E Diel, 1 Nëntor 2026

Doktori i Majkëllit: Ju tregoj mikun tim Xheko. Ja sekreti i lëkurës së tij

Arni Klien është dermatologu, i cili që prej vitit 1984 kuronte mbretin e popit. Sipas disa zërave, Klien mund të jetë edhe babai biologjik i dy fëmijëve që Majkëlli pati me infermieren Debi Roun. Për herë të parë, pas vdekjes së yllit, pranoi të flasë: "Unë i thashë të bëhej i bardhë, sepse lëkura e tij kishte probleme"

"Arkitekti i fytyrës", siç e cilëson mikesha e tij dhe pacientja Xho Shampa, dermatologu më i famshëm i Hollivudit, cituar edhe nga Elizabet Tejlor, Kerri Fisher dhe Dolli Parton, gjatë këtyre ditëve është një prej mjekëve më të kërkuar të panoramës mediatike që rrethon vdekjen e Majkëll Xheksonit. Arnold Klein, për miqtë Arni, një prej themeluesve të "AmFar", profesor i UCLA-s, nismëtari i "botoksit" në Amerikë, ishte i pari që diagnostikoi njollat e bardha në trupin e Xheksonit, si dhe mjeku i cili e ka kuruar që prej vitit 1984. Që atëherë Arni u bë miku i tij më i ngushtë, kumbari i djalit të parë, Majkëll Princ, edhe pse kanali televiziv CNN e tregon si "babanë biologjik" të dy fëmijëve që Majkëlli pati me Debi Roun, infermieren të cilën e njohu në studion e Arnit. Sot Arni Klein është mbyllur në shtëpi për t‘u shpëtuar sulmit të gazetarëve dhe paparacëve që kanë rrethuar shtëpinë në "Hancock Park" dhe klinikën e tij në Berveli Hills, ku gjatë viteve të fundit Majkëlli shkonte edhe dy herë në muaj për një vizitë mjekësore. Sot nuk do të shkojë në "Staples Center". "Nuk dua të marr pjesë në një ceremoni që është shndërruar në një çmenduri kolektive".

Kur jeni njohur me Majkëll Xheksonin?

Majkëlli u bë pacienti im në vitin 1984 dhe siç e dinë të gjithë, kishte probleme të mëdha mjekësore. Kishte njolla të bardha në trup, pra mungesë pigmenti. Unë isha i pari që ia diagnostikova njollat e bardha dhe e ndihmova në procesin e zbardhjes së lëkurës, një proces shumë i nevojshëm për ta bërë më homogjene lëkurën e tij, pra pa njolla. Por duhej të përballesha me mjekë të tjerë, te të cilët nuk kisha aspak besim.

Çdo të thotë kjo?

Për të kryer disa studime mjekësore, doktorët i merrnin lëkurën Majkëllit, për t‘ia shitur më pas, kështu që më duhej medoemos ta mbroja.

Ju e dinit për ilaçet që i këshillonin mjekët?

I jepnin ilaçe si "Diprivan"-i, ose "Propofol"-i, të cilat përdoren për të nxitur anestezi të përgjithshme, pra për të vënë në gjumë pacientin. Kjo ishte e jashtëligjshme. Unë isha doktori i tij personal dhe u bëra miku më i ngushtë pikërisht sepse doja ta mbroja. Jo për mburrje, por po ju them se me Majkëllin kam kujtime jashtëzakonisht të bukura.

Për shembull?

Më kujtohet një herë kur isha në Romë me Majkëllin, i cili nga ballkoni i hotelit ku po qëndronim firmoste peshqirë dhe i hidhte mes turmës me fansa. Apo një mbrëmje në Paris, në Eurodisney, kur ishim me djalin e Çarli Çaplinit: parku ishte i mbyllur dhe ata të dy ecnin duke imituar Çarli Çaplinin. I pëlqente jashtëzakonisht të shkonte në "Disneyland". Po të kishte mundësi shkonte çdo ditë. Ai njeri nuk ka pasur kurrë fëmijëri, nuk është rritur kurrë.

Ju jeni shprehur se nuk i keni besuar kurrë akuzat e pedofilisë...

