E Diel, 1 Nëntor 2026

Uruguai 1930: Kupa mbetet ne shtëpi

Fation Shehu (Panorama Sport)- Botërori i parë futbollistik u zhvillua në Uruguai, më vitin 1930. Ishte hera e parë që kombëtaret e futbollit të shteteve mblidheshin në një vend të vetëm, për të nxjerrë një fitues. Edhe pse futbolli ishte pjesë e Lojërave Olimpike të zhvilluara dy vite më parë, nuk ishte organizuar asnjë herë një kompeticion botëror për sportin e futbollit. U vendos që do të zhvillohej në Uruguai. Në fakt, numri nuk ishte aq i madh saç pritej, pasi vetëm 13 skuadra konfirmuan pjesëmarrjen e tyre. Një prej ekipeve që zhgënjeu më shumë, për faktin që nuk mori pjesë, ishte pikërisht Kombëtarja e Anglisë. Këta të fundit vendosën të bojkotojnë turneun, duke u shprehur se ishin ata vendi që shpikën sportin e futbollit dhe për rrjedhojë duhet të ishin edhe vendi organizator i Botërorit të parë. Duke qenë se dëshira e tyre nuk u plotësua, atëherë ata vendosën që të mos udhëtojnë për në Uruguai. Por shtetet e tjera kishin probleme më njerëzore, duke parë edhe periudhën. Disa prej shteteve evropiane deklaruan se nuk do të shkonin për shkak të largësisë së madhe. Duhet theksuar se në atë kohë transporti bëhej me anije dhe duhej një kohë e gjatë për të shkuar nga një vend i Evropës për në Uruguai. Por, kishte edhe nga ata shtete që deklaruan se ishin në krizë financiare dhe nuk mund t’i lejonin vetes shpenzime të tilla. Kombëtarja e Spanjës kishte një tjetër arsye për të mos marrë pjesë. Ata kishin vetëm pak muaj që kishin krijuar ekipin kombëtar dhe duke marrë parasysh situatën, vendosën që më mirë të mos shkojnë, në mënyrë që të përgatiten për kompeticiion e radhës. Madje trajneri i tyre, Hoze Maria Mateos, deklaroi se do të ishte thjesht një humbje kohe, pasi për aq kohe sa zgjaste rruga, ata mund të forcoheshin më shumë si ekip.

70
gola u shënuan gjatë gjithë ndeshjeve të Kupës së Botës, duke pasur një mesatare mjaft të lartë, pikërisht prej 3.89 golash për ndeshje.

24
mijë e 139 spektatorë në stadium ka qenë mesatarja e shikueshmërisë në ndeshjet e Botërorit të parë, ndërkohë që shifra e përgjithshme e tyre ishte 434 mijë e 500.

Lojtarët, Kombëtarja e SHBA-së, e përbërë me skocezë dhe anglezë

Shtete e Bashkuara të Amerikës nuk kishin shumë vite që e praktikonin sportin e futbollit dhe sigurisht që nuk kishin edhe shumë futbollistë cilësorë. Gjithsesi, për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze në Kupën e Botës, në përbërjen e tyre ata kishin futbollistë skocezë dhe anglezë. Kjo gjë u përfol gjatë në atë kohë, sidomos nga Anglia, e cila nuk mori pjesë, duke lënë të nënkuptohej se do kishin arritur të fitonin pa probleme Kupën e Botës. Ata i cilësuan futbollistët anglezë dhe skocezë që bënin pjesë te kombëtarja amerikane si lojtarë të një niveli të ulët për skuadrën e tyre, ndaj edhe i mori një ekip si SHBA. Në atë kohë, dy shtete kishin marrëdhënie të mira diplomatike, por jo aq sa për të lënë jashtë inatet sportive.

170
mijë euro ka qenë paratë e përfituara nga organizatorët e kompeticionit, të konvertuara me vleftën e sotme, por që në atë kohë ishin një shifër shumë e madhe.

Montevideo, I vetmi Botëror që u zhvillua në një qytet

Kupa e Botës e zhvilluar në Uruguai pati shumë të veçanta, por një prej tyre që vazhdon ta bëjë unike, ishte fakti që u zhvillua në një qytet të vetëm. Gjithçka ndodhi në Montevideo, ku ishin edhe tri stadiume të ndryshme. Fakti që nuk kishte shumë skuadra, bëri që organizatorët ta përballojnë pa probleme fluksin e ndeshjeve dhe mbi të gjitha, shikueshmëria ka qenë e jashtëzakonshme. Plot 434.500 veta kanë qenë spektatorë në stadiume gjatë përballjeve të këtij kompeticioni. Edhe pse nuk kishte shumë kohë që ishte krijuar dhe nuk është aq popullor si sot, sporti i futbollit arriti t’i mahnitë njerëzit.

