E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali 1934 – Duçe bekon triumfin “axurr”

Jeton Stamolla (Panorama Sport) - Më 1934 kriza e madhe që ka pushtuar botën, duket si fashistët. Ndërkohë, në atë periudhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës numëroheshin ende 13 milionë të papunë. Në Gjermani, pas vdekjes së Hindenburgut, vjen në fuqi Adolf Hitleri. Dhe në këtë gjëndje të nderë italianët organizojnë botërorin e dytë të futbollit. Idhulli dhe lideri i kësaj skuadre është Xhuzepe Meaca. Por trajneri Vitorio Poca vendosit të mbështetet edhe te pjekuria e Guaitës, këmbëngulja e Skiavos, fantazia e Orsit, nën regjinë e Ferrarit në mesfushë. Kjo është bërthama e skuadrës së kaltër me ambicie për të fituar këtë Botëror. Kundërshtarët janë mëse të respektueshëm, Austria, Hungaria, Çekosllovakia, Zvicra, Spanja dhe natyrisht Argjentina e Brazili. Por mungon Uruguai. I fyer nga mungesa e skuadrave të njohura evropiane në edicionin e katër viteve më parë, i zhvilluar në Uruguai dhe i firuar pikërisht nga kjo përfaqësuese, amerikanojugorët vendosin të mos marrin pjesë.

Çekosllovakia & Austria

Të zotët e shtëpisë pas një galopimi të këndshëm kundër diletantëve të SHBA-së me rezultatin 7-1, hyjnë të mbushur me frymëzim në takimin me Spanjën. Në portën e furive të kuqe, siç quhen spanjollët, është portieri i magjishëm Zamora, para të cilit hipnotizohet edhe një sulmues i pamëshirshëm si Xhuzepe Meaca. Mirëpo italianëve u has sharra në gozhdë dhe mezi e mbyllin me një barazim takimin e parë (1-1), duke llogaritur këty edhe 30 minutat e kohës shtesë (atëherë nuk gjuheshin penalltitë, por bëhej një ndeshje e dytë). 11 lojtarë nga të dyja skuadrat, për shkak dëmtimesh, nuk marrin pjesë në takimin e dytë. Midis tyre portieri Zamora i dëmtuar. Dhe, italianët e kanë më të lehtë sfidën, ndonëse spanjollët ankohen se gjyqtari zvicerian nuk u dha një 11-metërsh në favor të tyre. Më pas Federata Zviceriane e Futbollit e pezullon këtë arbitër, por ndërkohë Italia ka kaluar në turin e dytë. Edhe me Austrinë italianët i kanë punët pisk. Austriakët patën eleminuar Hungarinë dhe vinin plot optimizëm në fushë. Përfaqësojnë skuadrën e madhe dabuiane, të quajtur “Vundertim” (skuadra çudi), të drejtuar nga trajneri i famshëm Ugo Meisli. Por këtë radhë Italia e Xhuzepe Meacës fiton pa lënë pikëpyetje, ndonëse me rezultatin e ngushtë 1-0.

Finalja

Vjen pastaj takimi final me Çekosllovakinë në Romë. Në finale të botërorit 1934 merr pjesë edhe diktatori Benito Musolini. Siç dëshmon më vonë presidenti i FIFA-s, Zhyl Rime që në këtë finale ndodhej pranë tij, “Duçja” i cili nuk kishte haber nga futbolli, mbetet si i ngrirë gjatë gjithë takimit. Po kur Skiavio shënon golin e fitores, fytyra e tij përndritet. Është një takim i këndshëm, i bukur edhe në aspektin teknik e taktik. Italianët kanë epërsi në fushën e lojës, por golin e shënojnë të parët çekët me anë të Pucit. Kur mbeteshin edhe 21 minuta lojë nga fundi, pasi kalon disa çaste nervozizmi, skuadra italiane galvanizohet dhe Monti me Ferrarin merren vesh midis tyre dhe aksionin që marrin përsipër e mbyll Orsi, duke shënuar me një goditje të fortë. Përsëri 30 minuta shtesë loje si me spanjollët. E pastaj goli historik i Anxhelo Skiavos, pas topit të dhënë, nga Guaita. Atëherë Skiavio bie i lumtur përtokë i mbuluar nga puthjet dhe përqafimet e shokëve. Italianët janë Kampionë të Botës pas 120 minutash lojë, për të parën herë dhe për më shumë përpara publikut të tyre.