Asnjë çast. Majkëlli i adhuronte fëmijët. Madje djali që e akuzoi për pedofili kishte gënjyer duke thënë më pas se ishte një sajesë e të atit, i cili donte të shkruante një skenar... Të gjithë fëmijët duan të flenë në shtrat me prindërit dhe Majkëlli ua plotësonte dëshirën.

Ju jeni kumbari i një prej fëmijëve të Majkëllit?

Nuk jam babai biologjik, nëse është kjo ajo që doni të dini.

Jo, kumbari...

Kumbari i vajzës është aktori i famshëm Mekaklej Kaklin. Janë fëmijët më të këndshëm që unë kam njohur në jetën time. Ju do të pyesni pse Majkëlli i mbulonte me maska? Nuk donte që publiku t‘i njihte. Të jeni të bindur që nuk ka arsye tjetër. Janë fëmijë të edukuar dhe shumë të zgjuar. I madhi lexon libra shkencorë; Paris ka shumë talent, mund të bëhet një balerinë e madhe. E thoshte edhe Majkëlli.

Ju e kishit aprovuar zgjedhjen e Majkëllit për t‘u bërë baba?

Po, sepse ishte gjëja që dëshironte më shumë në këtë botë. Sapo e kam takuar Debin, edhe pse duke mos i ditur qëllimet e saja, e vetmja gjë që i kërkova ishte t‘i trajtonte mirë fëmijët në të ardhmen.

Mendoni se Debi është e sinqertë tani që kërkon kujdestarinë e fëmijëve?

Arrin t‘i marrë ose jo, Debi ka të gjithë të drejtën t‘i rrisë dhe t‘i edukojë fëmijët e saj.

A ka diçka që nuk ju pëlqen në spektaklin mediatik të këtyre ditëve?

Rebelohem kur dëgjoj të flasin për të personazhe si i përnderuari Al Sharpton dhe Xhesi Xhekson, të gjithë njerëzit që më parë thoshin aq shumë gjëra të tmerrshme pas krahëve të tij, saqë Majkëlli nuk donte t‘i shihte me sy. Tani qëndrojnë të gjithë përkrah at Xhoesë vetëm për t‘u dukur.

Çfarë kujtoni nga raporti i Majkëllit me vëllezërit dhe motrat që i ka përjashtuar nga testamenti, siç janë për shembull Latoja dhe Xhenet?

Nuk e kam parë kurrë me familjen e tij. Di që fliste shumë me Xhenet dhe e donte atë. Ajo i detyrohet shumë atij. Di edhe që e donte shumë të ëmën. Nuk mund të flas për marrëdhënien e tij me të atin, sepse ai e vinte gjithmonë në lojë, madje që kur Majkëlli ishte i vogël. Unë them gjithmonë, kur ke një thesar në shtëpi, pse duhet të tallesh me të?

Gjatë muajve të fundit, kur Majkëlli ju takonte, e bënte për arsye mjekësore?

Po, si çdo balerin ai ishte shumë i dobët, madje rrezikonte të bëhej anoreksik. Kishim shumë gjëra për të bërë, edhe në fytyrë. Vinte çdo dy javë dhe qëndronte gjatë. Takonte miqtë dhe klientët e mi. Hanin bashkë, bisedonin. Më dukej i qetë.

Som

Ilaçet

Ata që e këshillonin të pinte ilaçe janë kriminelë. Për të kryer disa studime mjekësore, doktorët i merrnin lëkurën që më pas t‘ia shisnin

Fëmijët

Fëmijët ishin gjëja që donte më shumë botë. Pedofilia? Cili prind nuk i lejon fëmijët të shtrihen në krevat me ta?

Hetimet

Publikohen videot mbi ngacmimet seksuale

E reja e fundit në hetimet mbi Majkëllin është një video e publikuar nga sajti "New of the World", një filmim i papublikuar më parë i vitit 1996, ku Xhekson reagon ashpër ndaj akuzave të pedofilisë, por pa dhënë asnjë përgjigje, pasi kështu ishte këshilluar edhe nga avokati i tij. Në atë filmim Majkëlli thotë: "Nuk jam homoseksual. Ndihem krenar që jam zezak, nuk e mohoj ngjyrën e lëkurës sime. Akuzat e pedofilisë janë të gjitha shpifje"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›