E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Alimani fiton në Eurimages

Filmi “Përtej Amnistisë” financohet me 120 mijë euro

Bordi i bashkëprodhimeve të “Eurimages” ka miratuar të parin film shqiptar tetë muaj pas anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizëm. Projekti i filmit “Përtej Amnistisë”, me regji të Bujar Alimanit, një bashkëprodhim shiptaro-greko-francez ka marrë mbështetjen financiare në mbledhjen plenare të 17 marsit. Financimi i “Eurimages” është me 120 mijë euro, i barabartë me rreth 15% të buxhetit të filmit. Projekti filmik u paraqit dhe mbrojt para bordit të bashkëprodhimeve të “Eurimages” nga dy përfaqësuesit zyrtarë të Shqipërisë pranë “Eurimages”, kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Artan Minarolli, dhe Roland Sejko, krahas producentëve grekë dhe francezë. Filmi i Alimanit flet për një histori të pamundur dashurie në Shqipërinë e tranzicionit. Vetë drejtori ekzekutiv i “Eurimages” gjatë një seminari në Tiranë dy javë më parë lajmëroi shqyrtimin e këtij projekti shqiptar pa dhënë detaje të hollësishme. Mbledhja e përtremuajshme e bordit të projekteve të “Eurimages” u mbajt në Stamboll nga 13 deri më 17 mars. Bordi shqyrtoi 34 kërkesa filmike bashkëprodhimi nga të cilët u miratuan 14. Kineastët shqiptarë mund të paraqesin projektet e tyre të bashkëprodhimit në mbledhjet e radhës të “Eurimages” që do të mbahet në Hamburg qershorin e ardhshëm.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›