Formacioni më i mirë i Botërorit 1934 (4-3-3)
Orsi (Itali)
Skiavio (Itali)
Meaca (Itali)
Guaita (Itali)
Nejedli (Çekosllovaki)
Bertolini (Austri)
Vagner (Austri)
Kuinkokes (Spanjë)
Monti (Itali)
Monzelio (Itali)
Zamora (Spanjë)

Sulmuesi i Italisë Xhuzepe Meaca, simboli i Botërorit të 1934-ës

I shfaqur në radhët e Ambroziana Inter në fillim të kampionatit të vitit 1927, kur nuk ishte vetëm 17 vjeç, Xhuzepe Meaca do të trondiste stadiumet e Italisë e do të ndiqet me admirim nga sportdashësit deri më 29 gusht të vitit 1947, kur do të mbyllë përfundimisht jetën e tij sportive. Gjatë 20 viteve karrierë, Meaca ka shënuar 273 gola në kampionatin kombëtar dhe ka fituar 2 kampionate të Serisë A dhe është shpallur 3 herë golashënuesi më i mirë. Në botërorin italian ishte 24 vjeç, i ri, por i pjekur. Shndërrohet në regjizorin e skuadrës. Si i tillë paraqitet edhe në Botërorin e Francës të zhvilluar 4 vjet më pas, më 1938, kur përsëri ndihmon Italinë të fitojë për të dytën herë radhazi Kupën e Botës. Ndeshjen e fundit me përfaqësuesen e Italisë, e zhvilloi në vitin 1939.

Planiçka, portieri më i shkurtër

Nuk ishte më shumë se 173 centimetra i gjatë, por mbahet mend si një ndër portierët më të mirë në Evropë. Mahnit në botërorin e 1934-ës me pritjet e tij. 4 vite më pas e gjejmë përsëri në radhët e ekipit kombëtar çekosllovak dhe shfaqet përsëri i magjishëm në fushat e Francës, gjatë botërorit të tretë. Frantisek Planiçka e mbyll karrierën pasi ka luajtur 75 ndeshje me kombëtaren dhe 1000 ndeshje me skuadrën e tij Sllavia Praga.

Kombi, kampion bote rastësisht

Kolegu i Planiçkës, Kombi, bëhet kampion bote krejt rastësisht. Trajneri Vitorio Poco e grumbullon Kombin vetëm se portieri titullar pëson një dëmtim vetëm disa ditë përpara fillimit të Botërorit. Në ekipin kombëtar regjistron 47 ndeshje (28 fitore, 9 humbje, 10 barazime dhe 65 gola të pësuar). Gjatë jetës së tij sportive prej 13 vitesh në paraqitjet e tij me klubet, zhvillon vetëm 35 takime në karrierë, por feston 5 tituj kampion.

Sindelari, “Moxarti i futbollit”

Sindelari 31-vjeçar kishte një fytyrë disi të zbehtë, flokë të drejtë dhe të ndarë me një vijë në mes, trup të zhdërvjelltë, ndonëse jo shumë i bëshëm. Sindelari zhvillon me përfaqësuesen austriake 43 takime nga viti 1926 deri në vitin 1938, duke u cilësuar kështu futbollisti më i mirë i Botërorit 1934 dhe mbiquhet “Moxarti i këtij sporti”. Ishte dhe mbetet futbollisti më i famshëmë i kombëtares së Austrisë.

Skiavio, debutuesi më i ri në futboll

Nisi të luante futboll më 1922 në radhët e Bolonjës, kur nuk ishte veçse 15 vjeç dhe e mbyll jetën sportive përsëri me Bolonjën. Gjatë kësaj periudhe fitoi 4 tituj kampion (1925, 1929, 1936, 1937) dhe në sezonin 1931-1932 shënoi 25 gola, duke fituar kështu edhe titullin golashënuesit më të mirë së bashku me Petronën e Fiorentinës. Më 4 nëntor 1925 kur nuk kishte mbushur 18 vjeç zhvilon takimin e parë me skuadrën kombëtare.

