“Njerëz të humbur” gjen Ndriçim Toskën pas katër vitesh humbje në Kosovë
Një peng i thurur me dhembjet dhe lotët e një nëne të sëmurë prej vitesh u bë shkak i një historie, i një jete të jetuar në varfëri e vështirësi. Skenari i një filmi do të ishte pa vlerë përballë një realiteti që s’mund të imagjinohet. Një familje e mbetur pa shtëpi, një fëmijë që largohet nga jeta dukë lënë pas jetimë, një bir i gjymtuar dhe një tjetër i humbur. Kjo është një tablo e pikturuar mes shkarravinash e penelash pa ngjyrë... pjesë e një familjeje shqiptare. Me fjalë të tjera kjo është historia e familjes së Adem Toskës nga Tirana. Në shtëpinë e tij mungon prej 4 vitesh djali më i madh, Ndriçimi. Marsi i vitit 2004 do të ndërpriste përfundimisht lidhjet mes Ndriçimit dhe familjes së tij. Një natë më parë ai kishte biseduar më të ëmën duke i thënë se nuk kishte asnjë të ardhme në Shqipëri dhe se destinacioni do të ishte një shtet tjetër, larg Shqipërisë, ku ai do të mund të siguronte një jetesë më të mirë për vete dhe familjen e varfër. Në të gdhirë Ndriçimi ka marrë disa tesha në një çantë dore dhe është larguar nga shtëpia. Babai i tij, Ademi, nuk ishte në dijeni të largimit të tij, ndaj befasohet kur merr vesh se i biri ishte larguar pa i thënë asnjë fjalë. Historia e Ndriçim Toskës u prezantua për dy javë radhazi në emisionin “Njerëz të humbur”, në valët e Vizion Plusit, me shpresën se informacionet do të ndihmonin në gjetjen e tij për hir të dy prindërve që tanimë qajnë hallet e shtëpisë në këto ditë të vështira për ta. Ismetja dhe Ademi qëndronin të ulur në studion e “Njerëz të humbur” me sytë nga receptorët e telefonave. Nëna pyeste vazhdimisht nëse kishte mbërritur ndonjë lajm për djalin e dashur, ndërsa babai kishte rënë në mendime të thella, prej të cilave dukej se nuk zgjohej dot. Ismetja rrëfeu për Aida Shtinon historinë e jetës së saj, të fëmijëve të saj dhe peripecive që nuk kishin sosur ndonjëherë për të. Ajo tha se kishte 12 vjet pa shtëpi dhe se shpresat për një jetë me më pak strese i kishin te djali më i madh, Ndriçimi. Kjo nuk ishte hera e parë që Ndriçimi largohej nga shtëpia. Ai kishte emigruar edhe më parë, nga viti 2000 deri në vitin 2003. Për gati tre vjet ai nuk ishte bërë i gjallë për familjarët, të cilët mendonin se ai ishte vrarë nga dikush. Por në mënyrë të papritur Ndriçimi kthehet në shtëpinë e tij duke i gëzuar të gjithë. Ai u kishte thënë prindërve se kishte qenë në Kosovë, në Prishtinë, ku kishte punuar në ndërtim. Largimi i tij i dytë dukej se po zgjaste shumë.... Kjo i detyroi prindërit ta kërkonin atë në “Njerëz të humbur”. Gjatë transmetimit direkt të shtunën mbrëma mbërritën një pafundësi informacionesh për rastin e Ndriçimit. Ishin qytetarë kosovarë, kryesisht nga Prishtina dhe Mitrovica, të cilët dëshmonin me shume siguri se Ndriçimi ishte shëndoshë e mirë dhe se jetonte një herë në Prishtinë dhe një herë në Mitrovicë. Javët e fundit ai ishte parë në Mitrovicë, por dëshmitarë pohonin se ai kishte lëvizur shpesh nga Mitrovica në Prishtinë dhe anasjelltas. Një telefonatë në fillim të emisionit do t’i shokonte të gjithë. Ishte zëri i Ndriçimit, i cili fliste nga Prishtina. Gjithçka ndodhi në pak minuta, aq sa nëna e tij, Ismetja, nuk mundi të përmbajë ngashërimin dhe lotët që i fshinte duke u dridhur. Pas një bisede të drejtpërsëdrejtë mes tij dhe prindërve, këta të fundit arritën të gjenin paqen e munguar prej katër vitesh. Ndriçimi ishte gjallë, shëndoshë e mirë e u premtoi prindërve se do të kthehej së shpejti në Shqipëri.
27 Maj 2008