E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet, rritet niveli i ujit në Fierzë, 1 metër në 24 orë



Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë rritur nivelin e ujit në hidrocentralin e Fierzës, ndërkohë që vazhdojnë shkarkimet në dy HEC-et e tjerë të kaskadës së Drinit, Komanin dhe Vaun e Dejës. Në 24 orët e fundit niveli i ujit në Fierzë është rritur me 1 metër, duke bërë që niveli i ujit të shkojë në e 292.5 m, edhe 4 m larg kapacitetit maksimal. Prurjet në Fierzë janë rreth 850 m kub/sek, çka bën të nevojshme edhe shkarkimet nga hidrocentrali, të cilat shkojnë në 500 m kub/sekondë. Situata mbetet problematike, pasi reshjet e shiut vazhdojnë ende, ndërkohë që dihet që Fierza ka një kapacitet maksimal prej 296 metër, 292,2 m e të cilës është zënë tashmë. Pikërisht, rritja e nivelit të ujit, detyroi edhe hapjen e portave të shkarkimit ditën e dielë. Por situata që prej së dielës nuk po njeh përmirësim. Vërshimi i Drinit nga prurjet e mëdha ka bërë që mbi 10 shtëpi në fshatin Ashtë të Shkodrës të jenë në rrezik. Shkarkimet nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës kanë shtuar prurjet e lumit Drin, i cili gjithnjë e më tepër po avancon drejt banesave. Sipas banorëve të kësaj zone, uji vazhdon të gërryejë tokën duke përparuar çdo ditë thuajse nga 2 metra ndërsa dëmet në të mbjella janë të konsiderueshme. Duke u ndjerë të kërcënuar, banorët thonë se kjo situatë do të shmangej nëse do të merreshin masa kohë më parë, ndërsa shprehen se tani ndërhyrjet janë tepër vonë. Situata mbetet problematike dhe në fshatin Obot, ndërsa uji është në nivele të larta duke krijuar vështirësi në lëvizjen dhe komunikimin e banorëve të cilët janë të detyruar të qarkullojnë, ashtu sikurse një muaj më parë vetëm me varka.

OSSH: “Debitorë, paguani energjinë ose përndryshe do t’ua shkëpusim”

OSSH, bazuar në kërkesat e Deklaratës Rregullatore dhe kushtet e kontratës që ka me klientët e saj, u dërgoi dje një letër informuese të gjitha institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore, të cilat kanë borxh të akumuluar kundrejt kompanisë, duke i informuar ata që nëse nuk i paguajnë detyrimet e tyre financiare brenda 72 orëve, nuk do të furnizohen me energji nga ora 09.00 deri 13.00 çdo ditë për një afat të papërcaktuar. Pas disa letrave drejtuar debitorëve buxhetorë dhe jobuxhetorë në të gjithë vendin, OSSH nuk mund ta tolerojë më neglizhencën e tyre dhe për këtë arsye është e detyruar të ndërmarrë veprime të parashikuara në kontratën që përcakton të drejtat dhe detyrimet e secilës palë. Në këtë kuadër, që nga data 24 shkurt 2010, të gjitha institucionet që nuk do të paguajnë borxhet ndaj kompanisë, do të kenë ndërprerje të energjisë elektrike çdo ditë nga katër orë në mëngjes. Në llogaritjet që u bënë në fund të vitit 2009, OSSH ka një borxh të akumuluar prej 28 miliardë lekësh, prej të cilave 3.2 miliardë lekë janë borxhe të subjekteve jobuxhetore dhe 1.3 miliardë lekë të atyre buxhetore. OSSH po mundohet të menaxhojë mbledhjen e borxhit dhe do të fillojë me debitorët e mëdhenj, pa përjashtuar kategoritë e tjera. Hapat që do të ndërmerren do të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi. Sipas ligjit, “debitor konsiderohet ai klient që nuk e ka paguar energjinë elektrike për më shumë se dy muaj”. Debitorët do të njoftohen të paktën 72 orë përpara dhe nëse pagesa nuk bëhet, OSSH do të jetë e detyruar të ndërpresë furnizimin me energji elektrike. OSSH kërkon mirëkuptimin dhe mbështetjen e konsumatorëve dhe autoriteteve lokale në përpjekjen e saj për të siguruar cilësinë e shërbimit për klientët.

24 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›