Zbulimi, Kombëtarja amerikane i kaloi të gjitha parashikimet

Skuadra që surprizoi më shumë në Kupën e Botës së zhvilluar në Uruguai ishte pikërisht Kombëtarja e SHBA-së. Ata nuk ishin konfirmuar si një vend që kishin evoluar mjaftueshëm me sportin e futbollit dhe në Botëror pritej që të ishin një nga ekipet më zhgënjyese, por nuk ndodhi aspak një gjë e tillë. Ata i kishin marrë mjaft mirë masat dhe në skuadër kishin futbollistë mjaft të talentuar skocezë, siç ishin Xhon Uord, Xhejms Galager, Xhejms Braun dhe Bert MekGi. Amerikanët u kualifikuan për në gjysmëfinale, duke dalë të parët në grupin e tyre. SHBA mundi Belgjikën dhe Paraguain, të dyja me rezultatin 3-0. Gjithsesi, në gjysmëfinale pësuan humbje të thellë, kur u mundën me rezultatin 6-1 nga Argjentina.

Brazili, Lojtari më i talentuar nuk luajti, sepse ishte me ngjyrë

Kombëtarja e Brazilit u cilësua si zhgënjimi i kompeticionit. Të gjithë prisnin që ata të bënin diferencën, pasi futbollistët brazilianë kishin krijuar një reputacion mjaft të mirë në atë kohë. Gjithsesi, Brazili nuk arriti të kalojë dot fazën në grupe. Një nga arsyet e dështimit u cilësua edhe fakti se futbollisti më i talentuar i tyre, Artur Fridenreish, nuk u lejua që të ishte pjesë e Kombëtares. Kjo për faktin se ai ishte me ngjyrë dhe në atë kohë nuk lejohej që shtetet të përfaqësoheshin nga futbollistë me ngjyrë. Fridnereish kishte baba gjerman dhe nënë afrikane, por kishte shkuar shumë i ri në Brazil, për shkak se i ati ishte një biznesmen i suksesshëm. Frinereish i dha fund karrierës së tij në vitin 1935 dhe nuk iu dha kurrë mundësia që të luante me kombëtaren.

Sulmuesi, Hektor Kastro, goleadori që s’kishte njërën dorë

Sulmuesi Hektor Kastro ka hyrë në historinë e futbollit uruguaian për shumë arsye. Ai ishte ylli i ekipit të tij kombëtar dhe mbi të gjitha, shënoi golin e parë për vendin e tij, në një Kupë Bote. Kastro zhvilloi 25 ndeshje me kombëtaren dhe shënoi 18 gola. Por përveç aftësive të tij në fushën e lojës, ajo që e bënte të veçantë ishte fakti se ai nuk e kishte krahun e djathtë. Kur ishte 13-vjeç Kastro pësoi një aksident dhe doktorët i prenë krahun. Gjithsesi kjo nuk e pengoi që të bëhej një futbollist i jashtëzakonshëm dhe një ndër më të suksesshmit në atë periudhë. Gjatë karrierës së tij ai luajti me klubin e Nacionalit. Në vitin 1939 u bë gjithashtu trajneri i kësaj skuadre, ndërsa në vitin 1959 mori drejtimin e Kombëtares së Uruguait.

Një biznesmen britanik ndaloi Kombëtaren e Rumanisë

Kombëtarja e Rumanisë ishte një nga ato 13 skuadra që mori pjesë në Kupën e Botës së vitin 1930, por për ta nuk ka qenë aspak e lehtë. Edhe pse futbolli ishte një sport që praktikohej në vendin e tyre, nuk ishte profesionist dhe lojtarët nuk përfitonin të ardhura nga kjo gjë. Pjesa më e madhe e kombëtares rumune punonte në një fabrikë britanike dhe kur pritej që ata të niseshin për në Uruguai, pronari i fabrikës nuk e lejoi një gjë të tillë. Ai nuk dëshironte që t’i largoheshin punëtorët dhe të kishte probleme në administrimin e biznesit të tij. Çështja u bë aq e madhe, sa pati edhe ndërhyrje politike. U desh ndërhyrja e Mbretit të Britanisë së Madhe për ta zgjidhur këtë çështje. Pikërisht pas vendimit të tij, punëtorët u lejuan të largohen. Edhe pse u bë një luftë e madhe, nuk është se ata arritën të jenë shumë të suksesshëm. U vunë në një grup me Perunë dhe me vendin organizator të kompeticionit, Uruguain. Në përballjen me peruanët arritën të fitojnë me rezultatin 3-1, por në sfidën kundër uruguaianëve u mundën 4-0 dhe kjo bëri që të eliminohen që në grupe. Në atë kohë, kualifikohej vetëm skuadra e parë dhe më pas merrte pjesë direkt në fazën gjysmëfinaliste. Gjithsesi, rumunët u mundën nga ekipi që do të triumfonte në atë kompeticion. Që pas Kupës së Botës, në Rumani futbolli u bë një sport mjaft më i rëndësishëm. Madje, futbollistë cilësorë arritën të sigurojnë jetesën e tyre vetëm duke praktikuar këtë sport, sepse edhe pagat u rritën ndjeshëm. Që prej asaj kohe, lojtarët e Kombëtares së Rumanisë nuk bënin punë tjetër përveç futbollit.

