Qeveria mashtron pedagogët për rritjen e rrogës
Jonida Tashi
Qeveria prej katër vjetësh i ka mashtruar pedagogët me rritjen e pagave të tyre. Urdhri i fundit për heqjen e pagës shtesë për lektorët me “Diplomë Master i Nivelit të Dytë” ka bërë që pedagogët të reagojnë për vendimet që janë marrë për pagat që ata përfitojnë. Specialistët e arsimit të lartë shpjegojnë se në katër vitet e fundit, rrogat e pedagogëve janë rritur me zero për qind. Sipas tyre, në çdo datë 1 korrik, qeveria ka bërë thjesht indeksimin e pagave të personelit akademik, megjithëse ka deklaruar se pagat e pedagogëve janë rritur me 5 për qind. Kjo shifër sipas tyre, nuk është rritje page, pasi ata vazhdojnë të përfitojnë sërish të njëjtën rrogë, por është indeksimi i pagës në bazë të inflacionit.
Reagimi
Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur se edhe nga rritja e pagave të pedagogëve, e bërë nga qeveria në muajin korrik të këtij viti, pedagogët nuk kanë përfituar asnjë rritje në rrogë. Sipas këtyre burimeve, vetëm administrata e universiteteve ka një shtesë të vogël mbi pagë gjatë këtij viti akademik, ndërsa pagat e trupës pedagogjike kanë mbetur të njëjta me vitet e mëparshme. Prej katër vjetësh, me gjithë premtimet që tashmë kanë rezultuar boshe, qeveria nuk ka bërë asnjë rritje të re në pagat e pedagogëve. Ky problem rikthen edhe njëherë në qendër të vëmendjes grevën e bërë nga pedagogët e disa universiteteve në vitin 2004. Kërkesat e profesorëve të universiteteve që braktisën auditoret në vitin 2004 kishin të bënin me aspektin financiar si dhe me përmirësimin e gjendjes së arsimit të lartë në Shqipëri. Përsa i përket aspekteve financiare ato kishin të bënin me fondet e shtetit për arsimin, me shlyerjen e detyrimeve që shteti ka ndaj stafeve akademike për vitin 2004.
Pedagogët
Sipas pedagogëve, indeksimi i pagave i marrë me vendim qeverie, por edhe rritja e premtuar po nga qeveria e pagave nuk ishte zbatuar. Një pikë e cila është refuzuar kategorikisht ka qenë rritja dyfish e pagës së pedagogëve, pasi është konsideruar e papranueshme, dhe është pranuar mundësia e rishikimit të nivelit të pagave. Por edhe tani pas katër vitesh pedagogët po përballen sërish me të njëjtin problem. Qeveria dhe Ministria e Arsimit jo vetëm që nuk kanë rishikimin e nivelit të pagave, por po kërkojnë t’i marrin atyre edhe shtesën prej 100 mijë lekësh, të cilën u dhanë po vetë një vit më parë. Përballë kësaj situate problematike në vite, pedagogët kërkojnë që ata të trajtohen me të njëjtin status që trajtohet administrata e lartë shtetërore.
25 Tetor 2008