E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Pa u zgjidhur kriza, PS-ja nuk do të votojë asnjë ligj në Kuvend”

Kreu i PS-së: “Beteja jonë do të përshkallëzohet derisa të arrihet transparenca”

Eneida Jaçaj

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një bashkëbisedim me gazetarët dje, i ka bërë apel kryeministrit Sali Berisha të zgjidhë krizën, në të kundërt opozita do të vazhdojë të mos votojë ligje që kërkojnë shumicë cilësore. Lideri i opozitës deklaroi se beteja do të përshkallëzohet deri kur të arrihet transparenca e zgjedhjeve. Në bashkëbisedimin me mediat, Rama shprehu shqetësimin edhe për situatën ekonomike. Ai deklaroi se buxhetit të shtetit i mungojnë 12.4 miliardë lekë dhe për këtë qeveria është detyruar të marrë borxh nga depozitat financiare.
Deklarata
"Nuk do të marrim pjesë në asnjë proces votimi për asnjë nismë që vjen nga ky pushtet, të cilin do ta përballim me të gjithë fuqinë e rezistencës sonë në një betejë që do të përshkallëzohet përsëri, e përsëri, e përsëri deri kur Shqipëria të rivendoset në binarët e kushtetutshmërisë dhe transparencës dhe kur qeveria e këtij vendi, cilado qoftë ajo, t’u shërbejë qytetarëve", - tha Rama. Ai nënvizoi se mbështet vendimin e Grupit të PS-së për të mos votuar ligjet që kërkojnë 84 vota. “Jam tërësisht në mbështetje të vendimit që ka marrë Grupi Parlamentar për të mos marrë pjesë në asnjë proces votimi në një parlament të shpërfytyruar, nga shkelja e të gjitha parimeve dhe vlerave më elementare të parlamentarizmit. Së fundi, do të numëroja heqjen e votës së fshehtë dhe të së drejtës së çdo deputeti, që në pavarësinë e tij të plotë të votojë për të zgjedhur individë konkretë. Kështu që kjo është pjesë e një realiteti dhe ky është realiteti i sotshëm konkret dhe i prekshëm”, - nënvizoi Rama.
Kriza ekonomike
Lideri i opozitës këmbënguli se situata ekonomike në vend është përkeqësuar dhe se qeveria nuk ka më para në arkën e saj. Kryesocialisti mohoi rritjen e pensioneve përballë çmimit të ri të energjisë elektrike. Rama paralajmëroi se shumë shpejt kolapsi ekonomik do të jetë katastrofik. "Ua kemi thënë që në krye të herës, po e çon ekonominë në një tatëpjetë, ku rrezikojmë të hyjmë në fazën që inercia e bën të pandalshme krizën dhe kolapsin e bën katastrofik. Nuk ka rritje. Vetëm me faturën e dritave dhe të ujit, pensionistëve u janë marrë 30 mijë lekë, ndërsa qeveria u jep vetëm 2 mijë deri ne 6100 lekë”, - tha Rama. Ai denoncoi rritjen e borxhit ekonomik të marrë me interesa të larta nga depozitat e shqiptarëve. Në këtë kuadër, Rama tha se situata ekonomike po precipiton për shkak të politikave abuzive ekonomike për të mbajtur pushtetin e pak njerëzve. “Strategjia jonë dhe objektivi ynë për transparencën është i patjetërsueshëm. Nuk bëhemi ne përgjegjës, por ata që na e mohojnë këtë të drejtë. Ka një faktor të tretë midis palëve, që është syri zhbirilues i medias. Ne themi shifrat tona për ekonominë, ata thonë të vetat. Ju nuk jeni pingpong, por merrini shifrat dhe ballafaqojini”, - u shpreh Rama.

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›