E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi takon Sabon: Do të thellojmë bashkëpunimin mes pushtetit qendror dhe vendor



Bashkëpunimi efikas midis pushtetit qendror dhe vendor është shumë i rëndësishëm në të mirë të vendit. Kështu ka theksuar Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë takimit me Presidenten e Asamblesë së Rajoneve të Europës, njëkohësisht zëvendëspresidente e Këshillit Rajonal, Mishel Sabon dhe delegacionin që e shoqëron, në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë. Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i qarkut të Tiranës dhe i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të vendit, Tasim Mema, si dhe përfaqësues të Komitetit shqiptar të Zhvillimit të Rajoneve. Pasi i uroi mirëseardhjen, presidenti Topi bëri një përshkrim të situatës aktuale në vend, të zhvillimeve më të fundit dhe arritjeve në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe të pavarësisë së tyre, si dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit efikas dhe dialogut midis pushtetit qendror dhe atij vendor për të realizuar projekte në të mirë të zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe përmirësimit të jetës së shtetasve të saj. Kreu i shtetit, duke iu referuar edhe përvojës europiane dhe duke e quajtur vizitën e zonjës Sabon si “një ngjarje shumë të rëndësishme për jetën e institucioneve vendore në Shqipëri”, theksoi se zbatimi sa më mirë i strategjisë së decentralizimit do të mundësojë një koordinim më të mirë të projekteve në qarqet e vendit, si dhe një shërbim më të mirë ndaj interesave të qytetarëve. Pasi e falënderoi presidentin Topi për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe pasi ndau të njëjtat mendime lidhur me mirëfunksionimin e qarqeve, presidentja Sabon vuri në dukje ndryshimet pozitive të shënuara në vendin tonë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për rritjen e dialogut dhe bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe atij vendor. Sabon vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të kryetarit të shtetit përsa i përket zhvillimit demokratik dhe konsolidimit të institucioneve shqiptare duke ruajtur ekuilibrin mes forcave politike dhe duke shërbyer si garant i Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Njëkohësisht, Presidentja e Asamblesë së Rajoneve të Europës nënvizoi se shfrytëzimi dhe miradministrimi i potencialeve të të gjithë territorit të vendit do të sjellin pashmangshmërisht fuqizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë edhe në kuadër të integrimit të pritshëm në gjirin e familjes së madhe europiane.

Presidenti Topi uron Presidentin e ri gjerman, Kristian Vulf

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dërguar dje një mesazh urimi zotit Kristian Vulf, me rastin e zgjedhjes së tij në postin e lartë të Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë. “I nderuar zoti President! Kam kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal t’Ju dërgoj urimet më të përzemërta dhe më miqësore me rastin e zgjedhjes Suaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë! Dëshiroj të shpreh besimin se miqësia dhe niveli shumë i mirë i marrëdhënieve midis dy vendeve tona do të vazhdojë të konsolidohet dhe të zhvillohet në vazhdimësi, në të mirë të dy popujve tanë miq. Gjej rastin, zoti President, të nënvizoj veçanërisht faktin se Shqipëria çmon lart mbështetjen që Gjermania ka dhënë dhe u jep asaj gjatë proceseve integruese në strukturat e familjes së përbashkët euroatlantike dhe europiane. Duke Ju uruar edhe një herë suksese në misionin Tuaj dhe duke shprehur dëshirën time për një takim të afërt me Ju, lutem pranoni, i nderuar zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, – thuhet në mesazhin e urimit të kreut të shtetit.

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›