Pakti që zhbllokoi situatën mes Prokurorisë dhe Gardës
Tiranë- Vorbulla e ngërçit që kishte përfshirë Prokurorinë, Policinë dhe Ekzekutivin, është zhbllokuar mbrëmjen e së martës, falë rolit aktiv në këtë çështje të prokurorit amerikan, Mike Cain. Tentativat e vazhdueshme për dorëzimin e gardistëve janë finalizuar vetëm rreth orës 18:00 të pasdites së të martës, kur komandanti i Gardës, Ndrea Prendi dhe pesë vartësit e tij janë paraqitur vullnetarisht në Prokurorinë e Tiranës. Fillimisht, ata u janë nënshtruar procedurave standarde, pra një ekzekutimi “de jure” të urdhër-ndalimeve të mbetura pezull, që prej datës 22 janar, e më pas janë marrë në pyetje nga pesë prokurorët e çështjes. Më pas, pesë oficerët e lartë janë lënë të lirë, ndërsa vetëm shefi i Njësisë Speciale është arrestuar. Sipas deklarimeve të drejtuesve të Gardës, rezulton se asnjë prej tyre nuk ka pranuar të ketë pasur, apo dhënë urdhër për të qëlluar drejt demonstruesve me plumba luftarakë. Duke qenë se momentalisht, prokuroria nuk ka prova që mund të tregojnë se drejtuesit e Gardës kanë urdhëruar efektivët e tyre të qëllojnë mbi demonstruesit, është vendosur përkohësisht që ata të hetohen në gjendje të lirë, duke mos përjashtuar kështu mundësinë e një urdhri të dytë ndalimi, nëse provohet se krerët e Gardës janë të implikuar në humbjen e katër jetëve rreth Kryeministrisë. Pas demonstratës së 21 Janarit, ka pasur negociata të vazhdueshme nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane, të cilët asistojnë Prokurorinë në hetimin e 21 Janarit, për ekzekutimin e urdhër-ndalimeve të prokurorisë, të cilët hapën mjaft debat në vend. Urdhër-ndalimet për zinxhirin komandues të Gardës së Republikës u pasuan me akuza të Kryeministrit Sali Berisha, drejtuar kryeprokurores Ina Rama. Kjo e fundit u akuzua si e implikuar në “puç", por zhvillimet e mëtejshme politike sollën edhe zbutjen e marrëdhënieve mes dy palëve.