Risia, disa lojtarë mbanin kapele, se i trembeshin topit të fortë

Bëhet fjalë për një periudhë prej 80 vitesh më parë, ndaj një gjë e tillë duket paradoks në ditët e sotme. Në Botërorin e Uruguait, disa futbollistë morën masa mbrojtëse jo vetëm për lojtarët kundërshtarë në fushën e lojës, por edhe për vetë topin. Ai ishte i përbërë nga një lëkurë mjaft e trashë dhe topi ishte shumë i fortë. Disa futbollistë vendosën që të mbajnë kapele mbrojtëse në kokë, në mënyrë që të luftonin pa frikë, për të goditur topin me kokë. Pikërisht ky element bëri që të punohej akoma më shumë me topin dhe në kompeticionet e ardhshme ai erdhi gjithmonë duke u përmirësuar dhe duke u bërë më i lehtë në përdorim. Gjithsesi, askush nuk mbeti i vrarë nga topi në atë kompeticion, mbase edhe për faktin se futbollistët i kishin marrë masat në të gjitha mënyrat. Ndërkohë, përsa i përket lojës së zhvilluar, ajo nuk ishte shumë e ashpër, mbase edhe nga fakti që rregullat ishin vënë mirë në zbatim asokohe.

Argjentinasi Guilermo Stabile, golashënuesi
më i mirë i kompeticionit

Tashmë jepet “Këpuca e Artë” për golashënuesin më të mirë, por në atë kohë ishte një çmim pak më modest. Gjithsesi, futbollisti që arriti të shënojë më shumë gola ishte argjentinasi Guilermo Stabile. Në atë kohë 25 vjeç, ai arriti të shënojë plot tetë herë, në vetëm katër ndeshje të zhvilluara. Në atë kohë ai ishte transferuar nga Hurakani, te italianët e Xhenoas. Më pas, sulmuesi shtatshkurtër u transferua te Napoli. Pasi i dha fund karrierës futbollistike në vitin 1939, ai u bë trajner dhe ndër skuadrat që drejtoi, ishte edhe ekipi kombëtar i Argjentinës, nga viti 1939 deri në vitin 1960, duke triumfuar tri herë në Lojërat Pan Amerikane. Ndërsa në Kupën e Botës nuk mundi të jetë shumë rezultativ.

Lojtarët, Formacioni më i mirë, vetëm
uruguaianë dhe argjentinas

Formacioni më i mirë i kompeticionit nuk pati asnjë futbollist nga kombëtare të tjera, përveç asaj të Argjentinës dhe Uruguait. Ishin pikërisht këto dy ekipe që dolën edhe në finale. Në portë ishte argjentinasi Botaso. Ai ka qenë një ndër portierët më të mirë të asaj epoke dhe e tregoi një gjë të tillë edhe në botëror. Ndërkohë që pjesa tjetër e formacionit ishte e përbërë nga gjashtë lojtarë të përfaqësueses së Uruguait dhe katër argjentinas. Problemi i formacionit më të mirë të publikuar në atë kohë ishte se, futbollistët nuk ishin të zgjedhur për pozicionet e tyre. Kishte më shumë mesfushorë e sulmues, sesa mbrojtës. Gjithsesi, lojtarët e përzgjedhur kishin arritur të tregonin një nivel të lartë.

Rregullorja
Në atë kohë, rregullat ishin të ndryshme me epokën e tanishme. Një fitore vlerësohej me dy pikë, ndërsa barazimi me një. Kjo bënte që të mos krijoheshin të njëjtat diferenca në renditje, siç krijohen në periudhën e sotme.

Vendi i tretë
Ndryshe nga botërorët e ardhshëm, ndeshja për vendin e tretë dhe të katërt që duhet të zhvillohej mes SHBA-së dhe Jugosllavisë, nuk u zhvillua. Kjo për faktin se Jugosllavia protestoi për gabime në humbjen 6-1 ndaj Uruguait dhe në shenjë proteste nuk luajti.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 08 Qershor 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›