E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llupo dhe Ahmetcenaj, të akuzuar për vrasje

Tiranë- Alfred Ahmetcenaj, komandanti i Njësisë Speciale në Gardën e Republikës, ka përfunduar në pranga pas arrestimit të vartësit të tij, Agim Llupo, i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit. Duke qenë eprori direkt i Llupos, pyetjet e prokurorëve për Ahmetcenajn janë vërtitur më së shumti rreth dyshimeve për ekzistencën e një urdhri, për të hapur zjarr mbi turmën. Por komandanti i Njësisë Speciale është përgjigjur prerazi, se nuk ka pasur asnjë urdhër të tillë. Ai ka shtuar madje se vartësit janë porositur të mos qëllojnë në drejtim të njerëzve, e se në dijeninë e tij, është qëlluar në ajër. Në prani të avokatit të tij, Alfred Ahmetcenaj ka shpjeguar edhe vendosjen e efektivëve të Njësisë Speciale në pjesën anësore të Kryeministrisë, duke ngulmuar se ata kanë zbatuar me përpikmëri planin operacional, për ndalimin e sulmit të demonstruesve. Nga ana tjetër, asnjë prej gardistëve të pyetur nuk e ka pranuar këtë hipotezë, duke thënë se askush nuk ka pasur urdhër të qëllojë drejt demonstruesve. Por ekspertiza e armës që vrau Ziver Veizin, e që rezultoi të ishte përdorur nga vartësi i tij, penalizoi Ahmetcenajn, i cili tashmë do të përballet me gjykatën për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese. Në urdhër-ndalimin ndaj kreut të njësisë speciale, Prokuroria ka argumentuar se, Alfred Ahmetcenaj ka pasur si detyrë të drejtonte efektivët e njësisë që kishte nën komandë, njëri prej të cilëve i arrestuar tashmë nën akuzën e vrasjes me dashje, ndaj dy ose më shumë personave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›