Italianët e kanë në gjak presionin
kundrejt gjyqtarëve

Nëse do të kthehemi prapa në kohë, konfirmohet se njerëzit e futbolli italian e kanë në gjak presionin ndaj gjyqtarëve, apo më saktë kanë qejf t’i nënshtrojnë xhaketat e zeza për të përfituar prej tyre. Mesa duket skandali “Calciopoli” që njollosi në vitin 2006 futbollin italian ka një prejardhje të largët. Kjo gjë daton që nga viti i largët 1934, pikërisht në edicionin e dytë të Kupës së Botës të zhvilluar në gadishullin Apenin dhe të fituar nga vendasit e Italisë. Por mesa duket, kompeticioni i 1934-ës nuk ka qenë dhe kaq i qetë, sepse në ajër ndihej një klimë favorizuese kundrejt të kaltërve. Kjo gjë mund të shpjegohet edhe me faktin se Kupa e Botës 1934 zhvillohej në tokën e Benito Musolinit, diktatorit fashist italian, i cili edhe pse nuk kuptonte asgjë nga futbolli, kërkonte të kënaqte popullin e tij. Pastaj, fakti që shumica e lojtarëve të kombëtares italiane të këtij viti militonte në Juventusin e madh bënte përshtypje gjithsesi edhe tek vetë gjyqtarët, që të toleronin diçka kundrejt skuadrës së vendit organizator. Ashtu si në kohët e sotme, gjykimi në Botëror përbënte një problem për trajnerët, mbi të gjitha kur përballë do të duhet të ndeshesh me djemtë e Benito Musolinit. Jo më kot, fillimisht Spanja protestoi në ndeshjen çerekfinale që i dha kualifikimin italianëve, ndërkohë që gjyqtari i atij takimi i mohojë iberikasve një penallti të qartë. Dyshimet mbi favoret kundrejt Italisë ishin aq të qarta saqë përpara ndeshjes gjysmëfinale, trajneri i Austrisë, Hugo Meisl deklaroi përpara takimit: “Më shumë sesa Italisë i trembem gjykimit të arbitrit”. Dhe në fakt, goli vendimtar për kualifikimin e italianëve hapi një debat të madh, sepse goli i shënuar nga iatlo-argjentinasi Guaita erdhi pasi Xhuzepe Meaca kishte përplasur në tokë portierin austriak.

Finale
10/05/1934
Itali – Çekosllovaki 2–1
Shënues: Puç (Ç) 7’, Orsi (I) 81’, Skiavo (I) 95’
Italia: Konti, Manxelio, Alemandi, Ferrari, Monti, Bertolini, Guaita, Meaca, Skiavio, Ferrari, Orsi
Çekosllovakia: Planiçka, Zinesek, Ctiroki, Kostalek, Kambel, Kercli, Junek, Svodoba, Sobotka, Nejedli, Puç
Gjyqtar: Eklind (Suedi)
Spektatorë: 50.000

Rezultatet
Itali–SHBA 7-1
Spanjë-Brazil 3-1
Austri-Francë 3-3
Zvicër-Holandë 3-2
Suedi–Argjentinë 3–2
Gjermani–Belgjikë 5–2
Çekosllovaki–Rumani 2–1
Hungari–Egjipt 4–2

Çerekfinalet
Itali–Spanjë 1–1
Çekosllovaki–Zvicër 3–2
Austri–Hungari 2–1
Gjermani–Suedi 2–1
Itali–Spanjë 1–0 (ndeshja e dytë)

Gjysmëfinalet
Itali–Austri 1–0
Çekosllovaki–Gjermani 3–1

Për vendin e 3-të
Gjermani–Austri 3–2

Finalja
Itali-Çekosllovaki 2-1

Golashënuesit
Nejedli (Çekosllovaki) 5
Konen (Gjermani) 4
Skiavio (Itali) 4
Orsi (Itali) 3
Kielholz (Zvicër) 3
Meaca (Itali) 2
Vorhof (Belgjikë) 2
Favzi (Egjipt) 2
Horvat (Austria) 2
Puc (Çekosllovaki) 2

8 qytete
ishin ato që pritën Botërorin italian, Bolonja, Firence, Xhenova, Milano, Napoli, Roma, Torino dhe Trieste, në ndryshim nga Botërori i Uruguait, i cili u zhvillua në një stadium të vetëm.

