Ushqimet jashtë kontrollit po na shkatërrojnë shëndetin
Tiranë- Pas denoncimit në media për produktet e skaduara që shërbehen në dyqanet fast food në vendin tonë, qytetarët shprehen të alarmuar për rrezikun që i kanoset çdo ditë shëndetit të tyre nga ushqime jashtë standartëve apo në rastin më të keq, të skaduara.
Më poshtë mund të lexoni shqetësimin e qytetarëve lidhur me këtë fenomen që pavarësisht denoncimeve të shumta vijon problematikën e tij.
Dëgjova në media lidhur me kontrollet e Institutit të Higjenës në disa dyqane dhe njësi të tjera shërbimi që ofrojnë ushqime të shpejta, si fast food-et etj. E kemi dëgjuar shumë herë këtë, që përdorimi i shumtë i të njëjtit vaj për gatim shkakton sëmundje kanceroze, por nuk e kuptojmë përse nuk merren masa. Përse vetëm ngrihen problemet dhe askush nuk i mbyll këto punishte të rrezikshme?
Por nuk është vetëm ky problemi, ne si konsumatorë përballemi cdo ditë me rrezikun e madh të ushqimeve që janë tërësisht jashtë kontrollit dhe në mënyrë krejt abuzive.
Buka është jashtë kontrollit, pasi prodhuesit përdorin më shumë lëndë të tjera se miell. Vec vjedhjes në peshë, ajo tashmë është një produkt pa asnjë vlere ushqyese.
Sallamet, përvec pislleqeve që u fusin prodhuesit, bartin edhe shumë substanca kimike që përdoren për të shtuar jetëgjatësinë e tyre. Perimet piqen në mënyrë artificiale me kimikate.
Vera, edhe pse historikisht bëhet nga rrushi, këtu pjesa me madhe bëhet me acide ushqimore dhe alkool.
Përse nuk konstrollohen të gjithë këto, ose më saktë kontrollohen, por përse nuk merren masa? Apo kontrollorët e IKU i identifikojnë, dhe marrin zarfat e gjobave në xhep dhe koston vazhdojmë ta paguajmë ne.
Në televizor pamë sesi ishte zbuluar një punishte pritive në një shtepi ku prodhoheshin patate për fast foode. Patate të mykura u shiteshin dyqaneve dhe ne i konsumojmë ato. Përse nuk u arrestuan ata njerëz por organet e kontrollit mjaftohen vetëm me një paralajmërim, a thua ata po shkelnin vijat e bardha në bulevard.
Dyqanet që shesin nëpër lagje dhe katet e para të pallateve janë tërësisht jashtë kontrollit, nuk bëhet më fjalë për abuzim me çmimet, por abuzim me cilësinë. Ata po shkatërrojnë shëndetin tonë ndërsa qeveria flet vetëm për zhvillime dhe përparime.