E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krujë, lumi Ishëm përmbyt 100 ha tokë

KRUJE – Rikthehen reshjet, por edhe përmbytjet në rrethin e Krujës. Lumi Ishëm mësohet se ka përmbytur mbi 100 hektarë tokë në fshatrat Mërqin, Bilaj, Bunq, Thumanë, Gramës e Derven. Lumi ka dalë nga shtrati pranë urës së trenit në Mërqin, duke rrethuar dhe 15 shtëpi banimi. Rikthimi i përmbytjeve të këtij lumi vjen pas pasojave ende të parikuperuara të vitit të shkuar. Për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese, ujërat e tij depërtojnë ku të mundin, duke mbuluar sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe duke rrezikuar banesat e zonave ku ai kalon. Lumi Ishëm është shqetësim jo vetëm për përmbytjet dhe përhapjen e ujërave të tij në fshatrat përgjatë shtratit, por dhe për ndotjen masive që shkakton. Bashkë me rrjedhën e ujit, në të notojnë mbeturina të shumta urbane dhe industriale. Vetëm pak ditë më parë, këto mbeturina pushtuan të gjithë plazhin e Durrësit, pasi u transportuan aty nga rrymat detare. Sipas Kastriot Palukës, një banor i zonës, kjo situatë përsëritet vazhdimisht. Është turp që me kaq reshje të përmbyten qindra hektarë tokë dhe shtëpi banimi. Askush nuk vjen për të na parë.                  r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›