Propozimet për status të Kosovës, jashtë realitetit. Tahiri: Kosova do njihet nga 5 vendet e BE

Pavarësisht se Kosova ka shpallur pavarësinë që është njohur nga 85 shtete, propozimet për statusin vazhdojnë edhe më tej. Pas propozimit të Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, edhe përfaqësuesi i BE-së në Bosnjë, Valentin Inzko, ka ofruar një ide të re për statusin e Kosovës. Tadiç kishte përmendur modelin i Irlandës Veriore, kurse Inzko ka sugjeruar shembullin e Tajvanit me Kinën, si formë të përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy ide po qarkullojnë, përderisa Veriu i Kosovës po vazhdon të jetë i bllokuar nga barrikadat e serbëve lokalë që nuk e njohin autoritetin e Prishtinës, raporton e përditshmja e Prishtinës “Express”.
Por, zyrtarët e Qeverisë dhe institucioneve të tjera vazhdimisht e kanë mohuar mundësinë e diskutimit për statusin e Kosovës, me arsyetimin se shteti i ri është njohur nga 85 vende të ndryshme të botës dhe se ka një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare për ligjshmërinë e pavarësisë. Megjithëkëtë, Përfaqësuesi evropian në Sarajevë, Inzko vlerëson se modeli kinezo-tajvanez do të mund të ishte zgjidhje për çështjen e Kosovës. Deklaratave të tij i është përgjigjur zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Ajo ka deklaruar se ide të tilla janë jo reale dhe vijnë nga njerëz që nuk e njohin realitetin. “Këto ide janë jashtë realitetit, jo vetëm të Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, por edhe jashtë realitetit të Ballkanit në përgjithësi, sepse zhbërja e ish-Jugosllavisë ka përfunduar në momentin kur Kosova është bërë shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Tahiri.
Sipas saj, idetë e tilla për statusin e Kosovës nuk kanë kurrfarë ndikimi. Por, a mund të diskutohet në të ardhmen ndonjë ide e tillë? Tahiri thotë se diskutimet do të jenë vetëm në relacion të anëtarësimit të Shtetit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. “Çështja e statusit është kapitull i mbyllur dhe për këto çështje ne nuk diskutojmë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë”, ka shtuar ajo.
Sidoqoftë, analisti Shkëlzen Maliqi vlerëson se idetë e tilla po vijnë pikërisht për shkak të gjendjes në Veri të Kosovës dhe insistimit të Serbisë për atë pjesë. Modelet që kanë ofruar Tadiç dhe të Inzko, sipas Maliqit, janë të parealizueshme. “Tajvani një ditë do të bëhet Kinë, pasi Pekini nuk e njeh këtë shtet. As Irlanda Veriore nuk mund të jetë model për Kosovën. Krejt kjo është e lidhur me veriun, sepse Serbia nuk po dëshiron të lëshojë këtë pjesë të Kosovës”, ka deklaruar Maliqi. Propozimet e fundit për Kosovën nuk janë të vetmet. Më parë ishin përmendur edhe modeli i Tirolit Jugor, ai i dy Gjermanive, Hong – Kongut, por asnjëra nga këto ide nuk është pranuar nga Prishtina.
...