia e mjekëve, këto ankesa depozitohen në prokurori përmes kallëzimeve penale. Natyra e ankesave të pacientëve është pozicionuar në shumë pak shërbime mjekësore. Nga 11 rastet e paraqitura pranë Urdhrit të Mjekut 7 prej tyre janë për mungesën e komunikimit me mjekët dhe lindjen e konflikteve mes tyre. Ndërsa pjesa tjetër e ankesave janë për mungesë të shërbimit të dhënë nga specialistët. Kryesisht ankesat e paraqitura janë për mjekët stomatologë. Vitet e tjera, ankesat e paraqitura kanë qenë për të gjitha shërbimet në sistemin shëndetësor, ndërsa gjatë këtyre muajve ato janë minimizuar vetëm në shërbimin stomatologjik. Sipas rregullores së Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha ankesat e mbërritura në Urdhrin e Mjekëve, pa përjashtim i nënshtrohen shqyrtimit dhe vendimmarrjes në kryesinë e Këshillit Rajonal. Rregullorja parashikon që ankesat të jenë të dorëzuara me shkrim dhe të paraqesin tërësisht situatën dhe llojin e mjekimeve që kanë marrë, apo shkakun kryesor të problemit.
Last Updated on E Marte, 26 Janar 2010 22:54