E Shtunë, 31 Tetor 2026

A është “dashuri e vërtetë” njohja në internet



Në realitetin e ri, realitetin virtual çdo ditë lidhen gjithnjë e më tepër njerëz. Komunikimi i drejtëpërdrejtë përmes shfrytëzuesve të internetit në cilën do shtet a qytet, i mënjanon largësitë gjeografike, dhe ofron liri të plotë të të shprehurit. Këmbimi i mendimeve, ideve, qëndrimeve bën që njerëzit të afrohen, të lirohen nga pakënaqësitë, paragjykimet dhe paaftësitë që shfaqen në komunikimet “sy më sy”. Ky lloj i mendimit për komunikim të shpejtë dhe kryerje të shpejtë të punëve, po bëhet medium për të dashuruarit. Dashuria përmes internetit është dukuri e re të cilën ende nuk e kanë studiuar mirë psikologët dhe sociologët.
Njoftimi
Të njoftohesh përmes internetit nuk është aspak e vështirë. Mjafton të kyçeni në forume, grupe të ndryshme të diskusioneve, dhoma të diskusioneve, dhe për një kohë të shkurtër do të keni me dhjetra letra elektronike. Aq më tepër nëse keni faqe personale do t’ju lajmërohen vetë njerëzit anë e mbanë botës. Dhe kështu gjithçka fillon me një bisedë të thjeshtë rreth një teme me një person ende të panjohur për ju, dhe natyrisht nëse ajo bisedë bëhet interesante, me të përsëritet komunikimi vazhdimisht. E numri i partnerëve potencial për biseda të këtilla është i pafundë. Shumë njerëz mendojnë se dashuria përmes internetit është kurth dhe për një gjë të tillë nuk duhet diskutuar. Pa marrë parasysh se kush ndodhet në anën tjetër të rrjetit, pa marrë parasysh përmbajtjen e letrave, porosive, vërtet, krejt ç’ka dimë për personin tjetër janë shkrimet e tija elektronike. Shumëkush mendon se të dashurohesh përmes internetit pa e njohur fizikisht një person, është njëjtë sikur të dashurohesh pa sy e vesh, ngaqë gjithçka paraqet rezultatin e imagjinatës dhe frazave të thurura me mjeshtri. Por a është vërtet pikërish kështu?
Anonimiteti
Një nga karakteristikat themelore të komunikimit përmes internetit është anonimiteti. Kjo mundëson lirinë e të shprehurit, të qëndrimeve, ideve dhe kjo paraqet bazën e njohjes së njerëzve. Njohja rrjedh më shpejtë, nga brenda-jashtë, duke zbuluar personalitetin, karakterin, ndjeshmërinë, animin, motivimin dhe shkurt e trup, gjithçka që personin në anën tjetër të rrjetit e bën të veçantë.
Kryesore në komunikimet mes njerëzve përmes kompjuterit janë fjalët. E fjalët i janë dhënë njeriut që më mire t’i fsheh mendimet e veta, thotë një proverb. Megjithatë gjithçka duhet të merret me rezervë. Përderisa disave ky lloj komunikimi u ofron mundësi të lirisë së të shprehurit të mendimeve, sinqeritetit, guximit, të tjerëve u ofron mundësi për të servuar gënjeshtra, për të mashtruar dhe trilluar. Të gjithë që dëshirojnë kanë qasje në të. Prandaj mashtrimet nuk janë mangësi e mediumit të këtillë, po ato janë mangësi që tregojnë mangësitë individuale të njeriut.

Përparësitë e njohjes përmes internetit
1. Mundësitë për të takuar personat e shpirtit janë të zgjeruara dhe përfshijnë krejt botën.
2. Njoftimet bëhen në bazë të interesave të përbashkëta. Këto shpesh shpien në mirëkuptim dhe tek ju zhvillohet ndjenja se ju takon dikush apo i takoni dikujt. Njoftimet bëhen në bazë të atraktivitetit, miqësisë dhe dashurisë.
3. Nuk ekziston palakmueshmëri apo pasiguri, sikurse në takimet e drejtëpërdrejta. Njerëzit anojnë t’i zbulojnë më shpejtë mendimet dhe qëndrimet e veta në këtë mënyrë.
4. Duke qenë se ka mundësi të editohet teksti, mendimet dhe shprehjet janë më konçize, më përmbajtësore dhe të paramenduara mirë.
5. Ndjenja e vetmisë gati nuk ekzison, pasi gjithnjë del dikush që është në disponim të komunikoj me ju.

Mangësitë e njohjes përmes internetit
1. Mungesa e gjesteve përcjellëse si: ngjyra e zërit apo e shprehjeve të fytyrës që flasin shumë, mungesa e afërsisë fizike.
2. Mungesa e erës, shijes dhe prekjes.
3. Keqkuptimi në komunikim (për shkak të mënyrës së interpretimit fiks dhe vonesës së shkrimeve në rrjet).
4. Jo sinqeriteti i personave që e keqpërdorin këtë medium komunikimi. Për shembull: thjesht dikush dëshiron të argëtohet në llogari tuajën, pastaj, gënjeshtrat për punën, luajta e roleve, gënjeshtrat për statusin martesor, fëmijët, gjininë, moshën dhe gjithnjë ka të tillë që gënjejnë dhe të tillë që besojnë.
5. Edhe pse ekziston mundësia e këmbimit të fotografive, dëgjimit të zërit etj., prap se prapë mungesa e prekjes, shikimit në sy, intonimit të zërit dhe vetë fluidi i kontaktit shpirtëror (parandjenja kur takohesh me një person, apo përshtypja e parë fizike) mungojnë. Ata që mashtrojnë, madje mund t’ua dërgojnë fotografinë e dikujt tjetër, zëri mund të jetë i tjetërkujt, shkrimet po ashtu. Mund të gënjejnë edhe për përkatësinë etnike, bindjet fetare, gjininë, etj.

Dashuria virtuale, dashuri e kohës së re
Dashuria virtuale pajtohemi ne apo jo është dukuri e kohës së re. Shumë çifte fillojnë me shkrimin e e_mail-eve, përderisa lista e atyre që hyjnë në martesë për shkak të kësaj dashurie virtuale, dita ditës rritet. Të tjerët këtë e marrin si argëtim, largim nga monotonia. Dikush me këtë mjekon vetminë, ndjenjën e turpit (në jetë private është lepur, në internet luan, dashnor i famshëm), mangësitë fizike, pakënaqësitë, anomalitë dhe sëmundjet tjera shpirtërore. Pra, gjithçka zhvillohet si në jetën private. Interneti është vetëm medium që na bashkon. Gjërat e tjera varen nga vet ne, sa të sinqert jemi, çfarë zemre kemi. Natyrisht, këtë shkrim po e përfundoj me thënien: “Nëse dikush më mashtron një herë, më vjen keq për të, nëse më ka mashtruar edhe herën e dytë, atëherë faji duhet kërkuar brenda vetes”.

25 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›