Urrejtja ndëretnike në Shkup, rrihen 15 nxënës shqiptarë

Autobusi ku u sulmuan nxënësit shqiptarë në Shkup
Sulmi nga persona të maskuar. Në gjendje të rëndë pesë nxënës.
Persona të maskuar kanë sulmuar 15 nxënës shqiptarë në Shkup, pesë prej të cilëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore, një në koma. Nxënësit ishin nga fshatrat Çiflikë dhe Seta Petkë të Karshiakës, dhe janë rrahur brutalisht mbrëmjen e së mërkurës nga persona të maskuar në një lagje të Shkupit. Sipas dëshmive të nxënësve për agjencinë INA, rreth 20 persona me maska dhe shufra druri e hekuri kanë ndaluar një autobus linje Shkup-Seta Petkë që po transportonte nxënësit shqiptarë dhe i kanë rrahur ata brutalisht, pas orës 19:30. Nxënësit menjëherë janë dërguar në Spitalin e Shkupit, ku gjatë natës kanë mbërritur edhe prindërit e tyre. Çfarë po ndodh në këtë vend? Si mund të sulmohen fëmijët në mënyrë aq mizore dhe brutale. Ku janë policët që po promovohen se do të jenë tani në çdo cep të kryeqytetit. Kërkojmë urgjentisht kapjen e autorëve, thanë prindërit e revoltuar. Një 17-vjeçare është në gjendje kome. Të gjithë të rinjtë ishin të traumatizuar nga ngjarja e rëndë, e cila i kishte gjetur të papërgatitur dhe pa asnjë provokim nga ana e tyre. Gjatë natës por edhe dje gjatë ditës, në spital kanë qëndruar forca policie, si për të dëshmuar se të rinjtë janë të sigurt tani, edhe pse vonë. Komuna Kisella Vodë është e banuar nga etnia maqedonase në dalje të Shkupit në pjesën që kufizohet me rajonin e Karshiakës, e cila banohet nga popullsia shumicë shqiptare. Për incidentin kanë reaguar Lëvizja Zgjohu, Partia Rilindja Demokratike Kombëtare, BDI-ja, Vetëvendosje etj. Zyrtarja e lartë e BDI-s, deputetja Ermira Mehmeti, e ka quajtur këtë ngjarje tragjike. Informacionet e para duken të paqarta, por flasin për një skenar relativisht të menduar mirë dhe kjo na shqetëson seriozisht, tha ajo. Incidenti i rëndë ka ndodhur vetëm pak ditë pasi një polic maqedonas vrau dy të rinj shqiptarë pas një debati për parkimin makinës. Urrejtja ndëretnike është rritur gjatë kohëve të fundit në Maqedoni, dhe analistët fajësojnë për këtë edhe politikën, për mosrespektimin Marrëveshjes së Ohrit e për më tepër, heqjen e të drejtave të përdorimit të simboleve shqiptare më raste festash, edhe në zonat ku shumica e popullsisë janë shqiptarë. Në Shkup, më shumë se 25 për qind e popullsisë janë shqiptarë, e megjithatë ata nuk gëzojnë të drejta siç duhet ti kenë minoritetet sipas standardeve europiane. Urrejtja kundër shqiptarëve ka qenë e hershme në Maqedoni dhe u finalizua me luftën ndëretnike të vitit 2001, e cila mori fund me Marrëveshjen e Ohrit.