E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri për heqjen e shtesës mbi pagë për lektorët mban firmën e Pollos



Jonida Tashi

Urdhri për heqjen e shtesës mbi pagë për lektorët me master të nivelit të dytë mban firmën e ish-ministrit të Arsimit, Genc Pollo. Burime zyrtare nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur se ky urdhër u është përcjellë universiteteve në fund të vitit akademik 2007-2008, kohë në të cilën Genc Pollo kryesonte dikasterin e Arsimit. Mësohet se iniciator për hartimin i këtij urdhri ka qenë ish-ministri i Arsimit, ndërsa pasardhësi i tij, Fatos Beja është detyruar thjesht ta përcjellë atë. Të informuar vetëm në fillim të këtij akademik, për heqjen e shtesës mbi pagë prej 100 mijë lekësh në muaj, për masterin e nivelit të dytë, lektorët dhe drejtuesit e universiteteve publike në presin tërheqjen e Ministrisë së Arsimit për zbatimin e tij. Drejtori i Drejtorisë së Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Ervin Demo, sqaron se këto ditë drejtuesi i këtij universiteti do t’i dërgojë një shkresë Ministrisë së Arsimit për moszbatimin e këtij urdhri. Sipas Demos, urdhri i MASH-it për heqjen e pagës shtesë është i paligjshëm. Nëse ky urdhër do të zbatohet gjatë këtij viti akademik, mbi 500 pedagogë në shkallë vendi, që bëjnë pjesë në kategorinë “Lektorë” dhe japin një cikël të plotë leksionesh në universitete do të pësojnë ulje në pagë.
Shkresat
Në 15 qershor të vitit 2006 Ministria e Arsimit i ka nisur një shkresë zyrtare Universitetit të Tiranës, për ndryshimin e emërtesës “Asistent në shkollat e larta” me emërtesën “Pedagog”. Sipas kësaj shkrese, ndryshimi i emërtesës duhet të bëhej për vitin mësimor 2006-2007 dhe vetëm për asistentët me diplomë “Mster”, që japin cikël të plotë leksionesh. Ndërsa për vitin mësimor 2005-2006, asistentët me diplomë “Master”, që japin një cikël të plotë leksionesh duhet të paguheshin me të ardhurat e institucionit. Më pas, më datën 20 nëntor të vitit 2007, Rektorati i Universitetit të Tiranës i ak përcjellë fakulteteve të tij vendimin e MASH-it për trajtimin financiar të pedagogëve gjatë vitit akademik 2007-2008, në të cilin theksohej se edhe për vitin akademik 2007-2008, trajtimi financiar i personelit në arsimin e lartë do të jetë i njëjtë deri në miratimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit nr.9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”. Ndërsa në datën 27 maj të vitit 2008 drejtuesi i Universitetit të Tiranës Dhori Kule, u ka komunikuar fakulteteve në varësi të tij se trajtimi i asistent pedagogëve që kanë diplomën “Master” dhe japin një cikël të plotë leksionesh si “pedagogë pa gradë” është i vlefshëm deri në fund të vitit mësimor 2007-2008, deri në miratimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit për arsimin e lartë.
Mosreagimi
Pikërisht mosnxjerra e këtyre akteve nënligjore ose amendamenteve shtesë ka bërë që pedagogët të rrezikojnë marrjen e shtesës mbi pagë prej 100 mijë lekësh. Madje, jo vetëm kaq, por drejtuesit e universiteteve nuk dinë çfarë procedure duhet të ndjekin për trajtimin financiar të pedagogëve gjatë këtij viti akademik. Ky problem është ngritur një ditë më parë edhe nga drejtuesi i Universitetit Politeknik në Tiranë, jorgaq Kaçani, i cili ka kërkuar që Ministria e Arsimit të përcaktojë procedurat që ai duhet të zbatojë për pagat e lektorëve me diplomë “Master i Niveli të Dytë”. Nga ky shfuqizim i vendimit të qeverisë për shtesën mbi pagë preket një numër i madh pedagogësh në të gjithë vendin, rreth 20 për qind e stafit akademik në të gjithë vendin, me përjashtim të atyre që bëjnë pjesë në kategoritë “Profesorë” dhe “Docentë”. Ndërkohë që Ministria e Arsimit nuk u ka dërguar ende një shkresë zyrtare universiteteve publike të vendit për zgjidhjen e këtij problemi, i cili pritet të sjellë një reaksion të madh në trupën akademike që mban titullin “Lektorë”. Në ligjin për Arsimin e Lartë përcaktohet se në kategorinë “Lektorë” bëjnë pjesë anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-shkencore. Sipas këtij ligji, lektorët duhet të kenë diplomë “Master i Nivelit të Dytë” dhe të përmbushin kriteret që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Kurse ndarja në nivele, brenda secilës kategori, emërtimi dhe renditja e tyre, si dhe kritere më të hollësishme kualifikimi për secilin rast përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, referuar edhe përshkrimit të vendit të punës.

25 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›