E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, ish-punonjësit e Albpetrolit kërkojnë rishikimin e listave



PATOS- Rreth 300 ish-punonjës të“Albpetrol” janë hedhur sërish në protestë, duke kërkuar edhe një herë rishikimin e listave të personave të prekur nga reforma e shkurtimeve. Ata iu janë rikthyer sërish protestave, ku në krah të tyre ka dalë edhe kryebashkiaku i Patosit, Bardhi Meli. Ata kanë qëndruar për më shumë se një orë në shesh, ku kanë deklaruar se protesta e tyre nuk ka lidhje me politikën dhe se duan rishikim të listave të punëtorëve të shkurtuar. Mëngjesin e djeshëm një përfaqësi e punëtorëve protestues së bashku me kreun e bashkisë së Patosit kanë zhvilluar në takim në mjediset e ndërmarrjes së prodhimit të naftës në Patos me drejtorin Ylli Gjoni. Punëtorët paraqitën kërkesat e tyre si rishikim të emrave të shkurtuar, respektimin e kritereve si dhe një përfaqësi e tyre të marrë pjesë gjatë përgatitjes së emrave të punonjësve që do të largohen nga puna. Punëtorët kanë kërcënuar me grevë urie, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen. Nga reforma që përfshiu kompaninë ARMO në prag të privatizimit, pritet të dalin të papunë rreth 1000 punonjës.

Drejtori i KESH-it: “Durrësi me drita non-stop gjatë sezonit”

DURRES- Energjia elektrike për sezonin turistik është e garantuar, jo vetëm se ka rezerva të mjaftueshme uji nëpër basenet e hidrocentraleve, por edhe për shkak të investimeve në rrjetin shpërndarës. Ky fakt është deklaruar nga vetë drejtuesit e KESH-it të cilët pohojnë se 2 brigada specialistësh janë duke punuar me orar të zgjatur për ndërtimin e një nënstacioni të ri elektrik të fuqisë 20-megavat në Golem, i cili pritet të garantojë furnizimin me energji të zonës bregdetare të Shkëmbit të Kavajës, të Golemit dhe të Kavajës. Për këtë nënstacion që më 10 qershor pritet të nisë nga puna, KESH-i po investon 2 milion euro nga të ardhurat e korporatës. Vitin që shkoi nënstacioni i vjetër pësoi disa avari për shkak të kapacitetit të ulët që përballonte dhe nevojave në rritje për energji të kësaj zone turistike”.

Kapet 30-vjeçarja nga Ekuadori me leje qëndrimi false

DURRËS - Një 30-vjeçare nga Ekuadori është ndaluar natën e se dielës nga forcat e policisë portuale të Durrësit, teksa tentonte të kalonte bashkë me të birin me traget drejt Italisë, duke përdorur dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara. Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e policisë së kufirit dhe emigracionit, bënë të ditur se 30-vjeçarja Elena Aracely Prado Guevara, lindur ne Santo Domingo (Ekuador) dhe banuese ne Zvicër, do të procedohet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve. Guevara, së bashku me djalin e saj të mitur E.O., është ndaluar gjatë kontrollit të dokumenteve në pikën e kalimit të kufirit portual. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ajo tentonte të udhëtonte në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, duke paraqitur dy leje qëndrimi zviceriane, të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara.

27 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›