Hera e parë
Në vitin 1934 ishte hera e parë (edhe pse ishim vetëm në edicionin e dytë të këtij kompeticioni) që vendi organizator duhej të fitonte të drejtën e pjesëmarrjes në Kupën e Botës, pasi të kishte kaluar nga ndeshjet eliminatore. Në atë vit, Itali mundi me rezultatin 4-0 Greqinë dhe siguroi pjesëmarrjen e saj në Botëror, të cilin do ta fitonte gjithashtu.

21059 tifozë
kishte mesatarish në 17 ndeshjet e zhvilluara gjatë këtij kompeticioni në çdo stadium të Italisë, për një total prej 358 mijë sportdashësish të pranishëm në Botërorin italian të vitit 1934.

Mesatare e lartë golash
Gjatë 17 ndeshjeve të Kupës së Botës 1934 u realizuan saktësisht 70 gola. Mesatarja e lartë e realizimeve natyrisht që dëfreu shumë edhe sportdashësit italianë, sepse për çdo ndeshje, ata kishin luksin të shihnin mesatarish 4.12 gola për takim. Kjo gjë vinte edhe falë lojtarëve të talentuar që atë viti shkelnin në stadiumet italiane, si Meaca, Skiavio, Sindelari e të tjerë.

Përfitimi Italia fitoi nga Botërori vetëm 750 euro
Zhvillimi i kampionatit botëror, i solli Italisë një përfitim diçka më shumë se 1 milionë e gjysmë lireta, një shifër e konsiderueshme kjo për epokën. Por nëse këtë shifër do ta konvertonim me kursin e sotëm, atëherë i gjithë përfitimi nga Botërori ka qenë 750-800 euro, diçka absurde kjo për ditët e sotme. Ndërkohë, secili nga kampionët e botës italianë fitoi një zarf me 20 mijë lireta brenda.

16 përfaqësuese
morën pjesë në këtë edicion të Kupës së Botës në Itali, nga të cilat 12 ishin evropiane, 3 amerikane dhe për herë të parë 1 skuadër afrikane, konkretisht kombëtarja e Egjiptit.

Diktatori fashist italian
Musolini “mbret” i terrorit edhe në sport

Në mesin e viteve 1930 në Evropë kishin filluar ndryshimet rrënjësore. Lufta për pushtet e vendeve të ndryshme, si Gjermania, Italia e Franca, në shumë prej të cilave ekzistonte forma e qeverisje diktatoriale, gjithsesi i lanë vend botës së sportit që të lulëzonte, siç e konfirmon edhe fakti i organizimit të Olimpiadave apo kampionateve botërore të futbollit dhe sportive të tjera. Por gjithsesi, tensioni dhe frika ekzistonte në çdo cep të botës, në çdo profesion që ushtroje, ashtu sikurse edhe në sport. Me rastin e organimizit të Botërorit të vitit 1934, kandidate kryesore për organizimin e këtij aktiviteti ishte Suedia, por këmbëngulja dhe presioni i bërë nga fashisti Benito Musolini kundrejt organit të FIFA-s bëri që vendimi të ndërrohej dhe të ishte Italia organizatorja e këtij eventi. Por presioni nuk përfundoi këtu. Gjatë zhvillimit të Botërorit shumë padrejtësi kryen kundrejt rivaleve të Italisë dhe ata që e konfirmuan pas çlirimit këtë gjë ishin vetë protagonistët e kombëtares italiane. Por Benito Musolini nuk kishte nevojë të shkonte në stadium për të ndihmuar të kaltrit, pasi vetë gjyqtarët e emëruar në drejtimin e këtyre ndeshjeve e kishin të qartë këtë gjë. Diktatori fashist u pa në stadiumin e Romës vetëm me rastin e finales së Italisë me Çekosllovakinë të fituar nga vendasit me rezultatin 2-1, pas kohësh shtesë.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 08 Qershor 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›