E Diel, 1 Nëntor 2026

Aurora Latollari, vajza fatkeqe korçare, e cila provoi zhgënjimin që në moshën 15-vjeçare



Një adoleshencë e shkuar kot, një rritje para kohe dhe pasoja të dhimbshme që barten deri sot. Historia e zhdukjes së vajzës korçare Aurora Latollari përfshin një numër të madh njerëzish, vendesh e situatash. Megjithëse në një moshë 15-vjeçare, për të jeta do të rezervonte një udhëtim drejt një “parajse” të rreme. Kanë kaluar pothuajse 11 vite dhe familja nuk di asgjë mbi fatin e saj, por as shteti italian, i cili mban ende misterin e saj.
Historia
Sapo kishte mbaruar 8-vjeçaren dhe bëhej gati për gjimnaz, Aurora Latollari njihet me Astrit Kalaverin. Që në fillim ajo ka këmbëngulur që lidhja e saj me këtë person të zyrtarizohej me martesën mes tyre. I ati i vajzës, Sotiri, nuk e kishte mbështetur asnjëherë këtë vendim të Aurorës, nisur kryesisht nga mosha e saj e re, në atë kohë vetëm 15 vjeçe. Astrit Kalaveri kishte vite që jetonte në Itali dhe kjo si duket ia kishte prishur keq mendjen adoleshentes korçare, e cila si shumë vajza të tjera në atë kohë gabimisht ëndërronin të shikonin “parajsën”, që sipas tyre ishte sapo të kaloje kufijtë e Shqipërisë. Duke parë këmbënguljen e dy të rinjve, Sotiri detyrohet ta “bekojë” lidhjen e Aurorës me Astritin dhe këta të fundit martohen më datë 20 shtator 1996. Vetëm 5 ditë më pas, çifti i ri largohet me gomone në drejtim të Italisë dhe vendosen në Montragone të Napolit. Që në fillim bashkëshorti i vajzës dukej se i kishte marrë mirë masat duke e pajisur Aurorën me dokumente të rregullta në Itali. Pas katër muajsh ata largohen në Frazinone, ku pas një qëndrimi jo shumë të gjatë shpërngulen përfundimisht për në Rivergaro të Piacenzës. Kontakti i adoleshentes me prindërit ishte i rregullt të paktën për rreth një vit. Pak përpara se të humbiste kontaktet me familjen Aurora ishte ankuar te babai se bashkëshorti i saj po e trajtonte ashpër. Sipas vajzës, ai po i kërkonte të bënte disa gjëra që “do ta çnderonin familjen”. Më datën 14 tetor 1997 Aurora flet për herë të fundit me babain e saj në telefon dhe i pohon se kishte ikur nga shtëpia duke përfituar nga mungesa e të shoqit. Sipas saj, një karabinier i quajtur Fabio i kishte marrë përsipër që ta ndihmonte Aurorën që të shpëtonte nga kurthi që i kishte ngritur i shoqi pas vajtjes në Itali. Sotiri e porosit vajzën që të shkonte dhe të dorëzohej në polici dhe më pas të shikonte mundësinë për t’u rikthyer në Shqipëri. “Kam frikë ta denoncoj, kam hall se mos ai më vret po e mori vesh”, - ishte shprehur Aurora. Telefonata shkëputet aty pa u marrë vesh mirë se ku do të shkonte dhe cilët ishin realisht rrethanat në të cilat ajo po komunikonte apo kush e shoqëronte vajzën. Tri ditë më vonë, Astrit Kalaveri merr në telefon vjehrrin e tij duke i pohuar faktin se Aurora ishte larguar nga shtëpia. Një javë më vonë ai vjen personalisht në Shqipëri dhe me pretekstin e “shfajësimit” kërkonte të mësonte vendndodhjen e re të Aurorës. Familja pohon se një fqinjë e vajzës në Itali, e quajtur Kristina Mema, e njohur gjithashtu edhe me Astrit Kalaverin, ish-bashkëshortin e Aurorës, ka pohuar kohë më vonë se “Aurora kishte mbledhur gjithë rrobat e saj në një valixhe dhe atë ditë ishte larguar me një taksist që e quanin Pipo”. Më pas gjithçka e mbulon hija e misterit... Rrëmujat e vitit 1997 bënë që kërkimet për Aurorën të ndërpriteshin.
Kërkimet në “Njerëz të humbur”
Rreth vitit 1998, familja Latollari zhvendoset në Greqi. Të gjendur në kushte pak më të favorshme për vite me radhë ata u përpoqën të rilidhnin kontaktet me vajzën e tyre duke bërë edhe denoncime në polici italiane, por pa arritur të marrin kurrë një përgjigje të saktë. Gjatë investigimeve u mor vesh se Astrit Kalaveri, ish-bashkëshorti i Aurorës, kishte gjetur vdekjen në tetor të vitit 1998 duke rënë pre e një atentati mes mafiozëve të bandave kriminale në Itali. Shkak i kësaj mësohet të ketë qenë larja e hesapeve dhe hakmarrja për zotërimin e territoreve të shfrytëzimit të femrave. Tri javë para se të shkëpuste kontaktet me familjen, Aurora Latollarit i ishte ndryshuar identiteti në Franceska Omeri, e datëlindjes 1973, veprim ky i kryer nga Astriti në bashkëpunim me ish-funksionarë të lartë të policisë së Korçës. Kërkimet në “Njerëz të humbur” vijuan pikërisht me identitetin e fundit që kishte mbajtur vajza korçare. Nga verifikimet paraprake në skedat e policisë ka figuruar se Aurora Latollari ka qenë me leje-qëndrim të rregullt në shtetin italian dhe se në vitin 1997 ajo ka depozituar një kallëzim penal për shfrytëzim, më pas është dërguar në një institucion rehabilitimi. Por pak ditë më pas gjurmët e saj humbasin krejtësisht dhe për shtetin italian ajo nuk figuron e regjistruar që prej 10 vitesh. Gjatë emisionit u morën informacione shpresëdhënëse për fatin e Aurorës. Emigrantë të ndryshëm jepnin vendndodhjen e saj në disa qytete ku largësia midis tyre ishte e pakët. Pothuajse shumica ishin të përqendruara në zonën e Piacenzës, aty ku më parë kishte jetuar dhe humbur kontaktet. Vetëm pak ditë më përpara familja Latollari në Greqi kishte një gëzim familjar, martesën e motrës së vogël të Aurorës. Të përmalluar nga mosprania e saj ata kanë kujtuar Aurorën duke e mbajtur në qendër të tavolinës foton e saj e deri duke ngritur dolli që “fati ta sjellë sa më parë në shtëpi”. E trafikuar ose jo, historia e Aurorës ngjason me atë të shumë vajzave shqiptare, të cilat për vite të tëra gjatë tranzicionit në Shqipëri ranë pre e shfrytëzimit të pamëshirshëm nga individët apo grupet kriminale famëkeqe.

SHËNIM

“Për çdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur.com shkruani në adresen aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni në Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”

27 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›