E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uruguai, finalisti i parë

Uruguai e ka siguruar një vend në finalen e Copa Americas, pas 28 vjetësh. Pas Argjentinës, ekipi i Oscar Tabarez ishte i suksesshëm edhe ndaj Perusë, të cilën e eliminoi në gjysmëfinale. Luis Suarez ishte hero i uruguaianëve, duke realizuar dy gola. Nga Express më 20 korrik 2011 në ora 15:19

Uruguai është finalisti i parë i Copa Americas. Ekipi i Oscar Tabarez i dha fund ‘agjërimit’ prej 28 vjetësh, për ta prekur finalen e Buenos Aires, e cila do të zhvillohet të dielën.

Uruguaianët e kanë fituar deri tash këtë kompeticion 14 herë, derisa tash do ta kërkojnë të 15-in. Pas Argjentinës, Peruja ishte ‘viktima’ e radhës e uruguaianëve. Luis Suarez ka qenë hero i ekipit të kaltër, duke shënuar dy gola në minutat 53 e 58.

“Ishte një ndeshje mjaft e vështirë. Në pjesën e parë nuk kishte qartësi të madhe në lojën tonë, por në pjesën e dytë ishim shumë më efikas dhe ia dolëm të fitojmë. Nevojitej të sulmonim dhe për fat të mirë ia dolëm. Tash do të luajmë në finale të qetë, sepse objektiv yni ishte të arrijmë deri aty”, deklaroi sulmuesi i Liverpoolit, Suarez pas ndeshjes.

I lumtur me kualifikimin në finale ishte edhe selektori Oscar Tabarez. “Duhet ta përdorim të gjithë eksperiencën tonë. Lojtarët e njohin njëri-tjetrin. Jemi mjaft të lumtur që jemi në finale, por të dielën na pret një tjetër sprovë. Duhet të mbetemi të organizuar dhe të disiplinuar”, tha Tabarez pas ndeshjes.

Peruja u eliminua me kokën lart, pasi që rezistoi aq sa mundi dhe ishte kundërshtar i barabartë, edhe pse në pjesën e dytë mbeti pa një lojtar, pas përjashtimit të mesfushorit Vargas.

Selektori i Perusë, uruguaiani Sergio Markarian i ka uruar bashkëkombësit e tij për triumfin e së martës mbrëma. Ai ndihet krenar me atë që treguan lojtarët e tij, të cilët arritën deri në gjysmëfinale të Copa Americas, një sukses ky për peruanët.

“Duhet ta pranojmë se ky ishte fundi i aventurës sonë. Ne jemi jashtë me kokën lart. Isha i kënaqur me ekipin tim, e shfaqëm se jemi mjaft konkurrues. Është e dhimbshme të humbësh, por duhet ta urojmë Uruguain”, tha Markarian. Uruguai do ta presë në finale fituesin e sfidës tjetër gjysmëfinale Venezuela – Paraguai. Finalja e Copa Americas do të zhvillohet të dielën në Buenos Aires.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›